Shkurte Fejza, zëri i kombit të vet, këngëtarja e lirisë, pavarësisë…  

1174
Sigal

Dyzet vjet, përmes një mbrëmje gala dhe një album “Për mëmëdhenë”

 Në Sheshin 21- Prishtinë, në mbrëmjen e 30 tetorit 2014,  ka qenë  dëshmitare se, si kënga që vjen prej shpirtit të popullit e prej tharmit të vendit e kombit tënd mund të bëjë çudi…

Ardhka një çast që pikërisht kënga mund të krijojë një mbretëri ku mund të mbretërosh e të shfaqesh  si zonjë e madhe. Shkurte Fejza, këngëtarja e mirënjohur kosovare, e pati këtë privilegj këtë fund tetori, kur  në Prishtinë, mblodhi nga të gjitha trevat shqiptare miqtë e saj të këngës për të ndarë me ta 40 vitet e karrierës artistike. 40 vite, një jetë e tërë me këngën e për këngën e bukur shqipe. Për këngën popullore të përpunuar aq mjeshtërisht nga duar kompozitorësh që njohin e ruajnë me fanatizëm melosin, por edhe shpirtëroren e trojeve shqiptare. E tha mirë kolegu i saj, këngëtari tjetër i shquar kosovar Ilir Shaqiri: nëse ka një këngëtar që meriton njëherësh emrin e lirisë,shqiptarisë dhe Kombit, kjo është Shkurte Fejza…

Ndaj ata që e nderuan atë mbrëmje në koncertin e jashtëzakonshëm gala ishin ndër personalitetet më të zëshëm të artit e kulturës, këngëtarë, kompozitorë, bashkëpunëtorë të shumtë nga të gjitha anët… Nga Kosova por edhe nga Shqipëria e treva të tjera ku rrojnë shqiptarë. Si pjesë e koncertit që shoqëroi mbrëmjen gala, grupi folklorik “Bilbili” i Vlorës, me këngën polifonike kushtuar kësaj këngëtareje të madhe shqiptare, u përcoll me duartrokitje të pandërprera.

Hymn për Shkurten – do ta cilësonte burri i madh i Kosovës, Adem Demaçi, këngën me iso të jugut.

Duket sikur të gjithë po thonë: Faleminderit  Shkurte Fejza për kënaqësinë që na dhe por mbi të gjitha për këngën e bukur shqipe që e ke përcjellë me aq shpirt, pathos e dashuri duke mbetur  pa mëdyshje: zëri i trojeve shqiptare.

 Këngëtarja e lirisë, pavarësisë e Kombit        

 Shkurte Fejza 40 vjet – zëri i Kombit të vet. Kjo ishte okeljua e shkruar në posterin që shoqëronte aktivitetin e mbrëmjes gala në Prishtinë.

Dhe pikërisht në këtë fjali të mirëmenduar sintetizohet jo vetëm rruga por edhe trendi i këngës së Shkurte Fejzaj, ku  këngët për lirinë, pavarësinë, atdheun, heronjtë, luftëtarët dhe epopetë andej e këtej Drinit zënë vendin kryesor mes më shumë se katërqind këngëve të kënduara prej saj.

Askush tjetër nga këngëtarët shqip folës, në të shkuarën po edhe në të sotmen, nuk kanë mundur të këndojnë kaq shumë këngë , jo vetëm si numër por mbi të gjitha me kaq shumë nerv e dashuri për trinomin; liri, pavarësi, Komb.

Shkurte Fejza pa frikë mund të konsiderohet këngëtarja më e madhe e shqiptarisë dhe patriotizmës, një binom ky i pa ndarë asnjëherë, prej herës së pare që ka dale në skenë. Tridhjetë e pesë albume nuk janë pak kur mendon, hera- herës, kalvarin e mundimshëm të këngëtares ku, gati çerek shekulli, i është dashur të këndojë përmes gjurmimit të shkjive. Tregojnë se në vitin 1984, në radio Prishtina, prej votës së dëgjuesve fitoi  Mikrofonin e Artë, por drejtuesit serbë të radios nuk ja dorëzuan kurrë duke e burgosur çmimin që shkonte për një këngëtare të re shqiptare. Për këtë flet edhe një ngjarje në vitin 1991 kur  në bashkëpunim me kompozitorin e njohur nga Tropoja, Kolë Susaj, do të realizonin album “Për mëmëdhenë”. Për shkak se në Prishtinë pika e shumëzimit të kasetave ishte uzurpuar nga serbët detyrohen të shkojnë në Sarajevë  por gjatë rrugës së kthimit, policia serbe i konfiskon 30.000 audio kaseta. Bashkë me to edhe origjinalin, të cilin detyrohen ta realizojnë edhe një herë prej fillimit e këtë album ta regjistrojnë përsëri në vitin 1992, në Dyseldorf të Gjermanisë.

 “Ç’ke Kosovë që po lëshon za”

Në repertorin e jashtëzakonshëm të Shkurte Fejzës  gjen nga këngët më të arrira e më të fuqishme që njeh kënga popullore shqiptare, sidomos ato që përcjellin mesazhe të forta qëndrese e frymë lirie.

Këngë si “Ç’ke Kosovë që po lëshon za”, “Kosovë , Nëna ime”, “Mbahu Nëno mos ki frikë”, “Xhamadani vija-vija”, “E kam emrin kosovar”, “Jo nuk ndalet Mitrovica”, “Shqiptari të dua”, “Këngë për Adem Jasharin”, “ Kuvendi i Junikut” e deri tek kënga “Ëndrra shekullore” që i kushtohet 100- vjetorit të Pavarësisë Kombëtare janë të mjafta për ta përcaktuar pa hezitim Shkurte Fejzajn si zërin e Kombit të vet. Siç tregon vetë këngëtarja, për herë të parë në Shqipëri ajo ka ardhur në vitin 1992, moment që lidhet edhe me realizimin e këngës e kthyer në hit për më shumë se dy dekada në të gjitha trojet shqiptare të njohur për të gjithë me emrin “Xhamadani vija-vija”, realizuar në bashkëpunim me shkodranët Zef Çoba e Alfred Çapaliku. Shkurte Fejza lirinë dhe mëvetësinë e Kosovës e ka përjetuar edhe si plotësim të ëndrrës së saj për të bashkuar zërin me artistët e tokës amë. Këtë e tregon edhe atashimi i këngëtares  pranë  Ansamblit  Kombëtar  të Këngëve dhe Valleve të Shqipërisë dhe pjesëmarrja në Festivalin Botëror të Folklorit në Karolinën Veriore në SHBA në vitin 1994, ku shpërblehet edhe me Çmimin Special të festivalit. Po Shkurte Fejza nuk është thjesht një këngëtare  “laboratori” apo prodhim i studiove elektronike që nxjerrin këngë. Gjurmët e saj skenikë, zëri i saj sa melodioz aq edhe epiko-lirik janë ndjerë fuqishëm nëpër shumë skena e sheshe të qyteteve të Gjermanisë, Zvicrës, Belgjikës, Danimarkës, Suedisë, Norvegjisë, Austrisë, Anglisë, Italisë, Kanadasë, Australisë dhe SHBA-së, duke shënuar qindra e qindra koncerte.

Dimensioni human është një tjetër cilësi e këngëtares së madhe. Dhjetëra koncerte humanitare në Kosovë e jashtë saj flasin më së miri për këtë vlerë të shtuar të këtij personaliteti artistik. Fakti që në mbrëmjen gala të kremtimit të dyzetë vjetorit të saj në skenë, mes shumë të tjerëve që përshëndetën këngëtaren, u duartrokit gjatë drejtuesi i shoqatës së personave me aftësi të kufizuara, është treguesi më kuptimplot i shpirtit të saj sa artistik aq dhe njerëzor e human.

Këngëtare e madhe me bashkëpunëtorë të mëdhenj…

Gjatë koncertit kushtuar rrugës  dyzetëvjet vjeçare të këngës së Shkurte Fejzaj, vetë këngëtarja, disa herë “ndalonte” për të prezantuar e falënderuar shumë prej bashkëpunëtorëve të saj në vite. Gati u falej atyre që me fjalën dhe vijën melodike të krijuara përmes pentagramesh i kishin dhënë mundësi vokalit të saj të realizonte këngët e adhuruara, të shumtat ngjizur përmes melosit të këngëve më të mira burimore nga çdo anë e Shqipërisë etnike, prej jugut në veri.

Dhe për të qenë i saktë të duhet të shënosh në bllokun e shënimeve emra të tillë kompozitorësh si: Pjetër Gaci, Zef Çoba, Kolë Susaj, Edmond Zhulali, Naim Gjoshi, Përparim Tomçini, Aleksandër Peqi, Naim Krasniqi, Xhevdet Gashi, Burim Krasniqi, Valton Beqiri, Ylber Asllani, Bekim Bislimi, Demir Krasniqi, Bekim Lumi etj.. Apo më tej autorë tekstesh si Ismail Kadare, Dritero Agolli, Xhevahir Spahiu, Hamit Aliaj, Naim Plaku, Gjok Beci, Ymer Shkreli, Faruk Tasholli, Naime Beqirajt, Bekim Bislimit, Bekim Lumit, Fatmir Muja e shumë të tjerë pa harruar edhe krijime nga rilindësit  Naim Frashëri, Gjergj Fishta etj..

Bilbilat e polifonisë për Bilbilin e këngës shqipe…   

 Shkurte Fejza cilësohet edhe si bilbil i këngës shqipe dhe pa asnjë dyshim ajo qëndron me shumë dinjitet krahas emrit të të papërsëritshmes Nexhmie Pagarusha, të magjishmes këngëtare shqiptare, simotër e Vaçe Zelës tonë të madhe. U ndjeva thellësisht i privilegjuar që në koncertin gala të ideuar bukur si një rrugëtim në karrierën e këngës dyzetvjeçare të këngëtares, mes shumë artistësh e këngëtarësh të ardhur për të nderuar artisten e madhe si veteranët Ismet Peja e Shahindere Berlajolli e më tej Ilir Shaqiri, Ismet Bexheti, Shyhrete Behluli,  Violeta Zefi, Bujar Qamili, Remzije Osmani, motrat Mustafa, Mahmut Ferati, Vjollca Buqaj, Violeta Kajtazi, LORI, Edona LLalloshi, Aferdita Demaku, Naxhije Fejza, Violeta Kukaj, Skender Hasi, Rovena Stefa, Nysret Muqiqi, Merita Spahiu etj., u gjend edhe Grupi Folklorik “Bilbili” i Vlorës. Si i ftuar në këtë event të rëndësishëm kulturor por edhe si drejtues i grupit nga Vlora mu desh që si përshëndetje të them vetëm dy fjalë: nuk mund të mungonte prezenca e Vlorës në këtë event të madh të këngëtares së madhe mbasi as Shkurte Fejza nuk i ka munguar Vlorës. Prezenca e saj në festivale Folku e mbi të gjitha kënga e saj në koncertin jubilar të 100- vjetorit të Pavarësisë flasin shumë për lidhjet e saj me këtë qytet sa historik aq edhe kulturëdashës. Pastaj kënga polifonike me iso e dufe Labërie pushtoi sallën duke bërë që të pranishmit, njerëz të shumtë të artit, kulturës e jetës publike të Kosovës e trevave të tjera shqiptare të shpërthejnë në duartrokitje.

Në Kosovë kemi ardhë,

Nga Vlora me det e valë.

Nga Vlora e Kombit tonë,

Me Flamur e me shqiponjë.

Nga ballkoni Ismailit,

Në kullën e Boletinit.

Kemi ardhë të urojmë,

Princeshën e këngës tonë.

Shkurte Fejza, këngëtare,

Dyzet vjet me këngë- zjarre.

Dyzet vjet me këngë në gojë,

Si bilbil e si shqiponjë.

Këngë malli, këng’ lirie,

Këngë Kombi, Shqipërie.

Zëri trojeve shqiptare,

Shkurte Fejza, këngëtare.

Kështu kënduan vlonjatët atë mbrëmje të madhe kënge për këngëtaren e këngës së bukur shqipe, Mjeshtren e madhe.

 Kjo është Shkurte Fejza, këngëtarja e dashur dhe shumë e adhuruar e trojeve shqiptare.

 

 Si epilog, Shkurta falënderon…

Zgjodha për ta mbyllur këtë shkrim për një nga këngëtaret më në zë të shqiptarëve sot, andej e këtej Drinit, mesazhin falënderues që këngëtarja e madhe Shkurte Fejza, e përcolli për miqtë e saj në rrjetin social Facebook:

Të dashur miq!

Pas një rruge të gjatë prej 40 vitesh me shumë punë dhe sakrifica erdhi një moment, kur duhej kurorëzuar të gjitha sukseset. Më 30 tetor 2014, në Sheshin 21-Tv21, së bashku me kolegët e mi këngëtarë, bashkëpunëtorët e mi kompozitor dhe poet , regjisor, shkrimtarë, studiues të folklorit dhe të kulturës shqiptare, artistë, aktor dhe veprimtarë të kulturës dhe letrave shqipe , me miq të mi nga e tërë Kosova, nga Struga, Dibra,Gostivari, Shkupi, nga Vlora, Tirana e Shkodra, nga Zvicra, Gjermania e Amerika që kishin ardhur enkas për të festuar këtë 40- vjetor me mua dhe familjen time e që atë mbrëmje ishim tok në Prishtinë.. Do të doja të kishim qenë bashkë ishim jo 300, e as tre mijë, por 3 milionë, por ja që nuk kishte vend më tepër për të gjithë. Këtë emocion të krijuar bashkë do ta përcjell përmes “Televizionit 21”  në ditët e ardhshme për tek Ju adhurues të këngës sime kudo që jeni sepse :  nëse unë kam qenë zëri juaj për 40 vite, ju keni qenë, jeni dhe do të mbeteni fuqia e shpirtit tim për të ngritur këngën shqipe në lartësinë dhe vendin që meriton.

 Sejmen GJOKOLI