Isa Rekaj: Arsimi cilësor – sfidë për mësuesit dhe qeverinë

307
Sigal

Fillimi i këtij shekulli, me të vërtetën se rritja ekonomike vjen nga cilësia e informacionit dhe cilësia e informacionit varet nga cilësia e arsimit, jo vetëm që e bën arsimin prioritet, por edhe i jep fund dualizmit shekullor ekonomi – arsim në favor të arsimit. Prandaj organizma ndërkombëtarë e qeveri kanë hartuar agjenda e strategji, kanë bërë plane e vendosur objektiva si dhe nxjerrë vendime për të ardhmen me qendër arsimin. Edhe në alarmin e dhënë për ta shpëtuar planetin tonë nga katastrofat natyrore kërkohet një botë e re. Dhe bota e re vjen nga një qytetar i ri dhe qytatari i ri vjen nga edukimi, ku peshën kryesore e mban shkolla, mësuesi. OKB me Agjendën 2030 “Për një Zhvillim të Qëndrueshëm, njërin nga objektivat kryesorë ka përmbushjen e arsimit cilësor”. Në këtë kuadër edhe Qeveria Shqiptare hartoi Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021 – 2026. Strategji ku pasi bëhet një vlerësim i gjendjes së sotme, përshkruhet edhe çfarë duhet bërë. Nga vlerësimet e brendshme e të jashtme, kombëtare e ndërkombëtare dhe nga përshkrimi i vetë qeverisë rezulton se kemi shumë probleme me arsimin e në veçanti me cilësinë e tij. Sot cilësia e arsimit është e matshme. Mjafton të vlerësojmë tri shtyllat ku ai mbështetet: a) Mësimdhënia cilësore b) Mjete mësimore cilësore për mësimdhënie c) Ambiente të përshtatshme për mësimdhënie e nxënie.

Nga vlerësimet e brendshme e të jashtme, kombëtare e ndërkombëtare dhe nga përshkrimi i vetë qeverisë rezulton se kemi shumë probleme me arsimin e në veçanti me cilësinë e tij.

Mësimdhënia cilësore realizohet nga mësuesi, që për ta realizuar duhet të përmbushë në radhë të parë cilësitë e përshkruara tek Standardet e Përgjithshme të Mësuesit. Por kjo është e nevojshme, jo e mjaftueshme. Na duhet një mësues dinjitoz. E mësuesi është dinjitoz me pagë dinjitoze, transport në kushte normale për ata që punojnë larg vendbanimit. E për të arritur cilësinë e këtij fillim shekulli duhen parë me kujdes disa probleme që këtë vit: Numri i nxënësve për klasë duhet ulur. Vërtetë kemi shkolla me pak nxënës, por në zonat urbane numri i nxënësve është i lartë. Mbi 30 nxënës për klasë nuk ka cilësi. Nuk mund t’i dënojmë këta nxënës e mësues në zonat urbane për shkak të numrit shumë të ulët në zonat rurale. Ngarkesa mësimore duhet ulur përsëri. Këtë po bëjnë të gjithë vendet në kuadrin e cilësisë. Kërkesa e diskutuar kohë më parë për t’u zbritur me 5 orë në javë normën e mësuesve në 5 vitet e fundit të punës ka rol të rëndësishëm për këta mësues cilësorë, por sot të tejlodhur. Mund të japin kontribut në probleme të tjera që kanë shkollat. Drejtuesve të komisioneve lëndore, që drejtojnë cilësinë në shkollë natyrshëm u duhet reduktuar ngarkesa në mësimdhënie duke i ngarkuar edhe punën me nxënësit cilësorë, olimpiada etj. Përndyshe nuk do të punojë askush në këtë drejtim. Kurrikula dhe tekstet duhen parë. Që këtë vit matura duhet të zgjidhë problemin e shkencave të natyrës (Fizikë, Biologji, Kimi) dhe Histori – Gjeografi, që i përkasin kurrikulës me zgjedhje. Në kushtet e rënies së numrit të nxënësve, këto lëndë nuk zhvillohen fare në gjimnazet me numër të ulët nxënësish. E shkolla të tilla ka shumë. Mund t’i kalojnë kurrikulës bërthamë nëse nuk ka zgjidhje tjetër. “Bëjmë detyrat e shtëpisë” është nisma që do të zgjerohet në vazhdimësi. Ndoshta duhet një ndërthurje mësimdhënie – detyra që asnjë mësues të mos shkëputet nga mësimdhënia. Nuk duhet të harrojmë se pasojat e mangësitë që u krijuan në mësimdhënie e nxënie nga tërmeti, pandemia e ato që po vijnë për shkak të luftës kërkojnë vëmendje e angazhim të veçantë. E në gjithë këtë problematikë edhe menaxhimi i shkollës vazhdon të jetë një hallkë e dobët. Megjithëse kanë dëshmuar paaftësi në drejtimin e shkollave jo pak drejtues po përjetësohen nga shkolla e drejtorëve. Shkollat kanë domosdoshmëri një ambient miqësor, emocionues, frymëzues e argëtues, ku roli i drejtuesit është vendimtar. Indiferentizmi ndaj këtij problemi nga strukturat drejtuese të arsimit shkatërron gjithë procesin. Natyrshëm diskutimet me detaje që do të vazhdojnë deri në hapjen e vitit të ri shkollor, do të sjellin edhe shumë mendime e ide të dobishme. Në fakt nga përvoja e dëgjesave bërë dy vitet e fundit është arritur një sistemim mjaft serioz e i dobishëm i mësuesve në shërbim të cilësisë.

Nuk ka kuptim që shkollave t’u mungojnë mjetet e nevojshme mësimore dhe interneti. Të gjithë mësuesit mund të përdorin teknologjinë në mësimdhënie. Periudha e pandemisë e tregoi ketë. Trajnimi që përcakton ligji duhet të zhvillohet nën kujdesin e strukturave drejtuese të arsimit. Arsimi cilësor nuk shikohet më si privilegj, por si detyrim, i cili pa teknologjinë nuk arrihet

Ambientet për mësimdhënie e nxënie nuk përmbushin kërkesat e shkollës së sotme. Ky është shkaku që koha e qëndrimit të nxënësve në shkollë nuk përputhet me daljen e prindërve nga puna. Për këtë arsye jo pak nxënës janë larguar nga shkollat publike tek ato private. Kjo nuk duhet të jetë më nxitja e largimit të nxënësve drejt shkollave jopublike. Ky është një problem social. Do të thotë nuk ofrojmë arsimimin falas. Me fillimin e këtij viti, shkollat e dëmtuara nga tërmeti në Tiranë e Durrës do të jenë të gatshme të presin nxënësit. Dhe duke kryer detyrimet e tij edhe pushteti lokal si mirëmbajtjen, higjienën, ngohjen etj, koha e qëndrimit të nxënësve në shkollë do të rritet e mësuesit që sot na duken të tepërt, nesër nuk do të mjaftojnë. Siç duket tri shtyllat kanë domodoshmëri forcimin e tyre. Ky forcim kërkon një buxhet më të lartë. Duke shkuar sa më parë në nivelin e 5% në raport me prodhimin e brendshëm bruto, buxheti për arsimin do të krijojë hapësirat e mjaftueshme drejt funksionimit normal të tri shtyllave të arsimit cilësor. Dhe kjo duhet të arrihet brenda mandatit të kësaj qeverie. Çdo kalim i këtij afati do të jetë shumë vonë.

Duke i evidentuar problemet, diskutuar, shtruar për zgjidhje e angazhuar gjithë potencialin e burimeve njerëzore, ku secili përgjigjet për pozicionin e tij, çdo nxënësi pavarësisht ku jeton në territorin e Republikës së Shqipërisë mund t’i ofrohet arsim me një cilësi gjithnjë në rritje drejt asaj që kërkohet. Ndoshta shumë mësuesve do t’u duhet të punojnë në disa shkolla e në pozicione të ndryshme, por jo largimi i tyre, sepse kur të na nevojiten nuk do t’i gjejmë. Po punohet me kujdes e profesionalizëm për sistemimin e tyre që secili të jetë i dobishëm në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri. Mësimdhënia cilësore është sfida e këtij fillim shekulli për çdo mësues. Kjo sfidë është edhe për Qeverinë, e cila ka detyrimin: rritja e pagave, ambiente të përshtatshme pune, mjete mësimore për mësimdhënie dhe pastaj rritja e kërkesës për cilësi nga mësuesit.