5 Maji/ Homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve, kryebashkiakja e Durrësit: Nderim dhe mirënjohje

509
Sigal

Me rastin e 5 Majit, ditës së nderimit për të rënët e kombit shqiptar kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako ka kryer homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës. Në respekt të veprës heroike të këtyre dëshmorëve e heronjve kryebashkiakja Sako ka vendosur kurora me lule në vendin ku ndodhen pllakat përkujtimore të të rënëve për liri. Në respektim të masave kufizuese të ndërmarra me qëllim parandalim e përhapjes së pandemisë COVID-19 kjo ceremoni u zhvillua me numër të reduktuar pjesëmarrësish. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe prefekti Roland Nasto, kreu i Qarkut Alfred Mullaraj, deputetë të Durrësit dhe përfaqësues të veteranëve të luftës.

Të pranishmit kanë parakaluar përpara pllakave përkujtimore të heronjve dhe dëshmorëve të Durrësit. Kryebashkiakja Emiriana Sako u shpreh se të gjithë përkulen me nderim përpara aktit heroik të atyre njerëzve që dhanë jetën për lirinë e vendit:“Si çdo 5 maj jemi mbledhur në Mauzoleumin e Dëshmorëve për të kujtuar të rënët për lirinë e Atdheut. Duke respektuar rregullat kufizuese kjo ditë e rëndësishme duhet të ketë vëmendjen dhe respektin tonë më të thellë. Nderimi dhe mirënjohja jone në këtë 5 Maj shkon për të gjithë ata që fatin e tyre vetjak nuk e ndanë nga fati i vendit të tyre; që luftuan dhe u vetësakrifikuan në një prej sfidave më të egra të atij shekulli për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri europiane të rreshtuar me dinjitetin e fitimtarit në familjen e madhe qe ata ëndërruan.

Shprehim mirënjohjen tonë më të thellë për ta dhe familjet e tyre, gjithashtu edhe për familjet e ushtarakëve dhe të policëve të rënë në krye të detyrës gjatë këtyre viteve. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre!” Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri jetën e tyre për lirinë e vendit.