“Qeverisja antikorrupsion” është një nga frazat me të cilën luhet me shqiptarët nga politika e viteve pas ‘90-s. Në fakt si filozofi politike kombëtare, gjykoj se, u tentua të përfshihej pas rënies së firmave piramidale dhe ngjarjeve dramatike të 1997-s. Prej asaj kohe, në një kurbë ngritëse në çdo vit elektoral (zgjedhje vendore dhe parlamentare) arriti të kulmonte si refren në 2005-n, ku ndërkombëtarët “antikorrupsion”, opozita e para 2005-s dhe lëvizja “Mjaft” arritën të ngjizin në opinion publik, vendas dhe ndërkombëtar, idenë se socialistët u ndëshkuan për korrupsionin e tyre me votën e shqiptarëve. Por, në një analizë të rezultateve zgjedhore, vota popullore e majtë nuk kishte besuar programin dhe reformat e djathta , qofshin këto edhe ato antikorrupsion, ajo thjesht prodhoi një qeverisje të djathtë nga formulat çudibërëse e Kodit Elektoral. Anti-korrupsioni ishte thjesht një koncept inflacionist i përdorur mjeshtërisht nga e djathta për të “justifikuar” ardhjen dhe qenien e saj 8 vite në pushtet.
Në fakt a prodhuan 8 vitet e fundit të qeverisjes së djathtë një filozofi politike kombëtare antikorrupsion?
Pas 8 vitesh a kemi të drejtë që këtë koncept inflacionist politik ta shpallim si objektiv të pragqeverisjes socialiste Rama – Meta?
A mundet ne shqiptarët të kemi antikorpet tona antikorrupsion?
A mundet të ketë zhvillim e integrim të vendit pa korrupsion apo ai është lubrifikanti?
Së pari, që si votues, shqiptarë në tërësi të ndjehemi në stuhi idesh dhe në një praktikum të filozofisë antikorrupsion nga shteti që përkundrejt pasojave katastrofike të anarkisë, varfërisë dhe padrejtësive shoqërore që i ka sjellë jetës së qytetarëve dhe shtetit korrupsioni, sot ne duhet të kemi një Politikë të Precedentit Antikorrupsion në nivel kombëtar, i krahasuar kjo dhe me jurisprudencën ndërkombëtare në raste të tilla. Ky do të ishte bazamenti mbi të cilat do të bashkëngjiteshin dhe qeverisja transparente, rezultative dhe në shërbim të popullatës.
Legjenda urbane mes nesh, media, raporte ndërkombëtarësh vazhdojnë pasurohen duke gjeneruar me raste dhe ngjarje të dhimbshme sociale dhe njerëzore të abuzuesve të pushtetit me pronën dhe financat publike në favor të xhepave personalë të tyre ndërsa në kahun tjetër besimi tek drejtësia që do ti vejë para përgjegjësisë zbehet gjithnjë e më shumë. Shqiptarët duhen të motivuar dhe inkurajuar se qeverisen edhe pa korrupsion nga shqiptarë që antikorpet i kanë fituar para karriges qeverisëse.
E për këtë duhet ridimensionuar besimi tek ligji që na mbron nga praktikat abuziviste ndaj i uroj rrugë të mbarë e me përgjegjësi pragqeverisjes së re në mbështetje të krijimit të filozofisë shqiptare antikorrupsion ku hap të parë të ketë ligjin e hartuar në mbështetje të zhvillimit pa korrupsion, zbatimin rigoroz të tij, duke filluar nga vetë ligjbërësi dhe bashkëpunimin me sistemin e drejtësisë dhe funksionalitetin e 3 pushteteve.
Së dyti, politikat prodhohen nga njerëzit, i shërbejnë atyre sikurse edhe kur abuzohet me to ato kanë një markë totalisht personale apo grupi njerëzor. Po kaq emërorë janë edhe korrupsionistët në çdo sektor. Por secili nga ne e di dhe e ndjen se shteti në tërësi, cilësia e qeverisjes dhe qeveritarëve në veçanti janë lehtësuesit e besimit që i duhet një popullate për t’u ngjizur me ide dhe praktika antikorruptive, të cilave ja u kanë parë dobinë dhe i vlerësojnë për rritjen e mirëqenies së tyre. Ndaj kësaj cilësie “emërore” të korrupsionit duhet të fuqizojmë ZËRIN e emërorëve antikorrupsion.
Qeverisja e 8 viteve të fundit jo vetëm e ka tronditur, por dhe e ka çoroditur këtë raport. Për më tepër unë them se NE jemi një popullatë heshtanake antikorrupsion në mos po tentojmë të “update”-ohemi me të duke vënë në prioritet mikroqetësinë dhe jo makromirëqenien që krijohet kur denoncohet ai. Këtu unë e kam fjalën jo për fshatarin e lodhur nga skamja dhe varfëria, por për intelektualët, median dhe shoqërinë civile, qytetarët e qendrave urbane që duhet të krijojmë maxhorancën antikorp kundër korrupsionit. Jemi dhe kemi shumë pak zëra dhe lëvizje antikorruptive mes nesh si shpirt qytetarie. E nëse i shtojmë këtij shqetësimi që ZËPAKËT apo HESHTANAKËT arrijnë edhe në majat e qeverisjes situata disekuilibrohet në favor të korrupsionit, kur realiteti vazhdon këlthet fuqishëm për dëmet kombëtare që sjellin politikat dhe qeverisjet korruptive në vijim!
Shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të thurin konceptin inflacionist ditën në foltore politike dhe ndërkombëtarësh ndërsa shkatërrojnë me heshtjen e tyre zhvillimin e tyre të qëndrueshëm për breza.
A ka shqiptar që nuk të ofron në listë korrupsionin nga sektorë të ndryshëm të shërbimit publik?
A ka student të fakulteteve publike dhe jopublike, familjarë të tyre, që nuk njohin e artikulojnë emra në vite të pedagogëve “të vështirë” në lëndë që e kanë ligjëruar ridhënien e lëndës aq herë sa “suksesi i rezultatit” lubrifikohet nga “gjoba” e pedagogut përmes sekserit apo sistemit të vetëideuar. Këto përshtatje ndaj rezultatit kalojnë si gojëdhëna zgjidhëse të historive të tilla nga brezi në brez i po aq sa kalojnë nga fakulteti në fakultet si programe konkurruese të varfërimit publik të besimit tek edukatori, sistemi i edukimit dhe intelektualizmi ndonëse këto lloj virusesh institucionale janë vetëm një grusht individësh por që mrekullisht kanë ndërtuar pushtetin e tyre personal të efiçencës mbi publikun HESHTANAK. E këtu dëmi është edhe më i madh pasi një teknicieni, profesionisti të prodhuar nga ingranazhe të tilla institucionale NE ja kemi hequr mundësinë e antikorpit për nesër në shërbim.
Në kurim të popullatës heshtanake antikorrupsion, të një rinie antikorrupsion uroj një skanim emërtor publik të pranuar, deklaruar dhe nisur drejt sistemit të drejtësisë nga pragqeverisja e re. Ashtu si do auditohen financat shqiptare ashtu të auditohen gjithë sektorët publikë ku financa publike nuk është përdorur edhe për të thyer publikisht Heshtjen për Korrupsionin të popullatës dhe në veçanti të nxënësve dhe studentëve shqiptarë, gjeneratës që nuk duhet të prodhohet nga Korrupsionistët me Kostume e Tituj. Demokracia dhe shteti i së drejtës në funksionalitetin e tij nuk ka pse dhunohet nga një listë emrash DHUNUESISH (qofshin këto edhe figura të larta apo familjarë të tyre) pasi ajo është ideuar për t’i shërbyer shumicës, gjeneratave.
Së treti, po aq sa emër kanë këto dhunues po aq edhe të emërtuar janë ato që politika emëron në cilësi qeveritari. Ky emërtim i tyre, veç emrit nga nëna e baba i bashkëngjitet edhe një CV-i e aftësive dhe zotësive moralo institucionale antikorrupsion po aq sa standardet mes trinomit politikë-qeverisje dhe vullnetit kombëtar antikorrupsion. Në ideimet që do vlerësoja brenda filozofisë antikorrupsion të pragqeverisjes Rama – Meta është kërkesa që ministrat do heqin dorë nga mandati i deputetit në se pranojnë karrigen ministrore. Kjo është një risi për antikorpe të suksesshme kjo pasi përqendrimi i pushteteve në duart e një pakice brenda politikës prodhon dhe fuqizon sistem korrupsionist të rrezikshëm në ekzekutivin e prodhuar prej tij. Por mos harrojmë që nga ana tjetër, në këtë pragqeverisje ne shkuam përmes të zgjedhurve të kryetarëve në lista që nuk kaluan as certifikimin e figurës. I shkelur në këtë mënyrë ligji nuk më ngjall shpresë se kandidatët për ministra kanë premisa antikorruptive. Këto 2 premisa, pro dhe kundër, bashkuar me HESHTANAKUN para kryetarit apo ZËPAKUN ndaj profesionit e qytetarisë na bëjnë të jemi skeptikë që NE do kemi antikorpe njerëzore për një qeverisje pa korrupsion. Që shqiptarët qeverisin edhe pa korrupsion. Dhe kjo pasi trinomi i mësipërm, brenda lojës politike me listat zgjedhore dhe spostimet e saj na favor të të preferuarve të radhës, tenton të dobësohet në fuqishmërinë e tij nga formulat politike.
E kundërta ndodh dhe preket qartë këtë pragqeverisje të re kur kandidatë të tillë për ministër si zj.Kumbaro sjellin perceptimin publik, ku profesionistja dhe korrektja e auditorit akademik injekton besimin për antikorp qeverisje pa korrupsion kjo pasi qytetarja me zë takon specialisten në shërbimin publik; oponenca me zë të larta për pseudopolitika në arsim e kulturë takon idetë dhe alternativat për zgjidhje politike. Këto janë antikorpe të sigurta për qeverisje antikorrupsion po aq sa ZËRI cilësor politik në parlament për politikën e jashtme dhe integrimin europian të z. Bushati pasi cilësi të tilla si morali i përgjegjësisë ndaj cilësisë së ekspertizës së fushës, mbajtja në koherencë e një ZËRI publik për to, në nota vlerësuese apo opozitare e alternative japin perceptime publike që kuotojnë besimin tek një qeverisje anti-korrupsion. Premisë e vlerësueshme janë edhe rishtarët qeverisës si zj. Gjoshaj në integrimin europian që vjen pas një “bumi” protagonizmi në vitet e fundit nga formimi dhe zëri i shprehur institucional i gruas në LSI me objektiva të qarta për rrugën drejt BE-së. Dyshja Bushati Gjoshaj do t’i sjellë një impuls të vlerësuar detyrave kombëtare për integrim.
Sikurse vlerësoj shumë profilet ministrore me moral e integritet profesional në 8 vite nga fusha ekpertize opozitare që sot kanë plotësisht të drejtë të udhëheqin reforma ku do prodhohen politika antikorruptive (plotësisht të arritshme në se ka vullnet politik për të) po aq nuk kuptoj pse opozitari ekselent dhe guximtar i fushës së ekonomisë në 8 vite Erjon Brace nuk arriti të ulet në karrigen ministrore të ekonomisë apo financës ndonëse e majta opozitare 2005-2013 njeh dhe vlerëson për ZË PARLAMENTAR të fuqishëm këtë deputet. Publiku ka nevojë të besojë tek qeveritari i zgjedhur përmes veprave.
Individi, politikani, deputeti MINISTËR që vjen si sfidë për fitimin e besimit të shqiptarëve tek filozofia kombëtare antikorrupsion si një nga asetet e fuqishme për rezultatshmërinë e këtij shteti dhe kësaj pragqeverisje nuk mund të vijë as nga HESHTANAKËT publikë e politikë, as nga ZËPAKËT e ekspertizës së fushës që rënkonte nga pseudoreforma që veç sistemonin korrupsionin por mbi të gjitha as nga “të trafikuarit” e Kryetarëve që në 8 vite ishin ekspertë manash e që në 4 vitet në vijim do të na duhet të na bindin se janë ekspertë thanash që do shtrëngojnë fort zbatimin e ligjit dhe moralin qeverisës profesional si një antikorp i pragqeverisë së re socialiste Rama – Meta.
Antikorrupsioni nuk kthehet në filozofi kombëtare në se ideve për reforma zhvillimi sektoriale nuk i bashkëngjisim drejtues dhe stafe të provuara publikisht në ekspertizën e fushës dhe moralin publik denoncues zhvillues.
Uroj që pragqeverisja e re socialiste Rama- Meta të kontribuojë që të kthehet besimi i shqiptarëve se qeveriset edhe pa korrupsion, por na duhet të kemi mes nesh (të zgjedhurve nga Rama – Meta) shumë antikorpe njerëzore antikorrupsion.