Frank Shkreli: 4 prilli shënon 55-vjetorin e vra.sjes së Martin Luther King-ut

Frank Shkreli

Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*


“Në fund të fundit, ne nuk do të kujtojmë fjalët e armiqve tanë, por do mbajmë mend heshtjen e miqve tanë”, (Martin Luther King – kur duhej të flisnin por nuk folën)

Martin Luther King Jr. 15 janar, 1929- 4 prill, 1968

“Ishte një përpjekje e Martin Luther Kingut, si udhëheqësi kryesor i kësaj lëvizjeje, që nëpërmjet protestave paqësore të lloj-llojshme, t’i jepte shpresë dhe më në fund të siguronte pasuesit dhe mbështetësit e Lëvizjes së tij, si të bardhë ashtu edhe afrikano-amerikanë për mundësinë e një trajtimi të barabartë për të gjithë.”

Sigal

4 Prilli i këtij viti shënon 55-vjetorin e vdekjes së Martin Luther Kingut, i vrarë në një hotel në qytetin Memfis të shtetit Tenesi në vitin 1968.  Martin Luther King-u ishte një prift protestan i sektit të krishterë Baptist, njëkohësisht, edhe aktivist i të drejtave civile, i njohur në Amerikë dhe në botë si zëdhënësi dhe njëri prej udhëheqësve më të njohur i lëvizjes në mbështetje të drejtave bazë të njeriut, nepërmjet protestës paqësore dhe mosbindjes civile, në Amerikë dhe në botë. Ai i bazonte taktikat e tij të rezistencës paqësore në besimin e tij të krishterë, ndërkohë që gjente frymëzim edhe nga aktivizmi paqësor i Mahatma Gandhi-t dhe të tjerë personalitete si ai. Ishte kjo një lëvizje protestash paqësore, anë e mbanë Shteteve të Bashkuara gjatë 1950-ave-1960-ave– e që kishin për qëllim zhdukjen, zyrtarisht, e diskriminimeve ndaj afrikano-amerikanëve, në pothuaj të gjitha nivelet e qeverisjes federale dhe shtetërore dhe jo vetëm. Ishte një përpjekje e Martin Luther Kingut, si udhëheqësi kryesor i kësaj lëvizjeje, që nëpërmjet protestave paqësore të lloj-llojshme, t’i jepte shpresë dhe më në fund të siguronte pasuesit dhe mbështetësit e Lëvizjes së tij, si të bardhë ashtu edhe afrikano-amerikanë, për mundësinë e një trajtimi të barabartë për të gjithë, me qëllim për të marrë pjesë në të ashtuquajturën, “ëndërr amerikane”, pa dallime racore, fetare apo origjine etnike. Ajo periudhë cilësohet si një periudhë shprese biblike e Martin Luter Kingut, shpresë që pothuaj askush, nuk mund ta parashikonte, ndoshta as vet Martin Luter King-u: se një ditë ajo shpresë për barazi, do të bëhej realitet. I gjithë aktivizmi i Doktor Martin Luther King-ut në mbrojtje të drejtësisë, të lirisë dhe të drejtave të barabarta për të gjithë, vazhdon edhe sot të jetë një thirrje tepër aktuale këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës. Është kjo një kujtesë në këtë 55-vjetor të vdekjes së tij që mban të gjallë shpresën, se e mira do ta mundë të keqen, fjalë këto të shqiptuara nga goja e këtij predikatori baptist protestan, por, njëkohësisht, edhe fjalë të një udhëheqësi moral kombëtar, i cili për influencën e tij pozitive në historinë e këtij vendi  tani, me të drejtë, e ka monumentin e tij ballë për ballë me monumentet e themeluesve dhe baballarëve më të rëndësishëm të kombit amerikan në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington. Ky është një testament historik që kombi amerikan kujton Martin Luther Kingun, jo vetëm në këtë 55-vjetor të vdekjes së tij, por edhe çdo vit tjetër, në ditën e festës federale, kushtuar këtij udhëheqësi të madh amerikan të të drejtave civile. Martin Luther King, nga qëndrimi i një predikuesi protestan me një vizion dashurie, domosdoshmërie morale për shoqërinë amerikane, bënte thirrje për drejtësi të vërtetë për të gjitha rracat pa dallim, për reforma themelore në sistemin dhe ligjet mbi drejtësinë dhe për barazi para ligjit për të gjithë, duke i bërë apel ndërgjegjes morale të shumicës së amerikanëve të racës së bardhë, për reflektim historik mbi reformat e nevojshme për një drejtësi të barabart, për të gjithë, në këtë vend.

Martin Luther King ishte i bindur se reformat serioze në drejtësi dhe ndryshimi i ligjeve për të cilat ai bënte thirrje, nuk mund të bëheshin në një vakum moral pa u përballur shumica e bardhë me historinë e kaluar dhe me trajtimin e tmerrshëm, që çoi në shkeljen e të drejtave bazë të Afrikano-Amerikanëve, përfshirë skllavërinë, që mbetet ende një plagë e rëndë, trashëgimia e të cilës ka lënë gjurmë që diktohen edhe sot në historinë moderne amerikane. Martin Luther King ishte protagonisti kryesor i këtyre ndryshimeve të mëdha politike, juridike dhe ekonomike në historinë e Amerikës, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Në kujtim të 4 Prillit, 55-vjetorit të vrasjes së Martin Luther King, ja disa thënje nga një prej personaliteteve më frymëzuese, përfaqësues i vlerave morale, jo vetëm për ne këtu në Amerikë, por edhe për mbarë botën. Sigurisht, njëri prej emrave më të njohur dhe më me influencë në komunitetin Afrikano-Amerikan dhe në mbarë historinë e Shteteve të Bashkuara.

Ja disa thënje nga Martin Luther King (të përzgjedhura nga unë) që konsiderohen, përjetësisht, aktuale nga shumica e njerëzve vullnetmirë, anë e mbanë botës:

“Heshtja e njerëzve të mirë është më e rrezikshme se brutaliteti i njerëzve të këqij.”

“Vjen një kohë kur heshtja (ndaj të keqes) është tradhëti.”

“Të injorosh të keqen do të thotë të jesh bashkëpunëtor i saj.”

“Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë gjithkund tjetër.”

“Koha është kurdoherë e përshtatshme për të bërë atë që është e drejtë.”

“E drejta e vonuar, është një e drejtë e mohuar.”

“Pa drejtësi nuk mund të ketë as paqe.”

“Jeta jonë fillon të marrë fund ditën kur ne heshtim për gjërat që janë të rëndësishme në jetë.”

“Errësira nuk mund t’a zhduk errësirën. Vetëm drita mund ta bëjë këtë gjë. Urrejtja nuk mund ta zhdukë urrejtjen, vetëm dashuria mund ta bëjë këtë.”

“Askush nuk ka të drejtë të shuaj ëndërrat e tjetrit.”

“Asgjë në botë nuk është më e rrezikshme se injoranca e sinqertë dhe budallallëku i ndërgjegjes.”

“Kam vendosur të qëndroj me dashurinë. Urrejtja është një barrë shumë e madhe për t’u bart.”

“Pyetja më këmbëngulëse dhe më urgjente e jetës është: “Çfarë po bën ti për të tjerët?”

“Paqeja nuk është thjesht mungesa e konfliktit, paqeja e vërtetë është vendosja e drejtësisë për të gjithë njerëzit.”

“Nuk mund të kesh asnjë ndikim mbi ata që i urren.”

“Duhet të mësojmë të jetojmë së bashku si vëllezër ose, për ndryshe të zhdukemi së bashku si budallenj të çmendur.”

“Unë nuk jam i interesuar në pushtet për hir të pushtetit, por jam i interesuar për pushtet që është i moralshëm, jam mbështetës i një pushteti që është i drejtë dhe i mirë, për të gjithë dhe pa dallim.”

Ishin këto disa thënie nga ish-udhëheqësi historik i Lëvizjes për të Drejtat Civile në Shtetet e Bashkuara, priftit protesan amerikan, Martin Luther King në kujtim të 55-vjetorit të vrasjes së tij në qytetin Memfis të shtetit Tenesi, 4 Prill, 1968.