Shqiptarët janë popull i lirë dhe kanë të drejtë të protestojnë! Ky është qëndrimi i ambasadores së Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq në lidhje me protestën e thirrur nga opozita në 12 nëntor. Në një deklaratë për mediat nga Korça, diplomatja franceze u shpreh se shqiptarët kanë të drejtën të protestojnë. “Nuk kam asnjë koment për çështjet e politikës së brendshme. Shqipëria është një vend i lirë dhe njerëzit kanë gjithmonë të drejtë të manifestojnë”,- tha ajo. Barsacq ka folur nga Korça për amnistinë fiskale duke kujtuar progres-raportin. Ambasadorja tha se në raport thuhet 4 herë se në rast të miratimit të amnistisë fiskale, kjo gjë nuk do të ishte aspak e favorshme. Teksa në Kuvend diskutohej paketa fiskale dhe buxheti i vitit 2023, ambasadorja Franceze rikonfirmoi qëndrimin e Bashkimit Europian në lidhje me pasojat që do të ketë vendi, nëse qeveria miraton amnistinë fiskale. “Shpresoj dhe besoj që e keni lexuar të gjithë raportin e progresit përsa i përket Shqipërisë. E keni lexuar? Në raport thuhet 4 herë se në rast të miratimit të amnistisë fiskale, kjo gjë nuk do të ishte aspak e favorshme. Por unë, për sa i përket këtyre që doni të dini ju, unë nuk jam personi i duhur që mund të përgjigjem. Tani Shqipëria është duke u përshtatur, prandaj ajo duhet të synojë të përshtatet me një notë”,- tha ambasadorja. Qeveria nga ana tjetër vijon të mbrojë amnistinë fiskale pavarësisht kundërshtive të shumta të ndërkombëtarëve. E pyetur “sa shqetësues është fenomeni i emigrimit nga kanali i La Manshit dhe a do të ketë ndonjë marrëveshje”, ajo u përgjigj: “Përballë Britanisë nuk është vetëm Franca si kufi ajo ndan kufirin detar edhe me 3 vende të tjera (Belgjika, Holanda dhe Gjermania). Çështjet duhen trajtuar jo vetëm nga Britania e Madhe, por edhe nga vendet e BE, është një çështje që nuk mund të zgjidhet apo diskutohet vetëm në gjirin e një shteti siç është Anglia. Ato trajtohen në gjirin e gjithë shteteve të BE, kjo është situata, kjo është zgjidhja”.






















