Si mund të përfitojnë azil në Kanada shtetasit Shqiptarë

2008

Eksperti i emigracionit shpjegon kushtet që duhen plotësuar për t’u pranuar si azilant sipas ligjeve kanadeze. Punësimi gjatë shqyrtimit të aplikimit, provat e dokumentet që duhen dorëzuar dhe çfarë ndodh kur përdoret identiteti i rremë

Eksperti i emigracionit: Ligji i Kanadasë për azilin, kushtet e përfitimit, dokumentet shtetërore, aplikimi dhe kohëzgjatja e procedurës

Si përfitohet azili në Kanada për shtetasit shqiptarë

Avokati shqiptar në Montreal, Gjergji Hasa, thotë në një intervistë për Flasshqip.ca, se një qytetar që të përfitojë azil në Kanada, duhet të provojë me dokumente shtetërore nga policia dhe prokuroria që në vendin e tij nuk i garantohet jeta dhe siguria. Ai shpjegon se çfarë procedure ndiqet në rastet kur ka baza serioze për të aplikuar për azil dhe kohëzgjatjen e kësaj procedure.

Kohët e fundit, lajmet që vijnë nga Shqipëria flasin për një numër të madh qytetarësh të cilët aplikojnë për azil në vendet e BE-së. Çfarë baze ligjore ka Kanadaja për kërkesat e Azilit?

Immigration and Refugee Protection Act”, në nenin 96 jep përkufizimin se çfarë do të thotë refugjat dhe cilat janë kushtet që duhet të plotësojë ai. Sipas këtij neni, nëse e lexojmë me vëmendje, thuhet që një refugjat është një person i cili për shkak të një frike të justifikuar nga një persekutim për arsye të racës, të fesë, kombësisë, grupit social specifik ose për opinion politik e ka të pamundur që të marrë ndihmën e shtetit nga vjen ose shteti nga vjen e ka të pamundur për t’i ofruar ndihmë. Një nga principet bazë të kërkesës së refugjatit është që vendi i tij s’ka mundësi që t’i ofrojë mbrojtje dhe vendi ku kërkohet azil është një opsion i dytë për të marrë mbrojtje. Një tjetër pikë, e cila nuk artikulohet, por njihet si parim i Konventës për Refugjatët të OKB, është mungesa e mundësisë për të gjetur një strehë të sigurt brenda territorit të shtetit të tij dhe në rastet kur personi që kërkon azil nuk mund të marrë mbrojtjen nga shteti në të gjithë territorin e vendit (kjo quhet “the internal flight alternative”). Por ky është një rast për vende të mëdha gjeografikisht si Rusia, India, Kina dhe jo aq shumë për një vend të vogël si Shqipëria ku keqbërësi mund ta ketë të lehtë për të gjetur azilkërkuesin për shkak të zonës territoriale të vogël.

Cilat janë arsyet sipas legjislacionit kanadez për të pranuar një azilkërkues?

Legjislacioni kanadez që përmendëm më lart, është konform Konventës së Refugjatëve të OKB, dokument që është ratifikuar nga 145 shtete. Konventa është kthyer në ligj në Kanada përmes nenit 96 dhe 97 te “Immigration and Refugee Protection Act”. Siç e përmendëm edhe më lart, persekutimi për arsye të racës, të fesë, kombësisë, grupit social specifik ose për opinion politik, janë arsye për të kërkuar azil. Neni 97 flet për një person që i rrezikohet jeta arsye të tjera nga ato që përmenden në nenin 96. Këtu mund të futet për shembull një gazetar që i rrezikohet jeta nga një grup të cilit i janë prekur interesat nga puna e tij ose biznesmen që i rrezikohet jeta për shkak të pasurisë që ka dhe që të tjerët duan t’ja grabisin dhe shteti nuk do ose nuk mundet ti mbrojë.

Shqipëria renditet në vendet e sigurta prej disa vitesh dhe mundësia për të marrë azil është vështirësuar. Por a janë kushtet e vështira ekonomike, korrupsioni i lartë, një argument për ta përfituar azilin në një vend social si Kanadaja?

Vështirësia ekonomike apo korrupsioni i lartë në një shtet nuk janë arsye për të pranuar dikë si azilkërkues në Kanada. Vetëm ato kategori që përmendëm më sipër në nenet 96 dhe 97 të “Immigration and Refugee Protection Act” janë kategoritë për të kërkuar azil.

Çfarë informacioni ka Kanadaja për Shqipërinë, thënë ndryshe a kanë shanse qytetarët shqiptarë të kërkojnë azil në Kanada?

Burimi kryesor ku merr informacion një gjyqtar i emigracionit në lidhje me shtetin nga vjen një azilkërkues ndodhet në National Documentation Packages. Që nga viti 2012, disa herë në vit, ministria e Emigracionit e përditëson informacionin rreth Shqipërisë në të gjitha fushat që kanë lidhje me azilkërkuesit. Në sytë e ndërkombëtarëve është vënë re një ndryshim thelbësor që nga viti 2013 kur Shqipëria filloi të konsiderohet si vend i sigurt si dhe me pas u mor vendimi për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Disa burime informacioni, sidomos ato të United Kingdom Home Office e përshkruajnë policinë shqiptare si një institucion të gatshëm për të mbrojtur personat që i rrezikohet jeta. Gjyqtarët kanadezë kur përballen me një informacion të tillë, shpesh nuk kanë rrugë tjetër veçse të arrijnë në konkluzionin që mbrojtja e shtetit ekziston në Shqipëri. Dikujt që i rrezikohet jeta në Shqipëri, duhet patjetër të ketë prova që ka kërkuar ndihmën e policisë shqiptare dhe të prokurorisë dhe që këto dy institucione nuk kanë pasur mundësi ta mbrojnë. Në mungesë të një dokumentacioni të tillë, rriten mundësitë për një refuzim të mundshëm të kërkesës për azil në Kanada. Pjesa më e madhe e aplikimeve refuzohen në këtë pikë.

Po shqiptarët që ndodhen në Kanada, a mundet të aplikojnë për azil?

Ka dy mënyra ose me sponsorizim nga brenda Kanadasë, nga dy persona që ndodhen në Kebek, ose nëse janë jashtë Kebekut, duhen 5 vetë për të sponsorizuar një refugjat. Kjo procedurë përdoret shumë nga komuniteti Sirian dhe i Afganistanit. Më pas, ky person ftohet për një intervistë nga agjenti i emigracionit për të parë në qoftë se azilkërkuesi i plotëson kushtet e definicionit të azilit që përmendëm më lart. Pra, nëse është një person që ka vërtetë nevojë për mbrojtjen e Kanadasë. Mënyra e dytë është, në qoftë se një person ndodhet në Kanada dhe atij i rrezikohet jeta në Shqipëri, personi ka të drejtë të kërkojë azil në Kanada.

Çfarë procedure ndiqet në rastet kur qytetarët i plotësojnë kriteret e azilit?

Kur ndodhesh në Kanada, gjëja e parë që duhet bërë është plotësimi i katër formularëve dhe paraqitja e tyre te zyra e emigracionit përkatëse ku merren kërkesat e azilkërkuesve në çdo provincë. Në Kebek, nga data e kërkesës së azilit deri në datën e gjyqit, afatet aktuale janë mbi një vit. Ndërsa në disa provinca te tjera për të cilat kam informacion, kohëzgjatja është rreth 6 muaj për të kaluar shkallën e parë të procesit gjyqësor. Në Kebek kohëzgjatja është më e madhe pasi ka pasur një numër më të madh azilkërkuesish të ardhur nga Amerika, pas ardhjes në fuqi të administratës Trump. Në qoftë se kërkesa për azil në shkallën e parë refuzohet, është mundësia për ta apeluar te Refugee Appeal Division dhe në qoftë se përgjigjja është përsëri negative, mund të bëhet një apel tjetër përballë Gjykatës Federale. Në shkallën e parë të apelit, pra në Refugee Appeal Division çështja rishqyrtohet, ndërsa në shkallën e dytë të Apelit nga Gjykata Federale shihet vetëm në qoftë se shkalla e parë e Apelit ka bërë ndonjë gabim. Në qoftë se llogarisim këtu edhe kohën e këtyre dy apeleve atëherë koha e procedurave të azilkërkuesit në Kebek mund të kalojë 2 vjet e gjysëm.

Gjatë kohës që azilkërkuesi ndjek procedurat gjyqësore, çfarë mund të bëjë ai?

Gjatë periudhës që dosja e azilkërkuesit është në shqyrtim, personit i jepet një leje pune e hapur dhe ka të drejtë të punojë ku të gjejë punë. Lejet e punës për azilkërkuesit jepen në një kohë rekord, zakonisht brenda 6 javëve, sepse kanë interes që azilkërkuesit të punojnë dhe mos të varen nga asistenca sociale.

Shumica e azilkërkuesve shqiptarë vijnë në Kanada me identitet të rremë. Çfarë ndodh në këto raste?

Këta persona do të arrestohen po u kapën duke tentuar të hyjnë në Kanada me identitet të rremë dhe nuk do të lirohen deri kur policia kufitare të jetë e bindur për identitetin e vërtetë të azilkërkuesit. Mund të bëhen javë ose muaj burg deri sa azilkërkuesi të ketë mundësi të sjellë pasaportën dhe policia kufitare të jetë bindur për identitetin e personit. Policia kufitare ka të drejtë të arrestojë dikë në qoftë se personi në fjalë ka një dosje kriminale dhe mund të sjellë rrezik për kanadezët, ka arsye të besojë që nuk do të respektojë ligjet e emigracionit kanadez, apo nuk mund të vërtetojë identitetin e tij. Që nga ky moment, personi ka të drejtë të marrë një avokat që të mundësojë lirimin sa më shpejt dhe më pas ta përfaqësojë denjësisht në procedurat gjyqësore të kërkesës për azil. Në qoftë se kërkesa për azil refuzohet, personit i jepet deportimi dhe ligjërisht ai duhet të largohet nga Kanadaja. Megjithatë, atyre që kanë ndërtuar një familje në Kanada ose, nëse kane arsye humanitare për të qëndruar në Kanada, autoritetet e emigracionit mund t’ju japin një mundësi të qëndrojnë me familjen e tyre./ Flasshqip.ca 

Gjatë periudhës që dosja e azilkërkuesit është në shqyrtim, personit i jepet një leje pune e hapur dhe ka të drejtë të punojë ku të gjejë punë. Lejet e punës jepen zakonisht brenda 6 javëve, sepse shteti ka interes që azilkërkuesit të punojnë dhe mos të varen nga asistenca sociale

Ka dy mënyra që shqiptarët që ndodhen në Kanada të marrin azil: ose me sponsorizim nga brenda Kanadasë, nga dy persona që ndodhen në Kebek ose, nëse janë jashtë Kebekut, duhen 5 vetë për të sponsorizuar një refugjat