Gëzim Zilja: Helmimi i Vlorës nga TEC-i nuk është sihariq, por masakër

99
Sigal

E dëgjuat o njerëz? E dëgjuat si gënjeu Ministrja Balluku në prani të Ambasadores Kim!? Paska dalë një kompani amerikane bamirëse, që do na japë badiave energjinë me çmim pesë herë më të ulët se tregu ndërkombëtar e ca lapërdhira të tjera. Mirëpo eksperienca flet fare ndryshe. Ka njëzet vjet që kompania amerikane Bankers shfrytëzon fushat e begata naftëmbajtëse Patos-Marinëz, duke nxjerrë fitime përrallore. Në saj të kontratës skllavëruese të qeverive shqiptare, Bankersi nuk i ka paguar deri sot asnjë kokërr leku shtetit shqiptar, me demek se del me humbje gjë që nuk është aspak e vërtetë. Sa për kushtet e banorëve shkoni e shihni çfarë katastrofe mjedisore u ka shkaktuar dhe çfarë pagash marrin punëtorët!? Tashmë na del një kompani tjetër amerikane që ka propozuar të dalë me humbje nga dashuria për shqiptarët. Madje na favorizon duke na i dhënë neve TEC-tet lundruese megjithëse ( gjithmonë sipas Ballukut) na i paska kërkuar Gjermania madje me çmim më të lartë. Të duket për një çast sikur jemi në kohën e gjyshërve e baballarëve të Ballukut kur sovjetikët apo kinezët e hiqnin bukën nga goja e tyre për tua dhënë vëllezërve shqiptarë. Gjënjeshtra për foshjat. Ministrja foli edhe për TEC-e, terminale nafte e gazi, që do të ndërtohen në Zvërnec po nuk tha që këto “vepra madhështore” do të zhdukin nga harta e Shqipërisë zonën e mbrojtur me ligj të Zvërnecit, Nartës e gjirit të Vlorës.  Balluku me KM-ve e kanë detyrim që t’i tregojnë popullit shqiptar kontratën e fshehtë që kanë firmosur gati dy vjet më parë me kompaninë amerikane. Ajo zë një sipërfaqe 200 ha tokë-pyll, që do rrafshohet e do të “mbillet” me rezervuarë gjigandë nafte e gazi, me TEC-e, me uzina të përpunimit të naftës. Prandaj KM-ja e ktheu për skrap Uzinën e Ballshit, që përpunonte naftën shqiptare, madje që prodhonte edhe karburant për avionët dhe helikopterët. Ca gjëra kuptohen fare qartë.

 

Opozita nëse ekziston vërtetë duhet të kërkojë nga qeveria që urgjentisht të bëjë publike kontratën për TEC-et lundruese dhe petroliferën, që kanë projektuar me amerikanët. Kjo është një hata e madhe që po i bëhet Vlorës dhe Shqipërisë. Ne jemi një vend fare i vogël, me resurse të kufizuara dhe nuk kemi hapësira t’i kthejmë në depo të gazit dhe të naftës për të furnizuar gjithë Ballkanin dhe më tej, sepse ky është qëllimi i vërtetë i projektit. Nuk do shumë mend të kuptohet që kompania amerikane fiton, por Vlora, (një Vlorë kemi) kjo bukuri e rrallë, me detin e pastër, atë sipërfaqe ujore rrethuar me Sazanin e Karaburunin, që i ka bekuar vetë zoti, kthehet në një vend të pabanueshëm. Rezervuarët gjigandë, sasia e tubove të çelnikta, terminalit të trenave, që do tërheqin botet e pafund, në të gjithë Ballkanin, rrugët, stacionet e sheshet që do të shtrohen për autobotët gjigandë, TEC-et, uzinat e përpunimit të naftës do të bëjë që edhe dielli të mos duket, dhe ullinjtë e portokallet të nxihen që në lulëzim. Nuk duhet lejuar një masakër e tillë. E zbrapsi këtë projekt Vlora me bijtë e saj nën qeverinë Nano e më vonë nën qeverinë Berisha. U ndërtua TEC-i që nuk punon dhe një terminal karburantesh prej 18 ha. Tashmë a do të mundë ta ndalojnë sërish vlonjatët? Nëse Vlora dhe Atdheue del mbi partitë mundet. Në rast të kundërt shembuj ka plot ku qytete me petrolifera janë shkretuar, po ato janë vende me sipërfaqe të mëdha e jo si Shqipëria që për katër orë i bie me makinë nga jugu në veri e shumë më pak nga lindja në perëndim.

  1. Ministrja tha se TEC-et lundruese kanë që nga viti 2005 ( janë prodhim i vitit 1997) që nuk punojnë e prandaj duhet ca kohë të bëhet pastrimi i tyre, ( këtu fillon pocaqisja e detit) të montohen tubacionet e furnizimit me naftë, të zgjerohen kalatat, të lidhet me sistemin energjitik, të RSH-së etj. Në fund dha dhe sihariqin, që këto hekurishte mund t’i blejmë, pasi të mbarojë kontrata, e do të shesim ne pastaj energji nëpër botë e të pasurohemi. E harroi si duket Shpiragun e KM-s ë. Gallatë hesapi. Kjo nuk është tallje është gjëmë dhe gjëmë e madhe! Përndryshe o vlonjatë dhe ju shqiptarë le të brohorasim si dikur: Rroftë kryeministri Rama, Rroftë ministresha Balluku, që po na shpien nga viktorja në viktorje.