Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar studentët për fillimin e vitit të ri akademik në arsimin e lartë 2023-2024.
Në urimin e tij, Begaj veçse ju kërkon studentëve ta shfrytëzojnë mundësinë e tyre për tu shkolluar, thekson se ndihet borxhli që nuk është bërë më e mira, por më e mundshmja në rrethanat që u gjendën.
Begaj shton se “tani është radha e studentëve që të marrin stafetën dhe të bëjnë atë çka nuk mundi të bëjë brezi i tij.”
Mesazhi i presidentit Bajram Begaj për fillimin e vitit të ri akademik në arsimin e lartë 2023-2024:
Dëshiroj të shpreh urimet e mia më të ngrohta për të gjithë studentët që sot do të fillojnë vitin e ri akademik 2023-2024!
Për ju, të dashur studentë që uleni për herë të parë në auditore, sot është fillimi i një ndryshimi të madh: “Dita e parë e jetës universitare.”
Si student i dikurshëm e kujtoj ende fare mirë ditën e parë të mbushur me emocione, kureshtje dhe pasiguri. Prandaj i kuptoj shumë mirë ndjenjat dhe emocionet tuaja.
I kuptoj shumë mirë edhe ata të cilët janë drejt përfundimit të diplomës, kur mendojnë se çfarë duhet të bëjnë pas universitetit. Një gjë është e sigurt, vendimet tuaja profesionale do të jenë e ardhmja jonë e përbashkët. Ndaj uroj e besoj fort se kjo do të jetë e ardhmja që dëshironi.
Ndërkohë, shfrytëzojeni mundësinë e artë për t’u shkolluar dhe dedikojuni arsimimit tuaj akademik.
Çdo ditë në auditore mendoni si të përfitoni sa më shumë dije. Punoni fort, studioni! Formësojeni vehten dhe objektivat tuaja nëpërmjet punës për t’i arritur ato!
Guxoni të ëndërroni dhe shfrytëzoni mundësitë e shkollimit që realizimi i këtyre ëndrrave të jenë një realitet më i mirë i shoqërisë shqiptare në të ardhmen.
Në demokraci nuk ka rëndësi se nga vjen, por ku shkon. Objektivat tuaj afatgjatë, ndonjëherë mund t’ju duken shumë larg. Por çdo rrugë e gjatë nis me një hap të shkurtër. Hidheni hapin të sigurt.
Ne, si prindër dhe shoqëri, ju jemi borxhlinj sepse mbase nuk kemi bërë dot më të mirën, por kemi bërë më të mundshmen në rrethanat që u gjendëm dhe me aftësitë që kishim.
Tani është radha juaj, të nderuar studentë, kudo që ndodheni, ta merrni stafetën dhe të bëni nesër atë cka ne nuk arritëm ta bënim deri më sot.
Stafeve akademike i uroj gjithashtu një fillim të mbarë e të suksesshëm!
Përkushtojuni profesionit me pasion e mendjehapësi!
Nxisni të menduarin kritik dhe përshtatni metodat e mësimdhënies me ato të pedagogjive aktive!
Shpresa për një të ardhme më të mirë është në duart tuaja! Suksese të gjithëve!