…Sapo zëmë në gojë emrin “Divjakë”, kujtojmë pushimet, verën, plazhin e saj…dhe jo vetëm. Këto ditë, duke udhëtuar përgjatë rrugës automobilistike, përmes qytetit të Divjakës, e më tej, gjarpërimit të saj që ndan në dy pjesë pyllin e pishave…(Park kombëtar) e gjer në bregdet, të bie në sy një tjetër qëndrim ndaj mjedisit, ndaj mbetjeve, natyrës,…respekt për qytetarët. Me komoditetin e pastërtinë e rrugës, stolat e vendosur shesheve hije pishave, është krijuar një imazh pozitiv, i pranueshëm për syrin e çdo vizitori. Kryetari i Bashkisë së qytetit z. Fredi Kokoneshi, na tregon se përkujdesja e pushtetit vendor ka qenë që të krijohej një klimë mikpritëse, në shërbim të qytetarëve, por edhe gjithë turistëve, sepse tashmë, duam s’duam ne, Divjaka është qytet turistik i ri që ka ngjallur kureshtjen edhe të të huajve. Janë thjesht disa masa tekniko-organizative, sipas mundësive, vënia në praktikë e të cilave ka krijuar një klimë të ngrohtë dhe që të imponon rregull për një jetesë të kulturuar në komunitet. Janë bërë investime në akset rrugore të fshatrave, janë shtuar sipërfaqet e gjelbra dhe po punohet për zgjerimin e rrugës hyrëse nga qyteti për në plazh. Pastërtia dhe rregulli në një rrugëkalim janë ndjesia e parë që perceptohet përmes pamjes.
Pak histori
Divjaka njihet historikisht me këtë emër që në vitin 1431. Ndodhet në pjesën perëndimore të kodrave të Karatoprakut. Për etimologjinë e emrit aludohet se vjen nga fjala “Divija”-“Dy vija”: përroi i Rrëzës dhe ai i Murtajës…por që lidhet edhe me fjalën div, i madh. Divjaka sot ka një popullsi me mbi 12000 banorë, por me ndarjen e re administrative do të bëhet qendër e rëndësishme e bregdetit. Është një popullsi heterogjene. Këtu është zhvilluar edhe filmi “Pylli i lirisë”. Edhe artisti Kadri Roshi ka ardhur këtu për të interpretuar fabulat e Ferit Lamajt. Edhe shkrimtari Naum Prifti (tashmë në USA), ka punuar këtu. Divjakas ishte edhe djaloshi Vasil Shorja, që i ndiqte me vrap kuajt e egër dhe kur i lodhte, u hidhte lakun….Sipas të moshuarve fiset më të përmendura janë: Zakajt, Shkozët, Priftajt, Gjinajt, Kovët, Bitajt, Ndinajt, Prenajt, Gorrenjtë, Vodajt, Dhamot etj… Shkolla nëntëvjeçare mban emrin “Koli Sako”, kurse e mesmja “Miti Zaka”. Divjaka ka mjaft personalitete, intelektualë të fushave të ndryshme si: prof.dr. Kol Xoxi, Vangjel Todi, Kol Nikaj, Agim Rrëza, Gjergj Lala, Fredi Kokoneshi, Nikolla Lena, Koç Janku, Koli e Filip Rrudha, Josif Kruti, Jani Londo, Ristan Lala, Jani Vodo, Llazar Prifti dhe i biri Kol Prifti, Prokop Gorreja, Irakli Gorreja, Ristan Gorreja, Liri Lapi, Gori Ndini, Lena F.Janko,Vasil Shkoza, Lefteri Ndini, Naje Biti, Josif Rrudha, Todi Xharo, Laureta Shkoza, Miço Mone, Pilo Gixho, etj (më falni për hapësirën). Më bindshëm këtë e kemi patur në një muze të Divjakës, por muzeve u vumë kazmën… Shkolla shqipe është hapur më 1913. Familjet mbahen kryesisht me bujqësi dhe tregti. Mësuesi i shumëlavdëruar Kol Nikaj, e ka pasqyruar në një libër modest historikun e fshatit. Laz Lala ?…Ishte burri që shoqëroi patriotin Ismail Qemali në rrugëtimin për ngritjen e flamurit në Vlorë. Divjaka është çliruar më 17.09.1944. Ajo u bë qytet në vitin 20 janar 1995, kur i pari kryetar i saj u zgjodh z. Stavri Zaka. Shtëpitë e divjaksave janë të modeleve nga më të përzgjedhurat, kryesisht të ulëta apo tre-katër kate (edhe pse një nëntëkatësh po përfundon në mes të qytetit).Divjaka, me plot kuptimin e fjalës, është një qendër e prodhimit të perimeve, produktet e së cilës shpërndahen në shumë zona të vendit, madje dhe jashtë si: në Maqedoni, Kosovë, Mal të zi, Rumani etj. Janë njerëz shumë punëtorë divjakasit. Ka qenë një burrë këtu me emrin Dhimo Liko që e bëri Divjakën një ekonomi rentabël me kërkesa për banim nga mjaft rrethe. Toka e bekuar ua sjell pjekjen e perimeve më shpejt se çdo vend i republikës. Duhet të ndodhesh e të kalosh një natë në Divjakë që të përjetosh se si bëhet zgjimi dhe fillimi i punës nga banorët që pa gdhirë, duke i thirrur njëri-tjetrit dhe kështu fillon zhurma e lëvizjes së makinerive e njerëzve. Nisen me natë në punë e kthehen me natë. Qyteti merr gjallëri e mekanizimi nuk është tashmë një fasadë, por një realitet. Preferohen kudo prodhimet e Divjakës. Është krenari të vëresh përballjen e tyre me fatet e jetës. Tregu i shumicës i Divjakës është i përmendur në shkallë vendi dhe nis funksionin që me natë. Shikon aty makina me targa nga: Tirana, Berati, Durrësi, Kosova etj. Domatja, karota, trangulli, specat, rrepa, patatja, lulelakra, preshi, qepët, spinaqi etj… janë nga bimët më të kultivuarat. Është krijuar besueshmëri për prodhimet bio të Divjakës, prandaj ka një dyndje tek tregu i saj. Megjithatë e kanë një vërejtje prodhuesit e saj. “…nuk marr dot as lekët e farës së patates, na tha një tregtar që ende i mbante të paketuara në rrjeta neyloni patatet deri vonë. Tregtarët e shumicës na e kërkojnë badiava pataten…dhe e shesin në tregun e pakicës me dyfishin e çmimit duke i dhënë më tepër fitim tregtarit se sa prodhuesit. Dëgjoj shpesh herë se rregullator të tregut është çmimi, por më duket se kjo po kthehet lojë fjalësh. Ka qenë disa herë këtu zoti ministër i Bujqësisë, por mbetemi në pritje që të zgjidhen disa probleme që lidhen me koston e prodhimit”.Divjaka ka edhe një privilegj, sepse prodhimet e tyre i thith edhe frigoriferi që ndodhet këtu pranë.
Divjaka “për të mirë”
Nëse do të pyesnim se për çfarë të mirash mbahet mend Divjaka, nga goja e Stavri Zakës, do të merrnin si përgjigje : “…Divjaka ka lënë në altarin e lirisë mjaft nga djemtë më të mirë. Divjaka quhet vendi që s’njeh moshë pune. Është e rëndësishme që edhe rinia është e lidhur ngushtë me punën…Bizneset i kanë dhënë një fytyrë të re qytetit. Divjaka quhet qytet i prodhimeve të para shqiptare, vendi i plazhit të virgjër, i pyllit të pishave, (mushkëritë natyrore të qytetit), si vendi i rritjes së fazanëve e pelikanit…(njohur nga UNESKO)…vendi i peshkut të freskët si i xhirimit të filmit “Pylli i lirisë”, i demave të egër… i buallicave dhe mbi të gjitha i njerëzve punëtorë, të dashur, mikpritës e bujarë. Parku kombëtar ruhet nga shteti e nuk e prek askush. Sigurisht ka edhe një skuadër kujdestarësh roje për t’i dalë përpara çdo të papriture. Mëma e bimëve shumëvjeçare të pyllit është “Pisha” 400 vjeçare, një monument natyre e cila frymon në qerpikë halash vitet e pleqërisë së rëndë edhe pse stërgjyshe, e dashur, që pret e përcjell sa e sa mysafirë që i japin kurajo të jetojë me prekjen e trungut apo tek dalin foto pranë saj. Duke ecur përmes pyllit, diku ndeshesh edhe me një rrjetë teli me gjemba, që tregon se brenda në pyll ndalohet qarkullimi, ndalohet të gjuash. Flora dhe fauna e Divjakës është një pasuri e rrallë”.
Arumunët e Divjakës
Duka, Pio, Qoqi, Buli, Simaku, Gixho, Gjeci, Bashuri…janë disa nga fiset arumune, ndër të parët e Divjakës. Në harkun kohor 1910-1945 u vendosën edhe fiset:Xhavo, Janku, Rrudho, Xoxe, Pope, Kruti, Lapi, Kokoneshi etj.. Dikur, Divjaka ishte një nyjë lidhëse e rrugës Egnatia mes Apollonisë e Durrahut. Këta përbëjnë një popullsi të kahershme të ardhur nga fshatrat fqinjë dhe kanë lidhur miqësi e krushqi me vendasit. Punëtorë të palodhur, burra e gra që u skuqet faqja kur flasin, njerëz fisnikë. Ndër fiset më të dëgjuara janë Kokoneshët. Bëjnë përpjekje të ruajnë gjuhën vllehe apo zakonet e tyre. I miri, mësuesi Koçi Janko, ka ngritur edhe një shkollë arumune. Ka afishur aty edhe albume e foto nga takimet e vizitat me ambasadorë rumunë në Shqipëri e shkëmbime kulturash nëpërmjet grupeve artistike të dy vendeve.
Divjaka për “keq”?
Nuk bën vaki të gjesh në cv-në e saj qoftë edhe një cen që ta përbaltte. Historikisht kjo. Por…janë disa ngjarje që të tjerët kanë dashur që t’i realizonin përmes tokës së Divjakës.Kanë shfrytëzuar terrenin e përshtatshëm që u krijon perdja e pyllit prej 1200 ha që s’të lë fushë pamjeje ta vëresh nga qyteti.Edhe në monizëm kanë ndodhur “të fshehta”…Ja ç’na tregon K. Biti, veterani i rojeve të pyllit të Divjakës në atë kohë: “Më kot përpiqen të na përlyejnë emrin…por të gjorët nuk dinë një gjë se uji detit i nxjerr në breg …nuk i pranon kalbësirat. Pislliqe janë bërë edhe nga shteti i mëparshëm. Sigurisht fshehurazi. Isha roje i pyllit në rininë time, tregon ai. Shikoja që në breg afrohej dhe largohej një anije peshkarexhe. E, po peshkatarë, mendoja, hallexhinj…Por një mëngjes, që pa gdhirë…u bëra ndihmës i kontrabandës shtetërore. Shkarkova pako paketa cigaresh me filtër, “Lux” si hamball, për të mëdhenjtë…dhe si shpërblim më dhanë “një zinxhir” për të qepur buzën dhe një paketë “Lux” që e pija fshehurazi,një cigare në ditë. Që asaj kohe më hyri krimbi dhe e mësova cigaren e s’m’u shqit nga buza”. Këtu, në pjesën më të izoluar ose siç quhet “Toka e vdekur”, zbriti edhe banda e Xhevdet Mustafës, me planin e saj…e pasi vrau disa njerëz, derisa shkoi në stacionin e trenit të Rrogozhinës…aty bëri “polmën”…dhe ra në gjurmë të sigurimit, sa u desh të përdorej tanku për ta bllokuar në një shtëpi, në Zhamë. Divjaka për keq?! Muaj më parë Divjaka u bë sërish emër i lakuar për hir të uljes “aksidentale” të aviatorit italian Riformato, i cili ngeci në rërë dhe nuk arriti të plotësonte “detyrën” e ngarkuar…Si konkluzion: As dje dhe as sot…asnjë djalë divjakas nuk është kompromentuar me pisllëqe të kësaj natyre. Kjo është e rëndësishme. Divjaka është e kristaltë, atë e kanë përdorur… siç mund ta përdorin edhe nesër,…por jo njeriun divjakas…
Divjaka e gjallesave të rralla
Buallicat e Divjakës janë një specie e rrallë që me kujdesin dhe mbështetjen e organizmave ndërkombëtare, rriten e vijnë duke u shtuar. Kanë roje, por më tepër rriten të lira në natyrë…me barishte … në kullota apo ftohen në vapë lerave të pyllit. U marrin qumështin dhe thonë se ai është shumë kurativ.
Demat?Për demat e Divjakës flitet gjithandej. Janë futur nga fshatarët në pyll në kohën e monizmit, kur ishte e ndaluar mbajtja e gjësë së gjallë në familje…dhe u bënë të egër. Por demi i egër ka qenë edhe para shumë e shumë viteve prezent në Godullën e saj. Fazanët (!) U futën në pyllin e Divjakës në monizëm me synimin që të shtoheshin. U morën masa sigurie, rrethimi, ushqimi, roje… dhe vizitorët i panë me sy këto gjallesa të rralla. Tani…(?) Pelikanët. Është një ishull në periferi të Divjakës jugore, pranë Karavastasë…që quhet ishulli i bukur i pelikanit kaçurrel.
Aeronautika në Divjakë
Ecim bregut të detit. Këto 4-5 dekadat e fundit është larguar deti nga bregu rreth 500-600 metra larg pishave. Siç edhe duhet të futesh 300-400 metra në ujë që të lahesh në thellësi. Njerëzit ngrenë kokën sipër e në qiell shikojnë manovrat e aeronautistëve që kërkojnë terren për të zbritur. Aeronautika shqiptare si duket ka tërhequr vëmendjen e aeronautistëve evropianë e kështu, ata po testojnë jo vetëm nivelin e pilotëve tanë…por do të organizojnë edhe një veprimtari spektakolare në Divjakë ditët e ardhme. Njëri nga pilotët tanë, Bedri Rusta dhe tre pilotë çek, zbritën duke tërhequr vëmendjen e gjithë vizitorëve. Piloti shqiptar tha se ata kanë ardhur këtu që nga Velipoja dhe ditët e ardhme do të bëjnë një spektakël në Divjakë për t’u nisur pastaj në jug të vendit tonë. Shqipëria për ne është një vend i mrekullueshëm, ende në zbulim, u shpreh një pilot cek.
Përballë gazetares së huaj
Pasdite, duke bërë xhiro në veri të plazhit u përballëm me një gazetare të huaj…Ndërsa unë, nisur nga predispozita dashamirëse, ndjenja e patriotizmit…e pasqyrimit të anëve pozitive…(që të thithim turistët…të nxjerrim në dukje vlerat e trevës etj…,) ajo po filmonte me një kamer të vogël familjare JVC “dunat” e mbeturinave të bregut tonë që i sjell Shkumbini dhe dallgët, sigurisht,do t’i nxjerrin në breg. E kishte ulur aq shumë kamerën në tokë që të dukeshin pirgjet si male në ekran. Dihet se kjo zonë veriore e plazhit nuk popullohet me pushues, sepse prurjet e Shkumbinit janë të mëdha. Ishte si të më hidhte në tokë gjithë këtë reportazh që e kisha nisur me qejf dhe dëshirë për të treguar punën e mirë, që ka nisur të bëhet për pastërtinë e gjithçka…Petraq Shandro do të më thoshte: “Këta të huajt shikojnë të gjejnë edhe qimen në qull. Ajo…patjetër një ditë do t’i “transmetojë” mbetjet lumore në ekranin e saj. Le të ndërgjegjësohemi pak më tepër…edhe ai banori i anës Shkumbinit që i hedh mbeturinat në lum. Gjithnjë, vetes, njëri-tjetrit, ia bëjmë të keqen. Pse ta degradojmë plazhin tonë të mrekullueshëm, rërën e kristaltë jodike dhe aromën e pishave që na ka dhuruar zoti?” Infrastruktura e plazhit, mbahet me kontributin e bizneseve. Ka vend për vërejtje? Rruga e qendrës së plazhit flet vet…ajo pret dorën e njeriut.“…Njerëzit janë si ujërat transparentë që “lënë të shihen papastërtitë në thellësinë e lumit të tyre” do të shprehej Nice.
…dhe e bukura Divjakë
Gjithsesi të tillë do t’ia lë titullin reportazhit “…dhe e bukura Divjakë” , varg i mësuesit patriot Naun Grigor Prifti (Doko), i cili që nga fshati Zharnec, ku ishte mësues, një shekull më parë, do të shkruante poezinë: Bukurinë që ka Zharneci/Nuk e ka dhe asnjë fshat/Shih q’aty si duket deti/dhe e bukura Divjakë…