Pozitiv efektivi në Vorë, nisin testimi zinxhir

438
Sigal

Pandemia e Covid-19 është përhapur në të gjithë Shqipërinë dhe nuk po kursen as ata që janë në vijën e parë të luftës me virusin vdekjeprurës. Një efektiv i Komisariatit të Vorës u prek nga Covid-19. I riu mësohet se ka qenë në patrullat e lëvizshme të policisë, ndërsa rasti ka bërë që strukturat shëndetësore të testojnë dhe të gjithë trupën e Policisë së Vorës.

Ky është rasti i katërt ku policët preken nga koronavirusi në të gjithë vendin. Fillimisht, një prej uniformave blu u diagnostikua në Korçë. Ai kishte pasur histori udhëtimi me një nga vendet e prekura nga Covid-19, por fatmirësisht asnjë familjar i tij nuk shfaqi shenja, madje gruaja e tij rezultoi negative në testin e parë.

Në Durrës, një tjetër uniformë rezultoi pozitiv në testin për koronavirus. Ai u transportua me urgjencë në repartin e Infektivit në Tiranë, ndërkohë që familjarët e tij u vetizoluan. Në Shkodër, Covid-19 preku dhe një oficer të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Shkodrës. Ai dyshohet se është infektuar gjatë kontaktit me klandestinët nga Siria që kalojnë në Shkodër. Si masë parandaluese dhe përhapëse, të gjithë personat e familjes së OPGJ-së u vetizoluan, ndërsa oficeri ishte i vetëkarantinuar prej 10 ditësh.