Ilmi Qazimi: Në shtëpizën e ndershmërisë apo në pallatin e gënjeshtrave?

211
Sigal

Është tmerr kjo që po jetojmë gjatë këtyre tridhjetë e dy viteve në demokracinë ala amerikane, por më e tmerrshme është se janë disa,-jo shumë-, njerëz-gjëmbahelmues të lindur në vendin tonë, në vitet e socializmit të vërtetë në Shqipëri, që mashtrojnë të tjerët, breza të rinjsh dhe të vjetër të vendeve të tjera, për atë çka kanë jetuar. Të shitur tek të huajt për dy-a tre dollarë e privilegje, kësisoj, të tillë si nëpunësi i diplomacisë sonë Ferit Hoxha, i japin vetes të drejtën që të jenë edhe leksionerë për t’i treguar vendeve aziatike “rreziqet dhe barbarizmat e komunizmit”.

“Shqipëria nën regjimin komunist mbeti “një vend historikisht i errët dhe i paarritshëm”’, “një shtet i pa besë!” …Kështu deklaron përfaqësuesi ynë i sotshëm në OKB! I marrtë të keqen Shqipërisë ai palo nëpunës shteti, që thotë këto fjalë! Janë të shumta faktet, të cilat i njeh tërë bota përparimtare, tërë njerëzit e ndershëm të këtij planeti, që ia hedhin poshtë këto gënjeshtra, këtij pseudodiplomati. Le të përmendim fare pak syresh në këtë shkrim të shkurtër.

Mielli vjen nga Ukraina dhe gatimi i tij bëhet me 87% ujë, kripra, kimikate ngjyrosëse e ajër dhe vetëm 13 % miell nga ai ukrainasi, sepse  nuk ka më grurë nëpër fushat tona.

 

Socializmi, si sistem ekonomiko-shoqëror kishte shumë anë pozitive, të pamohueshme, që ne të lindurit pas viteve 1944 e deri 1980, (ku përfshihet edhe mashtruesi në fjalë), i kemi jetuar plotësisht duke i ndjerë mbi supe, si vështirësitë ashtu dhe lehtësitë, të mirën dhe të keqen, mungesat dhe arritjet. Por kur i referohemi jetës që kemi bërë na vret Zoti dhe na mbyt buka e gojës që të mohojmë gjithë ato epërsi të socializmit siç guxon e gënjen një farë Ferit Hoxha, me sa duket, pjellë e qeverisjes antishqiptare berishiste dhe puthadorës i të huajve.

Ne kishim arsim falas deri në fund të shkollës së mesme. Shqipëria hyri në atë sistem shoqëror me 85% të popullsisë analfabete dhe doli me Universitete. Çdo fshat kishte shkollë. Shkollat tona nxorrën intelektualë të niveleve botërore shkencëtarë të shumë fushave të ekonomisë, kulturës e mbrojtjes. Tani, në demokracinë që hyjnizon z. F.Hoxha dhe ua jep si përvojë edhe vendeve të lindjes së mesme, shkollat në fshatra janë mbyllur se nuk ka as nxënës e as interesim shtetëror për arsimimin masiv të popullatës. Tani shkolla në tërë vendin është atrofizuar. I është hequr e drejta e edukimit të përgjithshëm dhe posaçërisht ai atdhetar. Është copëzuar programi dhe plani mësimor në atë farë mënyre që nuk mbështillet dot më. Vendin kryesor në sasi të orëve e zë gjuha e huaj e jo gjuha jonë amëtare shqipe. Politikat arsimore janë kthyer në një farë biznesi fitimprurës për rektorate, drejtues të dikasterit dhe sekserëve përkatës, deri tek mësues apo autorë të ndryshëm që( aksidentalisht kanë këtë emër, pasi) marrin lekë nga nxënësit për librat që botojnë.

Atëherë Shqipëria socialiste kishte realisht shërbimin shëndetësor falas, kishte spital ose ambulancë në çdo fshat të Republikës, kurse tani numurohen me gishta ambulancat dhe mjekët që pranojnë të venë të punojnë në fshat. Tani shërbimi shëndetësor privat dhe shtetëror është kthyer në një nga bizneset më fitimprurëse për bosët e rinj të politikës shqiptare (numuro :Shehu, Solis, Ndoka, Tavo, Godo, Beqja, Manastirliu), dhe për atë pjesë të personelit, që nuk punon me ndërgjegje sipas betimit të Hipokratit.

Shqipëria kishte marrëdhënie diplomatike me 108 shtete, por kurrësesi nuk mund të kishte me shtetet që e kishin halë në sy dhe dërgonin çdo muaj grupe diversioniste për të rrëzuar pushtetin. Nuk ishte aspak i izoluar dhe pa mendim përparimtar. Ti përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, si guxon e thua se Shqipëria ishte “shtet i pa besë”, kur vetë, shumë prej drejtuesve të shteteve socialiste e sidomos kapitaliste në kohra, e kanë vlerësuar si shtetin që i thotë të vërtetat në sy, që mbron ligjet që ka vendosur dhe ndëshkon ashpër tërë ata që shkelin ligjet? Që mbron shtetasit e vet pa nevojën për avokati e mashtrime të këtij lloji?

Mjafton të kujtosh, që ne notojmë mbi naftë dhe  po ne aktualisht e blejmë karburantin me çmimin më të lartë  të kohës në Ballkan. Kjo sepse  qeveria ka  krijuar një  shushunjë  që quhet  “bordi i transparencës”  e cila  ngre dhe bën sikur ul çmimet e naftës

Vendi ynë, ku linde edhe ti, F.Hoxha, kishte ekonomi të centralizuar shtetërore dhe falë atij modeli, Shqipëria njohu zhvillime marramendëse ekonomike deri sa arriti edhe fitoret më të larta në historinë e vet: siguroi me forcat e veta bukën e popullit në vend; siguroi punë për të gjithë; siguroi shtëpi për të gjithë; realizoi sigurinë e jetës për të gjithë. Ai që nuk e donte punën quhej parazit dhe dënohej me ligj. Ai që kundërshtonte vijën politike dhe ekonomike të shtetit, paralajmërohej, edukohej, sqarohej dhe, po qe se nuk bindej,- dënohej.

Nuk ke aspak të drejtë të thuash fjalinë e rëndë “Shqipëria ishte një vend e një popull që kishte njohur vetëm një jetë në radhë për bukë dhe karburant”. Se kjo është mashtrim i rëndë pasi atë që ndodhi për dy vjet ti e shtrin në 45 vjet. Turp! Do të ndëshkojnë edhe bashkëkohësit edhe pasardhësit e tu. Për të bërë analiza duhet të jesh objektiv, dialektik, t’i shohësh dukuritë, sendet dhe fenomenet në hapësirë e në kohë, ashtu si kanë qenë e jo ashtu si të pëlqen ty apo shefave të tu. Ti i ke bërë këto në shkollën shqiptare, sado pak. Përse i anashkalon këto kritere?

Është e vërtetë që në Shqipëri është mbajtur radhë edhe për bukë, por kjo ka qenë një periudhë historikisht e caktuar, dy vjeçare, dhe e imponuar nga të huajtë e mëdhenj, që kanë bërë ligjin mbi vendin tonë të vogël. Është rezultat i tradhtisë së vet drejtuesve të shtetit në pjesën fundore të tij si socialist, në bashkëpunim me imperializmin e huaj sidomos atë amerikan, që solli radhën e bukës. Pra radha ishte në vitin 1945 dhe në vitin 1989-1990. Po sot vallë, pas 32 vitesh, nga ajo datë që paske parë ti radhë buke në Shkodër, apo edhe pas 82 vitesh nga data kur shqiptarët shporrën nazistët dhe fashistët dhe çliruan Shqipërinë vetëm me gjakun e tyre, si është gjendja në dyqanet e bukës në Shkodër , a e di ti? Ja po ta them: Mielli vjen nga Ukraina dhe gatimi i tij bëhet me 87% ujë, kripra, kimikate ngjyrosëse e ajër dhe vetëm 13 % miell nga ai ukrainasi, sepse nuk ka më grurë nëpër fushat tona. Buka si formë e madhësi sa vjen e zvogëlohet dhe çmimi i saj rritet për çdo muaj. Politikat bujqësore të qeverive postkomuniste e rrënuan bujkun dhe blegtorin shqiptar dhe pasuruan titullarët (numuro: Xhuveli, Topi, Kalakula, Duka, Ruli, Panariti, etj) dhe sekserët e tyre.

Po punën e karburanteve a e di ti se si po ecën në Shqipërinë e sotme? Mjafton të kujtosh, që ne notojmë mbi naftë dhe po ne aktualisht e blejmë karburantin me çmimin më të lartë të kohës në Ballkan. Kjo sepse qeveria ka krijuar një shushunjë  që quhet “bordi i transparencës”,  e cila ngre dhe bën sikur ul çmimet e naftës, benzinës e gazit, në atë masë që të mos preken aspak superfitimet e bosëve të dollarit dhe euros të Europës dhe Shqipërisë, pas të cilëve Edi Rama e ka lidhur qerren e qeverisë së tij.

Pastaj me guximin e një “bilbili” që kërkon t’i dëgjohet kënga, edhe pse nuk je as sorrë, ti deklaron më të rëndën antihistorike: “Përparimi dhe ndryshimi i parë në fillim të viteve 1990 ishin si asgjë tjetër që Shqipëria ka njohur për 2500 vitet e fundit!”  Kur lexon një fjali të tillë, të dalë nga goja e një diplomati përfaqësues i Shqipërisë në OKB, durimi soset!? Ja që paska edhe më keq: injoranca dhe ligësia ndaj vendit tënd po i kalon caqet. Po pse i gënjen -mbase nuk të dëgjojnë- ata me këto mashtrime për Shqipërinë tënde? Po pse nuk thua një fjalë të mirë, për realitetin dominues të vendit ku linde, po tjerr gënjeshtra? Sikur të kishe lindur edhe në sarajet e gënjeshtrës, përsëri, për vendin tënd do të tregoje më të mirën e tij, dhe do të thoshe fjalët më të qenësishme! Sa keq për ne, që të na përfaqësojnë individë të tillë nëpër organizmat e botës së sotme të çakorduar nga përbindëshat e medias, dollarit dhe teknologjisë!

Ilmi S.Qazimi