Profesorët pa “kokë”, studenti pa të drejta

497
Sigal

Projektligji për arsimin e lartë, akademiku Artan Fuga: Kontrolli dhe organizimi shtetëror i arsimit të lartë

Reforma në arsimin e lartë sipas Akademikut Artan Fuga devijoi nga një ide për reforma që bazohej te tregu, ekstremisht te tregu, te një model tjetër që bazohet ekstremisht te kontrolli dhe organizimi shtetëror i arsimit të lartë. Nëpërmjet lundrimit në faqen sociale të tij “Facebook” mëson se prof. Fuga ngre dilemën e origjinës së këtij projekti, porse i duket më shumë si model lindor. Sipas tij, ky draft nuk zgjidh problemin e falsitetit dhe zhvlerësimin e diplomave dhe çfarë është kryesore nuk zgjidh papunësinë e të rinjve. Gjithashtu, ai thekson “se ky projektligj ka shumë pak rregulla dhe norma për universitetet private, a thua se shteti do të merret vetëm me universitetet shtetërore. Kurse universitetet private do të kontrollohen vetëm së jashtmi nga ana e agjencive shtetërore”. Sipas Fugës, ky projektligj vendos rregulla, por nuk arrin qëllime konkrete.

Kontrolli i universitetit nga shteti

Sipas prof. Fugës, projektligji ndërton një burokraci shtetërore vertikale masive që kontrollon universitetet. Me dhjetëra e dhjetëra milionë lekë në muaj do t’i marrin buxhetit të shkollave të larta për të ushqyer këta nëpunës, gati pesë agjenci a gjashtë, plot me nëpunës, për kontroll. “Secila një ministri më vete, çfarë do të bëjë dikasteri? Sa ministrira do të kemi?” shtron ai pyetjet.

Kontrolli i cilësisë

Akademiku Fuga është skeptik për institucionin që do kontrollojë cilësinë e punës së pedagogut duke shtron pyetjen: Nëpunësi do të kontrollojë cilësinë e punës së pedagogut? Ndërsa përgjigjet po vetë: “Mirë do të ishte, por nuk e bën dot. E si do të vlerësohet veç cilësia e kërkimit shtetëror dhe veç cilësia e mësimit, kur s’ka mësimdhënie pa kërkim shkencor dhe anasjelltas. Një universitet të marrë dekoratë se ka bërë shkencë dhe të skualifikohet se nuk ka cilësi në mësim. Puna shkencore vlerësohet nga agjenci shtetërore, pra e humb pavarësinë e saj nga politika dhe nga shteti”.

Modeli i universitetit

Projektligji na jep një model klasik universitar si ai i viteve ’50, thotë Fuga. Me dekanate, rektorate, me fakultete të ndara e veç e veç, me lëndë e grupe lëndësh, ndërkohë, thekson ai, që jetojmë në epokën e ndërdisiplinaritetit, e diplomave të dyfishta e trefishta, e dijeve të kryqëzuara e mësimit nëpërmjet stazheve, e programeve Erazmus të mobilitetit. “Jemi apo nuk jemi më në hapësirën e Kartës së Bolonjës?!” pyet profesori. Sipas tij, vendin qendror duhet ta zerë profesori, jo nëpunësi, piramida duhet përmbysur e jo të jetë si ajo e një ushtrie në gjendje luftimi. Prof. Fuga ngre disa shqetësime porsa i takon profesoratit të universiteteve: Kush do e vlerësojë kualifikimin e profesoratit? Një komision prej tetë vetash në senat? Si do të mbulojnë këta fushat e dijes? Pse nuk krijohen këshilla profesorësh sipas rajoneve? I ngjashmi gjykohet nga të ngjashmit, ky është parimi.

Të drejtat studentore

Profesor Fuga shprehet se në projektligjin e arsimit të lartë, nuk gjejnë vendin e tyre të drejtat studentore. Studenti në qendër të procesit mësimor, të marrë pjesë në administrimin e universiteteve, në ndërtimin e kurrikulës, me anë të lëndëve me zgjedhje, me të drejta për të vazhduar studime të kryqëzuara, të ndërprera, etj..

Populizëm universitar

Projektligji i ri për arsimin e lartë u “pret kokën profesorëve”. Kjo, sepse sipas Fugës, hiqet Këshilli i Profesorëve të fakultetit. Kjo do të thotë, që tani e tutje nuk do të ketë kokë drejtuese shkencore asnjë fakultet. Profesorët të shkojnë “të fshijnë buzët” nëpër departamente, shprehet Fuga, ku sigurisht vota e tyre nuk peshon asnjë gram më shumë se ajo e një asistent pedagogu të ri, të sapoemëruar me kontratë të përkohshme. Kësaj i thonë populizëm universitar. Fuga e quan këtë, fyerjen dhe poshtërimin më të madh

të bërë ndonjëherë për hierarkinë universitare profesorale, duke bërë që fakultetet t’i drejtojnë vetëm nëpunësit e dekanateve. Që një pedagog të vlerësojë si cilësor një punim të tij, për shembull, i duhet që :

1. Të bindë drejtuesin e vet shkencor.

2. Të bindë shefin e grupit të kërkimit shkencor.

3. Të bindë shefin e departamentit.

4. Të bindë dekanin.

5. Të bindë 8-shen që vlerëson punimet në Senat.

6. Të bindë kryetarin e agjencisë të financimit të kërkimit shkencor.

7. Të bindë kryetarin e agjencisë të vlerësimit të cilësisë të mësimdhënies.

8. Të bindë kryetarin e agjencisë të akreditimit.

9. Të bindë kryetarin e bashkisë (sepse edhe bashkitë do fusin hundët tani nëpër universitete)

10. Të bindë administratorin e universitetit që t’i japë ndonjë lek.

11. Të bindë drejtorin e ndonjë shtëpie botuese, ku do ta botojë.

12. Të bindë bordin shkencor të ndonjë reviste.

Ky është vertikaliteti i drejtimit të universiteteve. Duhet të të kalojë jeta duke bindur njërin dhe tjetrin, duke iu servilosur njërit dhe tjetrit, që të të aprovojë studimin.