Nepotizmi në Universitetin e Korçës, reagimi i titullarëve për të qarë e për të qeshur!

1434
Sigal

Reagimi, pas publikimit të investigmit në “Telegraf”. Pas botimit, dhjetëra denoncime të tjera kanë ardhur në redaksi

Zbardhja e skemës nepotike në Universitetin e Korçës dhe botimi i shkrimit investigativ të mbërritur në “Telegraf”, botuar ditën e djeshme ka alarmuar individët e prekur të këtij institucioni. Nëpërmjet faqes  elektronike ka mbërritur dhe reagimi zyrtar, i cili saktëson se, gazeta nuk duhet të merret me këto problem. Madje, ka pasur me dhjetëra telefonata të cilat kanë vënë në dispozicion material tejet skandaloze dhe që implikojnë individë , pedagogë dhe të tjerë të tretë, por që kanë lidhje dhe interesa të ngushta me institucionin. Shqetësimi kryesor i tyre kishte të bënte me faktin se përse nuk shënohet emri i personit që ka dhënë faktet. Me pak fjalë, duke përdorur një fjalë të urtë popullore, “ne po u tregojmë ujkun ata duan gjurmët”. Por ne po e botojmë reagimin e Universitetit të Korçës, sigurisht, me shumë pak koment të redaksisë, pasi në ditët në vijim do të botojmë xhevahire të paimagjinueshme. Ja reagimi i Rektoratit të Universitetit të Korçës ( U.K):

(U.K.): Po ju vë në dijeni se në këtë artikull, gjithçka që shkruhet është  një  gënjeshtër e madhe aq më tepër që rastet e nepotizmit  që përmenden janë shumë të pa vërteta si më poshtë:

1. ( U.K. ) Gruaja ime Tatiana Mero nuk ka punuar asnjë ore dhe nuk punon në universitet as e brendshme as e ftuar, por është drejtore shkolle në shkollën e Mesme Teknike Ekonomike në Korçë.

2. ( U.K. ) Roland Karanxha nuk është kunati im, por ka qenë dhe është pedagog i jashtëm (si një piktor i nderuar dhe me emër) shumë vite më parë, kur unë nuk isha pedagog.

 

Investigimi i mbërritur në “Telegraf”: Nuk është kunat, por kushëriri i parë është

3. Nuk kam asnjë lidhje farefisnore me dekanin e Fakultetit Ekonomik z.Frederik Çuçllari, e vetmja gjë që na lidh është se jemi pedagogë në të njëjtin universitet dhe jetojmë në të njëjtin qytet. Sa për bashkëshorten e tij Mirela Çuçllari ata kanë qenë pedagogë në universitet dhe janë njohur e martuar pas ardhjes në Fakultet. Duhet t’i ndajmë ata apo t’i largojmë nga universiteti, gjithnjë sipas gazetarit, m.gj.s janë të dy prof.as.dr?

Investigimi i mbërritur në Telegraf: Kjo është thënë, që janë burrë e grua

4. ( U.K. ) Koço Nasto është pedagog në Fakultetin Ekonomik ka rreth 20 vjet dhe mbanë gradën “Doktor” të fituar në Fakulteti Ekonomik në UT, ndërsa bashkëshortja Mira Nasto ka fituar konkursin publik dhe është pedagoge në Fakultetin e Bujqësisë qysh në shtator 2013 dhe mban gradën shkencore “Doktor” të fituar në UBT para se të vinte në universitet. Ku shkruhet apo thuhet se persona me tituj e grada shkencore që plotësojnë kriteret e shpallura në buletinin e APP-së po të kenë burrin apo gruan në një fakultet tjetër apo në universitet duhet të mos pranohen?

 

Investigimi i mbërritur në  “Telegraf” : Kjo është thënë që janë burrë e grua

5. ( U.K. ) Robert Damo është pedagog në Fakultetin e Bujqësisë qysh prej afro 30 vjet mban titullin prof.as.dr. Është njohur me zj.Irma Damo në universitet dhe janë martuar para 25 vitesh. Irma punon sekretare laborante në Fak. Ekonomik. Nepotizëm quhet ky?

Investigimi i mbërritur në “Telegraf”: Kur janë burrë e grua në të njëjtin institucion, a quhet nepotizëm?

6. ( U.K. ) Sekretarja e dekanit Ali Jashari nuk ka asnjë lidhje me të atin Prof.as.dr. Edmond Spahiu për punësimin e saj, sepse kur ai erdhi nga Amerika për të punuar si pedagog në Fakultetin e Bujqësisë (pasi ishte larguar për 13 vite në emigrim) e gjeti të bijën sekretare në Fakultetin e Edukimit.

Investigimi i mbërritur në “Telegraf”: Këtë kemi thënë edhe ne, që punojnë babë e bijë.

7. ( U.K. ) Erion Nexhipi nuk e ka të shoqen pedagoge të brendshme dhe as në Fakultetin e tij, megjithëse, ajo po përfundon doktoraturën me të gjitha 10 dhe është mësuese në shkollë të mesme.

Investigimi i mbërritur në  “Telegraf”: Ku po e mbron doktoraturën, në cilin fakultet?

8. ( U.K. ) Zv/rektorja quhet Benita Stavre, nuk ka asnjë lidhje me Anila Maxhen! Ajo është 40 vjeç, mban gradën “Doktor” të fituar në korrik 2013, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në UT dhe plotëson të gjitha kërkesat e ligjit për postin që mban.

Investigimi i mbërritur në “Telegraf”: Do të riverifikojmë të vërtetën. Nëse ka lidhje do t’ua bëjmë atë publike me detaje, nëse jo, publikisht do t’i kërkojmë ndjesë për të vetmin rast.

( U.K. ) Atëherë çfarë akuze për nepotizmin është ajo që ngrihet në këtë artikull mund të ma shpjegoni ju lutem zotërinj të redaksisë së “Telegraf”?

Investigimi i mbërritur në Telegraf: Nëse këto raste nuk quhen nepotizëm, le ta vlerësojnë dhe gjykojnë institucionet përgjegjëse dhe ato të specializuar. Qytetarët e kuptojnë dhe nuk kanë nevojë për komente të mëtejshme.

Si përfundim redaksia e gazetës “Telegraf” shpreh vendosmërinë se qëllimi ka qenë, është dhe do të jetë vetëm e vërteta. Ne do të vazhdojmë të bëjmë publike edhe investigimet në Universitetin e Vlorës, Shkodrës dhe Durrësit. Një falënderim i veçantë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin me Rektorin e Universitetit të Korçës Prof.as.Dr.Gjergj Mero. Ndërkohë, ne mirëpresim çfarëdolloj shqetësimi dhe fakti nga studentët në lidhje me problemet e mitmarrjes në provime dhe emrat e tyre konkretë.