Gëzim Zilja: Pas betonizimit të qytetit dhe shkatërrimit të shesheve historikë: vlonjatët dorëzuan dhe detin

173
Sigal

 

Çuditërisht qeveria sjell nga Bangladeshi dy TEC-e lundrues prodhim i vitit 1997, që punojnë me mazut dhe për të shpenzohen gati një milion euro në vit për mirëmbajtje, si dhe interesat e kredisë

 

Dje në Gjirin e Vlorës bujtën dy “mysafirë’ të qeverise Rama, dy TEC-e lundrues. Ndërkohë në Vlore ka një TEC, që ka kushtuar mbi 100 milion USD, të përfunduar në vitin 2011, me kapacitet 100 MW që emeton në rrjet 97 MW. Ky TEC u ndërtua të shërbente për marrjen e burimeve të energjisë nga burime të ndryshme dhe balancimin e sistemit. TEC-i është lënë pas dore me vite të tëra nga Qeveria. Termocentrali punoi për pak kohë në fund të vitit 2011 derisa ndodhi difekti në kullën e ftohjes. Për të shpenzohen gati një milion euro në vit për mirëmbajtje, si dhe interesat e kredisë, që paguhen nga qeveria shqiptare. Në kushtet e krizës TEC-i duhej të vihej në punë, por çuditërisht qeveria sjell nga Bangladeshi dy TEC-e lundrues prodhim i vitit 1997, që punojnë me mazut, ndotin ndjeshëm ambjentin e prodhojnë me çmim të lartë. Ato janë dy grupe motor – gjenerator me prodhim bruto rreth 110 MW, dhe një pjesë të energjisë e përdorin për konsum vetjak. Rrjedhimisht rreth 100 MW do të emetohen në rrjetin e transmetimit, që është thuajse e njëjtë me fuqinë e e TEC-it, ekzistues.

Djegia do të bëhet në motor me djegie të brendshme dhe ndotja për shkak të CO, SO2, NOx dhe pjesëzave të ngurta, do të jetë shumë më e madhe sesa TEC-i duke u bërë  ndotës të jashtëzakonshëm për Gjirin e Vlorës dhe duke shkatërruar turizmin në këtë qytet. Këto dy anije do t’i kushtojnë KESH-it vetëm qera 83.000 euro /ditë, rreth 60 milionë euro për dy vjet. KESH-i do të blejë lëndën djegëse për prodhimin e energjisë rreth 200 euro/MW. Për të bërë të mundur funksionimin e tyre do të duhet të bëhen shpenzime shtesë, për ndërtimin e infrastrukturës: ankorimi në port, furnizimin e (vendosjen e tubacioneve) anijeve me lëndë djegëse, marrjen e ujit të detit për sistemin e ftohjes dhe ndërtimin e një linje kabllore për transmetimin e energjisë nga anijet etj. Uji për ftohjen e agregateve të TEC-ve lundruese do të merret nga deti dhe do të bëjë që ujrat rreth Gjirit të Vlorës jo vetëm të ndoten, por të rriten me rreth 14 gradë. Kjo shkakton kthimin e një pjese të gjirit, ( veç ndotjes nga nafta) në një det të vdekur. Sa i përket energjisë që do të blihet nga KESH-i megjithë qeranë dhe shërbime të tjera ndihmëse shuma për dy vjet do të arrijë rreth 700 (shtatëqind) miljon euro. Kthimi i TEC-it ekzistues në punë, nuk do të kërkonte më shumë se 50 (pesëdhjetë) milion euro. Duket një aferë e pastër abuzive ku sasia e parave të vjedhura është tejet e lartë. Shifrat që dha dje KM-ja për TEC-et lundruese janë jo të vërteta dhe shpejt do t’u dalë kallaji.

PS: Pas disa lajmërimeve e thirrjeve Aleanca për Gjirin organizoi dje një protestë, kundër vendosjes së këtyre përbindëshave në Gjirin e Vlorës. Pjesëmarrja nuk i kalonte të tridhjetë vetët, përfshi katër opozitarë të PD-së dhe pesë fejsbukistave. Asnjë deputet, nuk u duk andej, i kuq, blu apo mavi, asnjë portalist i Nostalgjikëve të Vlorës apo asaj me titullin revolucionar ”Vlonjat lind, nuk bëhesh,” asnjë pronar hotelesh, restorantesh, rezortesh nuk u pa, madje as ndonjë nga peshkatarët që pinin kafe aty rrotull. ASNJË. Duket se vlonjatët pas betonizimit të qytetit, shkatërrimit të Sheshit të Flamurit, Sheshit të Pavarësisë  dhe Sheshit para Bashkisë janë dorëzuar plotësisht para aferave e marrëzive të KM-së dhe shpurës së tij.