Opozita e Bashkuar/ SPAK-u duhet të hetojë kryeministrin Rama, për krizën në Kakavijë, shpërdoroi detyrën

255
Sigal

SPAK-u duhet të hetojë Ramën për krizën në Kakavijë

Dje, opozita e Bashkuar i ka bërë apel SPAK-ut, që të hetojë kryeministrin Rama për përgjegjësitë e mos menaxhimit të krizës në Kakavije, ku humbi jetën një vogëlush 10 -vjeçar dhe mijëra emigrantë shqiptarë u torturuan me ditë të tëra në diell dhe pa asnjë ndihmë nga qeveria.

Petrit Vasili: Akuza penale ndaj kryeministrit

Sot, Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë duhet të marrë nën hetim kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edi Rama, në mënyrë të menjëhershme dhe pa humbur më kohë, siç ka humbur deri më tani, sepse së pari,  duhet të zbardhet një më një dhe të çohet deri në fund çdo përgjegjësi penale që rëndon mbi kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Edi Rama, se përse nuk i informoi qytetarët me të gjitha mjetet e komunikimit shtetëror dhe privat, për vendimin e qeverisë greke. Përse nuk ngriti asnjë strukturë, shtetërore për të menaxhuar e parandaluar situatën? Përse nuk bëri publik dhe nuk mobilizoi të gjithë kapacitetet shtetërore e private laboratorike për bërjen e testimeve që u kërkoheshin në mënyrë të detyruar nga qeveria greke për të gjithë qytetarët shqiptarë që do të ktheheshin për në Greqi. Të zbardhet nga Prokuroria e Posaçme, përgjegjësia e kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, lidhur me pjesën shumë të rëndë dhe delikate të rrezikimit të jetës dhe shëndetit që ndodhi për shkak të kësaj ngjarje të paralajmëruar me kohë dhe zyrtarisht. Prokuroria Speciale ka detyrim shumë të fortë të pakapërcyeshëm ndaj ligjit, por edhe në pikëpamje njerëzore në raport me shqiptarët, që të veprojë menjëherë pasi mosveprimet e Edi Ramës, kanë prodhuar pasoja të rënda mbi qytetarët. Veprimet e kryeministrit, ndërsa drama humanitare po konsumohej, ishin veprimet e një njeriu që e urren popullin e vet.  Për të gjithë është shumë e qartë, fajtori i vetëm në këtë dramë që shqiptarët provuan, është vetëm Edi Rama, kryeministër dhe ministër i Jashtëm në detyrë. Fajtor është papërgjegjshmëria dhe dashakeqësia e Edi Ramës. Sot SPAK-u është përpara shqiptarëve dhe ka vetëm një zgjedhje, ose të vendoset në krah të ligjit për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë, ose më e keqja, më e shëmtuara, më e rënda për sot dhe të ardhmen, është që të vendoset në krah të Edi Ramës, të mbrojë shpërdorimin e detyrës së tij, e të vendoset përballë kundra gjithë shqiptarëve, interesave të tyre, jetës së tyre, shëndetit të tyre dhe integritetit të tyre.