Ramazan Çeka: Risitë e Ahengut Shkodran 2021

711
Sigal

Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” organizoi edicionin e 9-të të koncertit madhështor

Zemra ju këndoftë artistë të nderuar shkodranë

Të flasësh për Ahengun Shkodran, ta pasqyrosh atë, jo si një studim, por si një aktivitet real që tashmë, prej nëntë vitesh, ka dhe një datë të caktuar celebrimi para artdashësve shkodranë, është jo vetëm përgjegjësi, por edhe kënaqësi e madhe. Do duhet të bëhesh pjesë e tij, qoftë edhe si spektator, që të kuptosh se sa të shumta janë veçoritë dhe vlerat që mbart dhe bën të paarritshëm këtë aktivitet. Ky aktivitet, tashmë i përvitshëm mirëpritet tamam si ato dasmat motit, që kishin një datë të caktuar, ku të gjithë përgatiteshin muaj të tërë për ta përjetuar atë me të gjitha detajet e gëzimit dhe të dëfrimit. E tillë është edhe nata e “Ahengut Shkodran” koncertit popullor që zhvillohet çdo 29 shtator dhe përkon me Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, çka vazhdimisht ka nxitur interesin e qytetarëve dhe institucioneve për t’u parapërgatitur sa më denjësisht, tamam si familjet shkodrane për natën e dasmorëve. Në këtë dasëm të improvizuar me perlat e këngëve qytetare shkodrane, inskenuar në një oborr të mrekullueshëm ku kundërmojnë luleborat, karafilët e trëndafilat, ku banesa me shkallët e ngurta, çardaku, pusi me çikrik rrethuar nga avllitë e larta me gurë Kiri, të kujtojnë edhe djepin ku lindën e u rritën këto pasuri shpirtërore të një qyteti.

Për të gjithë ata që nuk e dinë, se zanafilla e vërtetë lidhet pikërisht me ritet e dasmës, të cilat në qytetin e Shkodrës ishin unike në llojin e vet, sado që edhe krahinat përrreth kishin karakteristika mjaft të ngjashme me ritet e “Ahengut Shkodran”, pasi siç thonë, folklori nuk lejon dhe as nuk njeh kufinj. Sipas etnologëve “Ahengu Shkodran” ka lindur që në kohën e Bushatllinjve pra, para më shumë se 200 viteve, ku për atë kohë lindi si një risi dukurish të cilivizimit qytetar për t’u kultivuar më pas me një fanatizëm të pashoq duke ruajtur deri në detaje ritet e dasmës së vjetër shkodrane. Edhe sot e kësaj dite të ngjan me një koncert të mirëorganizuar, i cili në vetvete ka gjetur edhe përshtatjen e këngëve dhe valleve  sipas kohës ditore kur dasma kryen ritet e veta, që nga sabahu deri në aksham (mëngjesi deri në mbrëmje) Ahengu shkodran, që nga lindja e tij ka qenë dhe është një institucion artistik e kulturor i përbërë nga poetë, kompozitorë instrumentistë e këngëtarë, të cilët jo vetëm arrijnë të ruajnë vlerat e tij që nga krijimi, por edhe t’i kultivojnë e trashëgojnë në breza.

Ruajnë dhe interpretojnë motivet e vjetra

Prandaj “Ahengu Shkodran” është gjithmonë vital e i kristaltë si një burim me ujë të kristaltë që nuk shterron kurrë. Muzikantët dhe këngëtarët ruajnë dhe interpretojnë motivet e vjetra të këngëve dhe valleve më të hershme, por njëkohësisht krijojnë edhe këngë të reja, brez pas brezi gjithnjë duke ruajtur karakteristikat që lejon ky institucion. E veçanta e kësaj pasurie të paçmueshme është se ajo nuk është pasuri e një grupi muzikantësh, por e mbarë një qyteti që është një ansambël i madh artistik dhe njëkohësisht edhe memoria e albumit artistik të “Ahengut Shkodran” në shekuj. Në dasma e gëzime të gjithë shkodranët këndojnë e dëfrejnë duke i shoqëruar ato me vallet tradicionale palë-palë, me tematika epike, lirike, por edhe satirike ku spikasin edhe rrobat e bukura me vlera unikale. Më lart u shpreha se në këtë shkrim nuk do të merrem me studimin e “Ahengut Shkodran” pasi është një temë shumë e gjërë, por kur pasqyron një aktivitet të tillë nuk ke nga t’i ikësh pak edhe kësaj fushe. Kështu pra më 29 shtator, datë që përkon me Ditën Kombëtare të Trashëgimisë kulturore, në një mbrëmje të freskët të fillimvjeshtës nga Qendra Kulturore “Pjetër Gaci” u organizua edicioni i 9-të i koncertit madhështor “Ahengu Shkodran” në bashkëpunim me Muzeun Historik të Shkodrës dhe me mbështetje të Bashkisë Shkodër.

Organizimi me pasion e profesionalizëm është një obligim ndaj kësaj pasurie, që ca vite më parë me të drejtë u etiketua si një ndër shtatë kryeveprat e trashëgimisë kulturore kombëtare, pasi ai mban gjallë një krijimtari të paçmueshme: mban gjallë dashurinë, respektin dhe memorien ndaj gjithë kësaj game kulturore të pastër dhe origjinale, që nxit brezat ta ruajnë, trashëgojnë dhe ta kultivojnë edhe nëpër gëzimet familjare. Veç kësaj kjo festë” nxit kultivimin e artit popullor ku hyjnë ritet shpirtërore, këngë e valle që i aplikojnë duke i gërshetuar edhe me artizanin e punës me dorë nga veshjet tek instrumentat e më gjerë. Edhe në këtë edicion nën drejtimin e udhëheqësit artistik z.Bardhyl Hysa, drejtuesit muzikor Ilir Zoga, moderatores Gentiana Daka dhe koreografit Aldo Nika erdhën mjaft bukur interpretime këngësh të vjetra të kënduara me shumë dashuri nga zërat e rinj të këtij qyteti si: Eldis Arnjeti, Niki Mjeda, Klodiana Vata, Xhuli Pjetraj, Ademir Fresku, Glerdit Turmetaj, Klinsman Llazani, Bruna Sata, Megi Toma, Martina Serreqi, Ivan Tanushi, Adelina Correj, Laorjan Ejlli, Savjana Vjerdha, Rezarta Smaja, Blerta Cina, si dhe Leonard Guga.  Gërshetimi aq këndshëm e natyrshëm me mjeshtrat e këngës si Bujar Qamili, Grupi “Karaifilat”, valltarët dhe instrumentistët të veshur bukur me veshjet tradicionale, premton për vazhdimësi dhe rritje të sigurtë të këtij folklori në djepin e Kulturës Shkodrane. Lidhur me këtë vazhdimësi e pasurim organizatorët kishin menduar që një nga këngët pjesëmarrëse të Festivali “Luleborë” me titull “Për ty lule dhe këngë” me tekst të Ramazan Çekës, muzika nga maestro Zyhni Beqiraj e kënduar nga këngëtarja Bruna Sata, të ishte pjesë e “Ahengut Shkodran”. Orkestra e mrekullueshme që drejtohej nga mjeshtri Ilir Zoga i dha vlerë të jashtëzakonshme këtij koncerti. Oborri i shtëpisë karakteristike shkodrane të Oso Kukës, ishte i tejmbushur që një orë para se të fillonte koncerti, i cili ishte planifikuar për në orën 19.00. Spektatorët, si në një natë dasme të vërtetë kishin ardhur më herët për të gëzuar e dëfryer. Dhe ashtu ndodhi: këngët nuk u shoqëruan vetëm me duartrokitje, por edhe me korin e tyre të mrekullueshëm.