“Ilaçi i Shqipërisë”

420
Sigal

Zenel Gjoleka është një nga ata trima të epopeve shqiptare, që muza e popullit i ka kënduar si rrallëkujt

Nga IDAJET JAHAJ

Sa herë i kemi dëgjuar vargjet për kapedanin e famshëm të Shqipërisë së Jugut – Zenel Gjoleka:
Pse lufton, a dërzi,/Sos për mua a për ti,/Po për gjithë Shqipëri…
Ato janë shkruar në ndërgjegjen tonë si një flamur i madh ideje, që në faqet e librave të shkollës fillore, kur njohëm historinë e popullit tonë. Dhe jemi krenarë për këtë përkushtim, për imazhin e gjithë vendit, në mendje e në zemër. Kësaj strofe të madhërishme, populli i pason edhe me trivargëshin tjetër:
U trete, Gjolekë, u trete,/ Po sos u përpoqe për vete,/ Po për gjithë vilajete…
Zenel Gjoleka është një nga ata trima të epopeve shqiptare, që muza e popullit i ka kënduar si rrallëkujt. Figura e tij është ajo e një kapedani të shkëlqyer, madhor, dhe hijeshon në histori ashtu si një nga majat më të larta të relievit të saj.
Vargjet nënvizojnë çastin historik kur vetëdija e shqiptarëve tashmë vepronte kolektivisht dhe për interesin tërësor të gjithë vendit, kur ajsbergu historik shqiptar po dilte mbi ujë, kur ky titanik përleshej për jetë a vdekje me pushtuesin shekullor turk.
Pra, luftohej jo vetëm për një pjesë të atdheut, por për gjithësinë e tij. Kjo ishte nisma e rilindjes së kombit me armë. Këto luftëra-llavë vullkani u bënë baza ku ngjyen penën për kushtrim Rilindasit më vonë. Kjo ide e përgjithshme u pasua edhe më vonë, në gjeneratat e mëpastajme të luftërave. Ajo gjeti më shumë mishërim te prijësit e trimave që, me luftën dhe fjalën e tyre, jepnin të njëjtin mesazh që jepte kryetrimi Zenel Gjoleka.
Nëpër faqet e historisë së Vlorës ka shumë sentenca të tilla, të cilat, të shprehura në vargje, tek heronj të veçantë, japin tërësinë e unitetit të vetëdijës atdhetare të masave të popullit, të cilat ndërgjegjësoheshin gjithnjë e më shumë për idealin kombëtar.
Në mesin e shekullit të 19-të, në luftërat për mbrojtjen e kufijve jugorë nga shovinizmi i egër grek, shkëlqyen edhe shumë trima vlonjatë, si Mahmud Vlora, Shako Xhaka nga Tërbaçi, Selam Hasani i Velçës, Fejzo Xhafa Vlora, etj. Nën udhëheqjen e tyre luftëtarët shqiptarë u dhanë dërmën hordhive shovene. Ndër ta, Shako Xhaka, shkëlqeu në përpjekjet për unitetin e njësisë – komb:
O Shako Xhakë Tërbaçi,/ I Shqipërisë ilaçi,/ Ilaçi i Shqipërisë,/ I vjen rreth e rreth kufisë…
Ç’vizion madhështor japin këto vargje! Si në përshkrimet folklorike: ashtu si në kopenë e kuajve, rreth së cilës, për ta mbrojtur nga bishat që i vijnë rreth, dalin disa prej më të fortëve, i vijnë rrotull tufës, qëllojnë me shqelme dhe shkrofëtijnë zjarr nga goja, ashtu edhe trimi Shako Xhaka,  “i vjen rreth Shqipërisë” për të mbrojtur nga ujqërit shovenë.
Dhe, me shembullin e tij heroik, ndrit metaforën e rrallë: “ilaçi i Shqipërisë!”.