105 vjet nga kongresi i gjuhës dhe shkollës shqipe

961
Sigal

Kongresi Kombëtar i Elbasanit, shpëtimi i gjuhës shqipe dhe vendimi për çeljen e shkollës Normale

Kongresi Kombëtar i mbajtur në Elbasan më 2-9 Shtator 1909, i njohur si “Kongresi i Elbasanit”, apo “Kongresi i shkollave shqipe”, përbën një ngjarje me rëndësi në historinë e arsimit, shkollës shqipe dhe kulturës kombëtare shqiptare. Studimet e kohës citojnë se, ai kongres la gjurmë dhe ndikoi si një aktivitet shqiptar, duke patur njëherazi karakter politik, arsimor e kulturor e kombëtar. Por kronologjikisht si kanë rrjedhur aspektet historike deri në mbajtjen e këtij kongresi, duke patur parasysh se ardhja e xhonturqve i gjeti shqiptarët mjaft aktivë. Shumë patriotë shqiptarë menduan se, me shpalljen e Kushtetutës (Korrik 1908), ishin krijuar kushtet për zhvillimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Fill pas shpalljes së Kushtetutës, u krijuan klube dhe shoqëri shqiptare kombëtare në qytetet kryesore të vendit dhe në disa qendra të perandorisë, ku banonim shqiptarë, të udhëhequr nga intelektualë. Qëllimi kryesor i klubeve ishte zhvillimi kulturor i popullit shqiptar. Në harkun kohor shtator – nëntor 1908 u ngritën 12 klube shqiptare, të cilët qenë mjaft aktivë: si në Manastir, Selanik, Korçë, Elbasan, Janinë, Gjirokastër, Berat, Vlorë, Filat, Starovë, Shkup, Stamboll. Dy muaj më pas numri i tyre shkoi në njëzet. Në pjesën veriore të vendit, për shkak të kushteve dhe rrethanave historike, ngritja e tyre qe më e vështirë. Në aktivitetin e programin e tyre, të paraqitur në statut, pavarësisht se thuhej se klubet nuk do të kishin qëllime politike, faktikisht ato u bënë qendra të aktivitetit politik të patriotëve. Edhe në Kongresin e Elbasanit, përfaqësuesit shqiptarë për arsye konjukturale, qenë të detyruara të miratonin rezolutën se “përzierja në çështje politike, të çdo lloji qoftë, është e ndaluar për gjithë klubet e shoqëritë…”. Në periudhën e parë të fitores së revolucionit, komiteti “Bashkim e Përparim” nuk i solli pengesa aktiviteteve të klubeve shqiptare, përkundrazi, i inkurajoi me shpresë se me ndihmën e tyre do ta shtinte lëvizjen shqiptare nën ndikimin e kontrollin e tij.

Po në këtë kohë shtypi u bë shumë aktiv. I lidhur ngushtë me klubet, ai propagandonte idetë e Lëvizjes Kombëtare. Ndër organet më të rëndësishme ishin: të Korçës, “Korça”, “Lidhja Ortodokse”, Manastirit “Bashkimi i Kombit”, Elbasanit “Tomorri”, Selanikut “Lirija”, Stambollit “Besa”, Shkodrës “Bashkimi “ etj.. Lëvizja Kombëtare në Shqipëri përkrahej edhe nga shtypi shqiptar në mërgim, si në Egjipt “Rrufeja”, “Shkreptima”, Sofje “Kalendari kombiar”, Bruksel “Albania”, ShBA “Dielli” etj. Në këtë kohë Lëvizja Kombëtare Shqiptare fitoi mundësinë të zhvillohej haptazi, të përdorte rrugët legale, për përhapjen e shkollave dhe të shkrimit shqip, për lëvrimin e mëtejshëm të kulturës kombëtare. Nuk ishte e rastit, që Elbasani u zgjodh si qyteti i punimeve të këtij Kongresi. Traditat patriotike arsimore e kulturore me figura të spikatura si Dhaskal Todri, Kostandin Kristoforidhi, etj., kishin rrezatuar dritën e diturisë në gjithë trevat shqiptare. Ai tanimë qe shndërruar në një qendër të rëndësishme të veprimtarive, jo vetëm politike, por dhe arsimore e kulturore. Nga disa të huaj Elbasani konsiderohet si “qyteti më i rëndësishëm në Shqipëri” . Në këtë kohë aty zhvillonin veprimtarinë disa klube e shoqëri patriotike. Elbasani, kishte tregues domethënës të një mjedisi intelektual të përparuar për kohën, i cili vinte si rrjedhojë e një akumulimi e kultivimi dhjetëra vjeçar me natyrë intelektuale psikologjike apo dhe institucionale. Historikisht ky qytet traditëvënës është prirur nga qytetërimi, por dhe që ka folur me gjuhën e qytetërimit. Por, xhonturqit nuk i mbajtën premtimet ndaj Shqiptarëve. Punimet e Kongresit nuk u mbajtën në datën e caktuar, për shkak të tensioneve të krijuara në Stamboll gjatë kësaj periudhe si dhe në pengesat që krijoi regjimi xhonturk për thirrjen e tij, duke iu druajtur problemeve me karakter politik, që mund të ngriheshin gjatë punimeve. Komisioni organizator vendosi që Kongresi të mbahej në fillim të muajit shtator. Ai i zhvilloi punimet më 2-9 shtator 1909, ku morën pjesë 35 përfaqësues nga 28 klube e shoqëri patriotike nga trojet shqiptare.

Ardhja e delegatëve të Kongresit

Ditën e 1 shtatorit delegatët arritën në Elbasan, ku i priti një atmosferë entuziaste nga populli i këtij qyteti dhe nga klubet “Bashkimi” e “Vëllazëria”. Për pjesëmarrjen e delegatëve na informojnë njoftimet e të ngarkuarve britanikë në Manastir: Konsulli W.S.Edmonds dhe nënkonsulli W.D.W Mathews. Sipas nënkonsullit, lista e delegatëve të kongresit paraqitet si vijon: Elbasani – Klubi “Vëllazëria” – Dervish Beu [Biçaku] dhe Xhemil Feza [Qamil Haxhifeza]. Berati – Klubi “Bashkimi” – Qemal Beu [Karaosmani] dhe Kahreman Beu. Elbasani – Klubi “Bashkimi” – Emin Haxhi [Haxhiademi] dhe Taq Buda. Filati – Klubi “Vëllazëria” – Mithat Beu [Frashëri] dhe Osman Joraja. Selaniku – Klubi “Bashkimi” – Mithat Beu [Frashëri] dhe Osman Joraja. Shkupi- Klubi “Bashkimi” – Mithat Beu [Frashëri]. Elbasani – Shoqëria “Afërdita”- Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimima. Struga – Klubi “Bashkimi” – Abdullah Reshidi dhe Ahmed Dakli. Kocanë [Kozan] – Shoqëria “Vëllazëria” – Abdurrahim Kavaja. Ohër – Klubi “Bashkimi” – Hamdi Beu [Ohri] dhe Irfan Beu [Ohri]. Përmeti – Shoqata “Bashkimi” – Haxhi Bajram Beu dhe Teki Bej Reshidi. Leskoviku – Klubi “Bashkimi” – Haxhi Bajram Beu dhe Teki Bej Reshidi. Manastiri – Klubi “Bashkimi – Gjergj Qiriazi. Korça – Misioni Amerikan – Grigor Cilka dhe Sevasti Qiriazi. Skrapari – Klubi “Pellazgu” – Abdullah Bej Komprecka. Janina – Klubi “Bashkimi” – Mithat Beu [Frashëri]. Jenije –Vardar – Klubi “Bashkimi” – Mithat Beu [Frashëri] dhe Osman Joraja.Karaferia    – Klubi “Bashkimi” – Mithat Beu [Frashëri] dhe Osman Joraja. Korça – Klubi “Dituria”- Orhan Beu [Pojani] dhe Idhomenë Kosturi. Gjirokastra – Klubi “Drita” – Andrea Ikonomi dhe Thoma Papapano. Starova – Klubi “Bashkimi”- Selman Blloshmi dhe Sulejman Leka. Tirana   – Klubi “ Bashkimi’ –Refik Beu [Toptani] dhe Hafiz Ibrahimi [Dalliu]. Tirana – Misioni Amerikan- Kristo Dako. Peqin – Klubi “Bashkimi“ – Sabri Beu. Frashër – Klubi “Bashkimi“ – Mithat Beu [Frashëri]. Gramsh       – Klubi “Bashkimi”- Telha Beu. Durrës – Jahja Efendiu, Mihal Gjurashkovici dhe Dom Nikoll Kaçorri.

Ndër 35 përfaqësuesit e klubeve dhe shoqërive, një delegat përfaqësonte më shumë se një klub apo shoqëri dhe anasjelltas, nga secila qendër janë dërguar një ose më shumë përfaqësues. Kongresi në mënyrë demokratike dhe me vota të fshehta, zgjodhi forumet drejtuese të tij: Kryetar Dervish Beu [Biçaku], nënkryetar Mithat Beu [ Frashëri], ndërsa sekretarë u caktuan Simon Shuteriqi dhe Josif Haxhimima. Në seancat që zhvilloi kongresi, trajtoi gjerësisht probleme të arsimit e kulturës kombëtare. Në aktin e vendimeve të kongresit prej 15 pikash, siç shkruhet në shtypin e kohës, më të rëndësishmit qenë: 1) Çelja e shkollës Normale Elbasan, “për të përmbajturit e së cilës brenda e jashtë Shqipërisë, sikundër dhe tërë njerëzit që dëshirojnë përparimin e kombit Shqiptar…”. 2) Krijimi i një shoqërie qendrore shkollore në Korçë, shoqërinë “Përparimi”. 3) Zgjedhjen e klubit të Manastirit “Bashkimi”, si klub qendror për dy vitet e ardhshme.

Programi ambicioz i Kongresit

Programi arsimor e kulturor i hartuar parashikonte në radhë të parë njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në kulturën dhe në gjithë sistemin ekzistues arsimor dhe përhapjen e mëtejshme të arsimit në gjuhën shqipe. Ky program, me këtë përmbajtje ndikoi mjaft në të gjitha drejtimet e luftës për zhvillimin e arsimit e kulturës kombëtare. Mësuesit patriotë, drejtuesit e klubeve patriotike, pjesëmarrës në këtë kongres, sollën e mbrojtën në një kuptim të ri rrugët e mjetet e përhapjes së kulturës. Mbi të gjitha këto mjete, ata vinin arsimin kombëtar, shkollat, luftën për kulturën kombëtare të përfshirë si pjesë të pandarë të luftës për arsim kombëtar për shkollë kombëtare. Arsimi nuk ishte vetëm shkolla, por dhe të gjitha mjetet e tjera për përhapjen e diturisë, të shkencës e kulturës kombëtare, botimet shkollore e jo shkollore, gazetat, revistat, klubet, shoqëritë kulturore.

Por në relacionet e britanikëve shënohet se pas një shqyrtimi të hollësishëm në kongres u vendos: “Zgjedhja e dialektit të Elbasanit, me synimin që të bëhet gjuha kombëtare… Dialekti i Elbasanit është zgjedhur si gjuha letrare dhe autorëve shqiptarë i kërkohet ta përdorin e ta popullarizojnë sa më gjerë të jetë e mundur”. Duke hulumtuar mbi vendimet e Kongresit të Elbasanit dhe zbatimin e tyre pohohet se ai qe kongresi i parë arsimor e pedagogjik Shqiptar, sepse konkretizoi me vendimet e tij organizimin e sistemit arsimor shqiptar. Në rrafshin pedagogjik përcaktoi strukturën e shkollës Normale si dhe rregullat e drejtimit të shkollës me drejtor e pleqësi. Ai gjithashtu luajti një rol të rëndësishëm me diskutimet e mendimet, që kishin të bënin me gërshetimin e veprimtarive shkencore me atë organizative, si dhe i veprimtarisë pedagogjike me atë administrative. Punimet e këtij Kongresi patën jehonë brenda e jashtë vendit. Në një letër dërguar nga Elbasani, botuar në shtypin e kohës, ndër tjera thuhet: “ ….Fryma patriotike e Kongresit, që u mbajt në Elbasan, shtoi flakën e atdhetarizmës së elbasanasve dhe po i ngut pa reshtur që të kqyrim të tjera probleme që lidhen me çështjen tonë kombëtare. Një çështje për të cilën elbasanasit përkujdesen, është e futura e gjuhës shqipe në të gjitha shkollat e qytetit…”. Kalendari “Korça” nën titullin “Kongresi i Elbasanit”, shkruan: “ Ky Kongres është më i shënuari nga të gjithë kongreset …. me vendimet që bëri e ka emrin e tij të pavdekur në faqet e historisë sonë…”. E përkohshmja “Italia për të huajt” (L’Italia all’estero”) nën titullin “Një Kongres i Shqipëtarëve”, ndër tjera thekson se: “Në Elbasan u mbajt një Kongres i madh ku muarnë anë shqipëtarë të shkëlqyer me qëllim që të bisedojnë dhe të vënë në udhë të gjitha ato që janë të nevojshme për përparimin dhe paqen e Shqipërisë”. Ndërsa gazeta në gjuhën frënge, që botohej në Zvicër, “Gazeta e Gjenevës” (“Journal de Geneve”), për kongresin e Elbasanit do të shënojë: “Në kongresin e Shqiptarëve, që u mbajt në Elbasan, delegatët votuan me një zë që të organizojnë arsimin e shkollave të para me themeli gjuhën shqipe…”

Konsiderata me shumë interes jep patrioti i njohur arbëreshi A.Lorekio, në të përkohshmen “Kombi Shqiptar” (“La Nazione Albanese”). Në titullin “Kongresi gjuhësor shqiptar në Elbasan”, ai shkruan: “Kongresi i Elbasanit ka qënë ….. në homazh të së vërtetës, pohimi më i lartë i intelektit shqiptar, shprehja më e lartë dhe më praktike e tij…. Ata njerës të mençur vendosën të formojnë një shkollë Normale, e aftë si në të gjitha vendet e qytetëruara të përballoj me specialistë dhe mësues…”. Këto qëndrime ndaj “Kongresit të Elbasanit” janë dëshmi konkrete për suksesin e plotë të punimeve të tij. Ai përbën ngjarje jo vetëm për arsimin, por dhe kulturën kombëtare. Shkolla shqipe dhe kultura kombëtare, mbijetesa e tyre, mbeten triumfi i faktorit shqiptar për kohën.

 Artur AJAZI