Një orë ndryshe me nënkryetarin e Bashkisë së Lushnjës

    455
    Sigal

    Z. Gentin Nushi u përgjigjet pyetjeve të gjimnazistëve

    Për këtë intervistë ne zgjodhëm nënkryetarin e bashkisë së Lushnjës, zotin Gentian Nushi. Arsyeja e zgjedhjes sonë është për të na treguar pak më shumë nga jeta e tij dhe për të na rrëfyer të rejat për qytetin e Lushnjës.

     Z. Nushi, si fillim duam t’ju falënderojmë që pranuat të jepni një intervistë për ne. Meqenëse, intervista jonë zhvillohet për orën e letërsisë, a mund të na tregoni marrëdhënien tuaj me librat?

    Faleminderit ! Është kënaqësi e veçante për mua që t’u përgjigjem pyetjeve të maturantëve të gjimnazit “18 Tetori”. Të gjimnazit, që edhe mua më ka diplomuar, jam edhe unë prodhim e atij gjimnazi. Unë jam shumë i lidhur me letërsinë. E para, e kam pasur pasion. Unë vij nga një familje, ku të dy prindërit e mi janë mësues të Gjuhë-Letërsisë. Kështu që lidhja me letërsinë është shumë e veçantë. Unë kam një bibliotekë shumë të pasur në shtëpi, kuptohet, në moshën tuaj kam lexuar jashtëzakonisht shumë. Gjithashtu, kam qenë pjesë e të gjitha grupeve që kanë qenë në atë kohë; të recitimit, të tregimeve apo të Shtëpisë së Pionierit të kohës. Pra, letërsinë e kam pasur pasion dhe që t’iu them një sekret, letërsinë e kam pasur dhjetë absolute. Shkrimtari im i preferuar është Ismail Kadare. Komplet krijimtarinë e Kadaresë, të cilën e kam lexuar pothuajse të tërën, nuk e di për veprat e fundit, se, kuptohet, që jam shkëputur. Librin më të pëlqyer timin, unë do të veçoja “ Drerin e Trotuareve”.

     Dimë që i vogël keni marrë pjesë në filmin shqiptar “Fejesa e Blertës”. Si arritët të bëheni pjesë e këtij filmi?

    Këtu më keni zbuluar një sekret. Ju thashë që në fillim që unë isha pjesë e veprimtarisë së Shtëpisë së Pionierit ose Qendra Kulturore e Fëmijëve e cila është edhe sot. Nuk e di ndoshta fati, ndoshta diçka tjetër, rrugës, por që në moshën 6-vjeçare kam qenë i përzgjedhur në të gjitha rolet që luheshin në Estradën e Lushnjës të asaj kohe për fëmijë. Unë kam qenë fëmija që i ka luajtur të gjitha rolet e fëmijëve, kur kishte një fëmijë, kur kishte dy mund të vinte edhe një tjetër, sigurisht, që kjo ishte në kuadër të “shakasë”. Kur isha në kopësht më ka përzgjedhur një aktor i famshëm që quhet Robert Kamani për të luajtur rolin e Vitit të Ri. Pas këtij spektakli, aktori i famshëm Ilia Shyti më mori për të bërë kinoprovën në Tiranë, ku edhe u zgjodha. Më pas mora pjesë në disa telefilma. Njëra ishte “Myzeqeja sot”, para se të vinte ai filmi. Janë edhe dy telefilma të tjerë dhe më pas vjen pjesa e Estradës në Lushnje.

     Si ka qenë fëmijëria juaj? Si çdo fëmijë, çfarë keni dashur të bëheni, kur të rriteni?

    Kuptohet si të gjithë fëmijët e asaj kohe ëndrrat ishin të shumta. Ëndrra ime në sirtar ka qenë që unë të bëhesha aktor, por që u paralizua, pasi erdhën shumë ndryshime në kohë. Erdhën ndryshimet, fatmirësisht, apo fatkeqësisht dhe në vitin 1993, që unë kam mbaruar gjimnazin, ishte pikërisht koha, kur sapo kishte hyrë demokracia. Unë u mundova t’i përshtatesha ekonomisë së tregut.

      A keni dashur dashur gjithmonë të ishit pjesë e politikës? Si filloi karriera juaj në këtë fushë?

    Jo, përgjigja ime është jo. Nuk kam dashur të jem pjesë e politikës. Kam dashur të jem pjesë e politikave dhe jo e politikës. Unë kisha arritur më në fund të realizoja ëndrrën time, kisha biznesin tim i cili po shkonte shumë mirë dhe papritur një ditë ndryshoi komplet jeta ime. Një telefonatë më erdhi dhe më pyeti nëse doja të bëhesha kandidat për deputet. Nuk e di nëse gabova, por përgjigja ime ishte pozitive. Dhe ja ku jam sot. Pra nuk kam dashur të jem pjesë e politikës, por jeta ndryshoi gjithçka.

     Le të ndalemi pak në qytetin e Lushnjës, ku, aktualisht, jeni nënkryetar i Bashkisë. Cilat janë projektet e reja për qytetin tonë?

    Unë do të përmendja me kënaqësi disa projekte, pasi janë shumë. Një nga këto projekte është ai i Pedonales, shumë i dobishëm për qytetarët lushnjarë, pasi një rrugë për biçikletat në krah është shumë e mirë dhe shumë e prekshme, sepse unë për vete, po edhe ju mund të keni vënë re që qytetarët lushnjarë ndjekin ecje sportive. Doja të sqaroja dhe një gjë, që këto nuk janë paratë e taksapaguesve lushnjarë. Këto janë para që ne i kemi fituar nga projekte. Investim tjetër po bëhet në Savër, ku po ndërtohen 20 banesa të reja për komunitetin rom. Fatmirësisht, ka ardhur edhe vendimi i qeverisë, qe një pjesë e spitalit, me një projekt nga USAID, ta kthejmë në një qendër ditore për fëmijët në nevojë. Këta fëmijë do të shkojnë në një kopsht, ku do të kenë kujdesin e psikologëve dhe mjekëve. Kjo gjë praktikohej gati në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe pas këmbënguljes sonë për 3 vjet, në ndikimin e qeverisë, arritëm që këtë projekt ta sjellim dhe në qytetin e Lushnjës.

     Intervistuan: Ixhena Hajdari Vilma Rista Anxhela Linatopi, Debora Halilaj, Klea Begolli, Jorgji Xhunga, Klaudia Mino