Basha nuk është “ëngjëll”, por as “djall” si Rama!

  1. Basha ndryshon shumë, për ndjeshmëri dhe përgjegjshmëri njerëzore, për normalitet, vetëpërmbajtje, pozitivitet, logjikshmëri, transparencë.. .nga Rama. Këtë epërsi të qartë ndaj Ramës, ai e ka shprehur edhe në bujarinë për t’i falur ide dhe propozime të logjikshme e të efektshme për përjetimin dhe kapërcimin sa më të lehtë të dëmeve dhe pasojave nga termeti  i 26 nëntorit 2019 dhe covid 19.Nga Xhevat MustafaKa shumë vite që  në ushtrinë e “të majtës”, në mediat proqeveritare si dhe në mjedise publike, takohesh, njihesh, ndeshesh…me “komunisto-socialisto-rilindas fanatikë”, enveristë të vjetër e të rinj, të hapur e me maska të “pavaruri” apo “të paparti”, “ tifozë të çmendur” të  Edi Ramës , që nuk e fshehin aspak se janë  urryes apo alergjikë  të  tërbuar ndaj Lulëzim Bashës. Nuk do shumë vramendje për të kuptuar se janë edhe viktima të një skenari shumë të zgjuar “rilindas” për denigrimin apo gogolizimin e liderit të PD- së dhe për përjetësimin në frone të Edi Ramës. Nënkuptohet, se nuk kuptojnë edhe se urrejtja  kaq e madhe e tyre ndaj Bashës, më fort e “injektuar” nga “partia e zemrës” se sa si alergji personale, “varros për së gjalli” edhe  alternativën  dhe mundësinë  tjetër qeverisëse, qoftë edhe 20-30%  më të mirë se kjo  e Edi Ramës. Plot “të majtë” apo” të pavarur” këtë alergji, apo urrejtje e justifikojnë me një tufë “argumentesh”. Më së shumti, me  mendimin se “nuk ishim më mirë edhe në kohën e qeverisjes së Berishës dhe të Lulushit”, kur në të vërtetë edhe në atë kohë ishin si veshka mes dhjamit, ndër më të përfituarit, në bisnese private, ojq-ra, zyra shtetërore….Natyrisht nuk ishim në parajsë më 2005-2013. As se  Berisha dhe Basha janë “ëngjëj shpëtimtarë” të përjetshëm. Por, këta afro 7 vjet janë të bollshëm për t’u bindur se nga Rama do ta pësojmë dhe do të përjetojmë zi e më zi.  Duke  gjykuar si tifozë partiakë e jo si qytetarë, këta “të majtë” dhe “të “pavarur”, edhe pse kanë kujtesë të fortë, “harrojnë” të kujtojnë dhe pranojnë me objektivitet se sa ishin çmimet e artikujve të përdorimit jetik  më 2013 dhe sa janë sot, ndërsa pagat dhe pensionet na janë rritur me pikatore. Do të dalë që sot janë rreth 50 -100 %  më të larta, biles edhe se në Gjermani, ku pagat dhe pensionet janë rreth 5-10 herë më të larta se tek ne.  Për të pasur një opinion sa më objektiv, gjykimi dhe vlerësimi më i saktë i Ramës dhe Bashës, mund të bëhet duke i krahasuar nga shumë tregues:  nga CV-të, diplomimi universitar, specializimet, karriera profesionale, kartelat mjekësore, testet e gjakut…Nëse veprohet kështu, do të dalë se ndryshe nga Rama, i diplomuar si piktor në Tiranë,në Institutin Lartë të Arteve, ku bënte ligjin i ati, Basha është diplomuar si jurist në Universitetin e Utrechtit në Holandë, është i specializuar në të drejtën europiane dhe ndërkombëtare publike, profesion që e kanë shumë kryeministra dhe presidentë në botë, ku vështirë se gjen një tjetër kryeministër-piktor. Gjatë periudhës maj 1998 – 2005, pra për rreth  7 vjet Basha, ka punuar si Këshilltar Ligjor në Departamentin e Drejtësisë së Administratës së Kombeve të Bashkuara UNMIK në Kosovë, si Zëvendës Shef i Kabinetit të Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut dhe si Këshilltar Special për Tranzicionin në Departamentin e Drejtësisë së UNMIK-ut, në Kosovë.  Për këto fakte, ai  vetë  dhe ata që e duan më shumë, kanë të drejtë të shtrojnë pyetjen: kur ka qenë i mirë për BOTËN, përse nuk mund të jetë i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët?                                                                                                                       Subjektivisht, pa m’u fshirë rezervat dhe kundërshtimet ndaj disa lëvizjeve të tij politike, Basha, në bisedën në Opinion të Blendi Fevziut, në TV KLAN, më 6 prill 2020, mu duk shumë “më ndryshe”, superior, më faktik dhe argumentues, më i logjikshëm dhe i besueshëm se Edi Rama, po në opinion pak ditë më parë, më 2 prill. Sidomos, kur u shfaq Rama me zë e figurë, aty nga fundi, shumëkujt nga shikuesve, sidomos atyre psikologë dhe neurologë, iu dha mundësia të bindeshin se edhe nga pamja, sytë, fundi i syve, nga mënyra e të folurit, Basha ndryshon shumë, për ndjeshmëri dhe përgjegjshmëri njerëzore, për  normalitet, vetëpërmbajtje, pozitivitet, logjikshmëri, transparencë…nga Rama. Këtë epërsi të qartë ndaj Ramës ai e ka shprehur edhe në “bujarinë” për t’i falur ide dhe propozime të logjikshme e të efektshme për përjetimin dhe kapërcimin  sa më të lehtë të dëmeve dhe pasojave nga termeti  i 26 nëntorit 2019 dhe covid 19. E  shprehu fare freskët edhe më 6 maj, në fjalën në Samitin e Zagrebit dhe në deklaratën për ngërcin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese nga paprekshmëria e Dvoranit, që po mbrohet nga maxhoranca qeverisëse, personalisht nga Rama, edhe më mirë se një  “monument kulture”.                                                                                                                                                                  Më shumë viktima të afeksionit “gjenetik majtas”  dhe të propagandës së sponsorizuar nga ERTV dhe media të tjera proqeveritare, viktima edhe të “bujarisë paraelektorale” me ndihma me qese e furgonë  për familjet e varfëra apo në nevojë, plot njerëz nuk janë dakord që opozita, Basha, Kryemadhi…, të bëjnë politikë në këto muaj fatkeqësishë natyrore, si twrmeti i 26 nëntorit 2019 dhe karantina e egër dhe shumë e kushtueshme në çdo drejtim, nga coronavirusi. Me humor, nëse nuk bëjnë as politikë, çfarë i ka lënë “rilindja” dhe vetvetja opozitës sonë, pas largimit të vullnetshëm nga parlamenti, një akt tani i dëshmuar si i nevojshëm dhe i suksesshëm? Duke qenë të pakëshillueshme e të dëmshme protestat shumë masive, u ka mbetur ta vazhdojnë opozicionin nëpërmjet denoncimeve të  akteve të vazhdueshme me erë të fortë korrupsioni të qeverisë, paradoksalisht dhe papërgjegjshmërisht, shtuar ndjeshëm edhe në këtë periudhë rëndimi të krizave ekonomike, financiare, sociale…Po këta njerëz, që nuk durojnë Bashën të bëjnë politikë në këtë kohë krizazh dhe pandemie, bëjnë sikur nuk “shikojnë” dhe sikur “nuk kuptojnë shqip ” kur Edi Rama, Arben Ahmetaj, Taulant Balla, Olta Xhaçka,  Ogerta Manastirliu, Elisa Spiropali…, e gjithë qeveria, Erion Veliaj… dalin nga 4-5 herë në çdo emision lajmesh në televizionet e tyre, duke bërë shumë trashë politikën e vet, që i ka dalë boja, prej të paktën 6 vjetësh… Apo shqip fare: bëjnë më shumë politikë mashtruese dhe qesharake, shou, propagandë, biznes paraelektoral, favorizim të oligarkëve me tendera, koncesione, PPP të pafundme, se sa vepra dhe punë të ndjeshme në dobi të shumicës së qytetarëve, viktima shumëvjeçare të premtimeve të papërmbushura, të demagogjisë gjenetike të “rilindjes”…!                                                                                                                                                                 Po kështu, nuk janë të paktë ata qytetarë, shumica ”të majtë” apo “të pavarur”, që e kritikojnë  opozitën  se luajti  gabim, me aktin e  largimit nga parlamenti dhe kur më pas nuk hyri në gjasme zgjedhjet e pushtetit lokal, më 2019! Edhe unë, në fillim nuk e miratova këtë lëvizje politike të opozitës. Ky akt ishte me një kosto të lartë për opozitën, qytetarët dhe vendin. Por, kjo e keqe pati të mirën se u dha mundësi shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve të shikojnë se cila është në të vërtetë qeverisja Rama dhe që të gjitha ankesat, kërkesat, pakënaqësitë, zhgënjimet, mallkimet… t’ia adresojnë  “Rilindjes”. Koha po i jep të drejtë opozitës për atë akt. Ajo u dha mundësi të gjithë shqiptarëve që të binden për kotësinë e mandatit të dytë Rama,”korrupsionin e pafre, me fatura të çmendura dhe dështimin frontal të 7 vjetëve të qeverisjes nga “rilindja” . Unë nuk jam as për zgjedhje të parakohshme, por që Rama të zvarritet mbi kurriz të votuesve të vet dhe të gjithë shqiptarëve deri në qershor 2021. Kështu ata, të zhgënjyer edhe më shumë shumë nga qeveritë Rama, do ta braktisin edhe më masivisht, duke u rënë më grushte kokave të veta dhe me koka… kutive të votimit. Të zhgënjyer plotësisht nga 8 vjetët e Ramës, edhe plot nga tifozët dhe votuesit e tij, mund të kërkojnë dhe pranojnë nga opozita një qeveri, qoftë edhe 20-25% përqind më ndryshe e më të mirë.                                                                                                                                                                       Jo pak qytetarë, më shumë viktima të propagandës së PS-së, më 2005-2013 në opozitë, e akuzojnë qeverinë Berisha dhe Bashën individualisht, për korrupsion në ndërtimin e Rrugës së Kombit. Pa i kundërshtuar prerazi se mund të ketë pasur korrupsion  nga disa drejtues të lartë të Ministrisë së Ndërtimit të asaj kohe me individë të kompanive zbatuese dhe nënkontraktuese, disa prej të cilëve sot, me statusin e biznezmenëve, “çuditërisht”  janë ortakë të Ramës, “harrojnë” më parë korrupsionin në rreth 250 milionë dollarë nëpërmjet taksës Majko…”Harrojnë”  gjatësinë e kësaj rruge prej rreth 170 km; dy tunelet me 5.6 km gjatësi secili, 10 m lartësi dhe 13 m gjërësi;  koston e saj në rreth 1. 3 miliardë euro. “Harrojnë” të bëjnë llogari se 1 km në terren të egër malor ka kushtuar afërsisht  7.5 milionë euro. Për tolerancë dhe për të rritur arbitrarisht nivelin e korrupsionit të mundshëm qeveritar të asaj kohe në këtë rrugë, po marr në llogari vetëm rreth 125 km të rrugës me 4 korsi.  1 km na del rreth 10 milionë euro. Por, nuk mund të harrohet, sepse janë fakte dhe shifra të freskëta, se qeverisjes Rama, 1 km në Austradën Tiranë-Elbasan, me gjatësi rreth 31 km, me dy tunele me gjatësi 2.4 m secili dhe shumica në terren të butë fushor e kodrinor, ka kushtuar afro 20 milionë euro ose afro 2-3 herë herë më shumë se në Rrugën e Kombit. Merret me mend se po rreth 2- 3 herë më e madhe ka gjasa të jetë edhe shifra e përfituar  nga oligarkët e ndërtimit dhe firmosësit e liçensës, tenderit apo PPP-ve për ata.                                                                                                                                                  “Të majtët”  partiakë, qeveritarë, zyrtarë, gazetarë apo pensionistë…“harrojnë” me dashje apo duke bërë të “verbërin” dhe “të shurdhëtin” edhe se për as 2 km autostradë tek “Astiri”  në Tiranë,  e rriti në qiell faturën e 1 km autostradë, krejt në terren fushor, në rreth 15-20 milionë euro, duke ia dhënë fillimisht një recepsionisti të panjohur, pa iu djersur akoma mjekrra dhe mustaqja, të Spitalit Amerikan???!!! Shprehur, sipas një fjalë popullore, ‘të majtët” bëjnë tra qimen dhe buall mizën e qeverive dhe njerëzve të opozitës dhe nuk shohin traun shumëmetrash dhe buallin e gjallë tek qeveritë dhe njerëzit e tyre. Disa të tjerë, në kërkim të ethshëm dhe të pafund për të gjetur justifikime për të fshehur me gjethe fiku  alergjinë dhe urrjetjen e tyre pathologjike ndaj Bashës, kanë sajuar shprehjen se “është tepër i butë si natyrë dhe nuk bën për kryeministër”?!  Nënkuptohet lehtë! Ose janë viktima të nostalgjisë së modelit kryeministror të Mehmet Shehut, ose të tifozllëkut të çmendur për modelin aktual, Edi Rama. Prej më shumë se 6 vitesh shihet dhe dihet se Rama nuk pyet  për forume  dhe kolegjialitet në parti, qeveri, shtet, sajon dhe ekzekuton urdhëra, vendime, masa, që qelbin jo vetëm Shqipërinë me erën e rëndë të arbitraritetit dhe absolutizmit.                                                                                                                         “Partizanët filo Rama” dhe “kori antiBasha”, më së shumti e përgojojnë, kritikojnë dhe kundërshtojnë Lulëzim Bashën, duke qenë të ngujuem nëpër kafene, pijetore, stolat e lulishteve, para ekraneve të televizorëve…Nuk lëvizën vendit as kur Lulëzim Basha dhe liderët e tjerë të opozitës, në krye të dhjetra mijërave protestuesve, sulmoheshin me gazra lotsjellës, shkopinj gome, grushte e shkelma nga policët e Edi Ramës dhe të Sandër Lleshajt. Biles plot prej spektatorëve “të majtë”  i vështruan me ironi dhe tallje. Merret me mend, se sipas logjikës së atyreve që presin gjithçka nga Zoti në qiell, nga opozita në tokë,  Lulëzim Basha me bashkëpunëtorët e tij, duhet të shkojnë shtëpi më shtëpi, kafene më kafene, pijetore më pijetore, lulishte më lulishte, në ballkone dhe ëc, për t’iu lutur qytetarëve indiferentë apo të nënshtruar ndaj “të keqes rilindase”, që t’i braktisin këto dhe të mendojnë më shumë për veten dhe njerëzit e tyre të familjes dhe aspak për parti, kryetarë, fitore politike, që nuk sjellin të mira të shumta e të ndjeshme në dobi të nivelit të jetesës së shumicës së qytetarëve …! Logjikshëm Lulëzim Bashës, edhe si qytetar holandez dhe me nivel të lartë të ardhurash, i lind e drejta të përgjigjet: “e përse duhet të lodhem, të sakrifikoj unë për ju, kur nuk mendoni, më së pari për vetën tuaj, për fëmijët dhe familjet tuaja; kur nuk kuptoni se ne si opozitë, pasi kemi nxjerrë mësime nga gabimet dhe dështimet tona si dhe të pozitës, kemi personalitete politike dhe profesionale dhe mundësi reale, për t’ju sjellë një qeverisje, të paktën rreth 20-25% më të mirë se kjo e 8 viteve të “rilindjes?”                                                                                                                             Nëse para rreth 5 vitesh, në një analizë jam shprehur se “Basha është më i mirë për në Holandë se në Shqipëri”, në bisedën e 6 prillit në Opinion të TV KLAN dhe në deklarimet e 6 majit në samitin e Zagrebit dhe për “skandalin Dvorani”, më dha arësye të mendoj se tani, me një ekip specialistësh elitar dhe të afirmuar, me vepra djerse dhe jo plagjiaturash dhe  blerjesh të pista, për çdo dikaster dhe institucion, me më shumë përvojë nga pjekja prej viteve në opozitë si dhe nga reflektimi prej gabimeve  dhe dështimeve të veta  dhe të qeverisjes së “rilindjes”, me figura të reja, të afta dhe të pastra nga partitë aleate, mund të jetë shumë më i mirë se Rama për Shqipërinë dhe shqiptarët.

     

Sigal