Damian Gjiknuri në SHBA: Votime me interes, ndryshe nga Shqipëria këtu zyrtarët zgjedhor janë vullnetarë dhe jo të caktuar nga partitë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri ndodhet në një vizitë disa ditore në SHBA ku po merr pjesë si vëzhgues në ekipin e OSBE në procesin zgjedhor që po zhvillohet për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve. Në punën e tij në këtë process Gjiknuri ka publikuar disa foto. “Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishim pjesë e ekipit të OSBE-së që ndoqi nga afër procesin zgjedhor në shtetin e Nevadas ku po zhvillohet një garë e fortë për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve midis republikanëve dhe demokratëve.” Ndër të tjera Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit Gjiknuri ka deklaruar se procesi po vijon pa incidente në këtë zonë ku ai është aktiv si vëzhgues. “Ndërsa procesi vazhdon, patëm rast të vëzhgojmë një numër qendrash votimi. Në ndryshim të madh nga Shqipëria, në SHBA zyrtarët zgjedhor janë vullnetarë dhe jo të caktuar nga partitë ndërkohë që zgjedhjet zhvillohen në mënyrë elektronike.” Numri 2 i Partisë Socialiste ka folur gjithashtu për rëndësinë që kanë këto zgjedhje dhe interesin që ngjallin ato te zgjedhësit në SHBA. “Këto votime priten me shumë interes pasi ndryshimi në Kongres nëse republikanët fitojnë mund të sjellë ndryshime të shumë poltikave të administratës Biden.” Damian Gjiknuri ndodhet në SHBA së bashku me një delegacion përfaqësuesish nga Shqipëria si vëzhgues të procesit zgjedhor nga ekipi i OSBE.

 

NOA