Kryeson Kaçe, njihuni me futbollistët më të paguar në Kategorinë Superiore

925
Sigal

Të jesh futbollist në Shqipëri, mund të konsiderohet si një punë primare për shumicën e lojtarëve. Shpeshherë flitet se sa paguajnë ekipet për futbollistët në Shqipëri apo kush paguhet më shumë. Në lidhje me këtë kemi listuar 10 “milionerët” e Superiores, më saktë, lojtarët më të paguar nëpër skuadrat e tyre respektive.

Në majë qëndron Ergys Kaçe i Partizanit. Mesfushori i cili ka qenë edhe pjesë e Kombëtares shqiptare, erdhi këtë sezon te të kuqtë duke firmosur një kontratë për 12 mijë euro në muaj dhe aktualisht është lojtari më i paguar në Shqipëri. Në vendin e dytë listohet Taulant Seferi që është pjesë e skuadrës së Tiranës. Sulmuesi, i cili i kthye nga skuadra zvicerane e Jang Bojs për të veshur ngjyrat bardheblu, përfiton 10 mijë e 500 euro në muaj. Podiumin e mbyll Liridon Latifi i Vllaznisë, që merr 10 mijë euro në muaj.

Pas tyre vijojmë me skuadrën e Dinamos, që paguan Agim Ibrahimin me një rrogë prej 8 mijë eurosh. Fantazisti ka një karrierë të pasur duke u aktivizuar edhe me ekipe si Kaljari, Maribori apo Shkëndija. Vendin e pestë e zë Koubemba. Sulmuesi paguhet 5 mijë e 500 euro në muaj nga skuadra kampione ne fuqi, Teuta. Vazhdojmë me vendin e gjashtë të cilin e mban kapiteni Bruno Telushi, që përfiton 5 mijë euro në muaj nga skuadra e Egnatias e cila është e sapongjitur në Superiore.

Pas tij vjen kapiteni i Kukësit, Gjelbrim Taipi, i cili paguhet nga Kukësi 4 mijë e 500 euro dhe poshtë tij renditet sulmuesi i Laçit, Saliu Guindo, që përfiton 4 mijë euro në muaj. Listën e mbyllin Vangjel Zguro dhe kroati Damir Gërgiç. Mbrojtësi anësor i Skënderbeut është më i paguari te korçarët dhe përfiton 2.5 mijë euro në muaj.

Ndërsa i fundit është mbrojtësi Gërgiç, i cili duhet ta theksojmë që nuk është më pjesë e Kastriotit sepse ka prishur kontratën e cila i sillte atij një shumë prej 2 mijë e 500 eurosh në muaj.