Bashkim Aliraj*/Për një sport që do të rilindë!

450
Sigal

Ministria e Sporteve e Bumçit ka lënë në gjendje të mjeruar notin, duke e braktisur plotësisht atë

  *Trajner Noti

Shoqata “JON-Vlorë”

 Krahas  arritjeve të mira që ka pasur në qytetin e Vlorës në disa sporte si basketboll për femra, futboll, not për meshkuj, mundje, peshëngritje, etj. që, ka ardhur në sajë të punës e përpjekjeve të sportistëve e trajnerëve por në disa sporte të tjera si gjimnastike, atletike, volejboll për femra, qitje, çiklizëm, etj. Gjendja dhe niveli i tyre është për të ardhur keq. Pak a shumë kjo është dhe situatë në rrethe të tjera si Durrës, Tiranë, Shkodër, Korçë, Berat. Gjimnastika sportive, ky sport me tradita të bukura pothuaj është zhdukur fare. Klube të fuqishme me përpara të këtyre qyteteve që dikur i jepnin tonin këtij sporti tashmë nuk ndihen fare. Janë shkatërruar palestrat dhe baza materiale e saj është zhdukur. Atletika, një sport tjetër i mrekullueshme në vendin tonë është në gjumë. Mjaft pista vrapimi janë prishur. Për qitjen apo çiklizmin në qytetin tonë nuk bëhet fjalë fare. Kjo ka ardhur sepse dhe shteti i ka braktisur këto sporte. Kjo ka ndodhur si me Partinë Socialiste, kur ka qenë në pushtet dhe ajo Demokratike që është sot. Fakti që, akoma shikon sportistë elitarë që kërkojnë të largohen nga vendi për të konkurruar në shtete të tjera, tregon se shteti dhe qeveria nuk e vlerëson sportin. Ai është braktisur prej saj. Shikoni bazën materiale në not, ajo pothuaj është shkatërruar. Disa pishina të hapura në vendin tonë si: Elbasan, Shkodër, Lushnjë nuk dihet me fati i tyre. Qyteti i Shkodrës kishte dhe pishinë të mbyllur me ujë të ngrohtë. Në Vlorë, pishina ka 22 vjet që qëndron e hapur si një “varr” në mes të qytetit. Terrenet sportive në shkolla , fushat e futbollit, basketbollit, volejbollit, pistat e vrapimit e vendin e tyre e kane zënë godinat shumëkatëshe. Në mjaft shkolla, klasat sportive në sporte të veçanta u shkrinë e nuk funksionojnë më. Por, nuk e dimë se dhe sa kohe do të vazhdojë kjo gjendje! Po, stimuli i sportisteve si është?  Është për të ardhur keq sidomos ai material. Disa notarë thyen rekorde kombëtare e dalin kampionë e nuk marrin asnjë shpërblim nga Federata e Notit apo Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Megjithëse, Ministria pretendon se i stimulon në veprimtaritë kombëtare sportistet dhe kur zënë vendin e trete, kjo nuk është e vërtetë. Kjo ministri është bërë palë me disa federate sportive, në vend që t’i ndihmojë e kontrollojë ato në pune. Pushtetarët e sotëm teorikisht e pranojnë rëndësinë dhe vlerat që ka edukimi fizik në shkolla dhe sporti në veçanti, por po ta shikosh në praktikë gjendja tregon të kundërtën. Në shkollat e mesme në vitet e treta bëhet vetëm një orë mësimi fizkulture në javë. Në vitet e katërta ajo është hequr fare. Ekipet sportive në shkolla nuk funksionojnë. Gjithashtu dhe ekipet sportive të cikleve në llojet e sporteve pranë klubeve nuk ekzistojnë. Në ciklin e ulët me fëmijët, sportit pothuaj i është vënë shkelmi. Të rinjtë e të rejat e duan sportin, ata e gjejnë vetë kohën që të merren me të, por problemi është që sa shteti është në gjendje e të vërë dorë që kjo pune të organizohet mbi baza shkencore sidomos me fëmijët. Shteti duhet t’i stimulojë e t’i mbajë afër talentet e reja në sport që ata të gjejnë ngrohtësinë e vlerësimin e duhur që të mos largohen nga vendi. Prandaj, Qeveria në këtë drejtim duhet të ndjejë përgjegjësinë e saj. Shoqëria jonë nuk ka nevojë vetëm për rrugë të mira, por ka nevoje për më tepër shkolla moderne, salla leximi e sporti, pishina, pista që të rinjtë tanë të merren më shumë me kulture, art dhe sport, pasi dhe edukimi i tyre do të jetë më i mirë. Në rast se rinisë do t’i mungojnë këto ajo domosdo do ta kalojë më shumë kohën nëpër kafene, bilardo, disko dhe klube nate. Prandaj nisma që ka marrë kohët e fundit Partia Socialiste dhe lidershipi i saj, Edi Rama, deputeti Fidel Ylli, për një rilindje të sportit shqiptar duhet të mbështetet nga të gjithë sidomos nga të rinjtë dhe të rejat. Ajo është një iniciativë e fuqishme që, shërben për edukimin  e brezit te ri, kalitjen dhe rritjen e cilësisë sportive. Kam besim se ky ndryshim do të ndodhë pasi që të dy këta zotërinj janë marrë me sport e duan dhe e kuptojnë rëndësinë e tij. Të merresh 10-15 vjet me sport, të kesh qenë një sportist shumë i mirë dhe në fund të vuash për bukën e gojës, kjo nuk është e drejtë, është e tmerrshme. Ose të marrësh një pension të vogël më pak së një tjetër që gjithë kohën nuk ka dhënë asnjë kontribut për cilësinë sportive apo është ngrohur në diell, dhe kjo nuk është e drejtë. Prandaj në një takim që, u organizua para disa muajsh në Vlorë me aktivistët e kuadrot e sportit me të drejtë “Mjeshtri i Merituar i Sportit” në peshëngritje Hysen Cenaj, propozoi që vitet e stërvitjes të një sportisti elitar duhet të njihen si vite pune për t’i lidhur pension atij. Natyrisht që këto duhet të rregullohen me ligj. Më e keqja është që qeveria nuk ka asnjë strategji për sportin që ajo të përqendrohet në shkallë vendi ne ato sporte duke pasur parasysh kushtet klimaterike, traditat, bazën materiale dhe kuadrin e nevojshëm. Sporti tek ne është reduktuar vetëm te futbolli, por dhe ky nuk po del nga gjendja. Duhet të kemi parasysh se njëanshmëria në sport jo vetëm që ndikon direkt në cilësinë sportive, por ajo ka dhe efekte psikologjike, më shumë sidomos tek rinia. Shpesh nga pushtetarët e sotëm dëgjojmë të thuhet “nuk kemi fonde” , ose “kaq i kemi mundësitë” ose “kemi halle te tjera” , etj. Të gjitha këto nuk janë të vërteta. Në rast se nuk do të kishte fonde si është e mundur qe Ministria e Punëve e Çështjeve Sociale, vetëm për vitin 2012 ka shpenzuar për banderola fotografi 990 mije lekë (këto marre nga kontrolli i lartë i Shtetit) ose për një lobing për fushatën zgjedhore Qeveria shpenzon rreth 900 mije dollarë.         Ja pra që, fonde ka, por ato shpërdorohen dhe vidhen. Po të kesh dëshirën e mirë, pasionin dhe vullnetin dhe mundësitë gjenden.  Mendoj se, sporti nënvlerësohet akoma nga shteti. Thuhet që të matemi me botën dhe Europen në sport dhe kjo është e drejtë. Po si do të matemi me botën në not?  Në Italinë fqinje ka mbi dy mijë pishina te hapura dhe të mbyllura, kurse notarët tanë në disa qytete si Vlora, Shkodra, Saranda, Pogradeci stërviten akoma në det të hapur e liqen. Dhe para këtij fakti, pushtetarët në bazë e në qendër qëndrojnë sehirxhinj. Garat e notareve akoma maten me kronometër sepse mungojnë tabelat elektronike. Lind pyetja: “Po pagat e trajnerëve si janë? Ato janë qesharake”. Një trajner i Kategorisë së Parë që bën 5-6 stërvitje në javë merr një pagë mujore 12 mijë lekë. Kjo është dhe arsyeja që, mjaft kuadro dhe specialist tëe mirë nuk stërvitin ekipe sportive nëpër klubet tona. Mendoj se, një trajner i Kategorisë së Parë duhet të paguhet të paktën me rrogën e një mësuesi në shkollë të mesme. Kjo do të afronte dhe më shumë kuadrot e specialistët e mirë. Puna e trajnerit është para së gjithash një pune shkencore, edukative dhe psikologjike. Shteti në radhë të parë duhet të përmirësojë marrëdhëniet me sportistët. Ata janë pjesë integrale e shoqërisë dhe kulturës. Sportistët afrojnë një influence të madhe në shoqëri. Fatkeqësisht as sportistet as shoqëria nuk e përdorin sa e si duhet. Nuk bëjnë as përpjekjen më të vogël për të përfituar nga ky bashkëpunim i dyanshëm. Kështu që, shteti nëpërmjet legjislacionit mund të ndërhyjë në këtë sferë të jetës. Një sportisti elitar me ligj mund t’i lejohet që të shkojë në cilëndo degë në universitet që ai dëshiron. Po universitetet tona nuk kujdesen për sportistët tanë të mirë. Mjaft sportistë në not,  peshëngritje, atletikë, mundje sa shkojnë në universitet e lënë sportin. Ndërsa në shume vende perëndimore si: Angli, Gjermani, SHBA, etj., për sportistet më të mirë ofrohen bursa. Një rast kuptimplote është ai i notarit tonë Sidni Hoxha që, studion sot në SHBA dhe që ka thyer dhe disa rekorde kombëtare. E ka përfaqësuar vendin në dy Olimpiada Botërore, në “Pekin 2008” dhe “Londër 2012”. Natyrisht që, për të arritur këto synime e objektiva nuk është e lehtë kërkohet shumë punë e mobilizim por unë mendoj se në këto 22 vjet, Partia Socialiste është e vetmja qe ka marrë një nismë të tillë për rilindjen e Sportit tonë. Natyrisht, kjo kërkon një mbështetje e përkrahje nga të gjithë sidomos nga specialistët e kuadrot e fizkulturës. Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare thotë: “Brezit te ri të shqiptareve që, po hyn në jetë i bie barra historike e një mendësimi të tyre. Me fjalë të tjera ta rifitoj Shqipërinë. Jo çdo brezi mund t’i bjerë një shans i tillë”.

LIGA E KAMPIONEVE

Faza e 1/16-ve, ndeshjet e kthimit

Dje, 05.03.2013

B.Dortmund-Shahktar D.         (1-1)

Kualifikohet:

Mançester Jun.-Real Madrid    (1-1)

Kualifikohet:

Sot, 06.03.2013

Juventus-Sëlltik                                   (3-0)

PSG-Valencia                          (2-1)

E martë, 12.03.2013

Barcelona-Milan                      (0-2)

Shalke-Gallatasaraj                  (1-1)

E mërkurë, 13.03.2013

Bajern Munih-Arsenal                         (3-1)

Malaga-Porto                           (0-1)

Në kllapa, rezultati i ndeshjeve të para

Juve, jo për shtëtitje ndaj Sëlltikut

 Pas tre testesh pjekurie, Juventusi është gati për diplomën evropiane. Bardhezinjtë kanë thyer Selltikun në ndeshjen e parë dhe tani hanë gati për një fitore tjetër në Torino. “Nuk duhet të nënvlerësojmë këtë ndeshje në asnjë mënyrë”. Këto janë fjalët e para të Antonio Kontes në koferencën për shtyp. “Duhet të mbajmë përqendrimin e lartë, pasi nuk duhet të nënvlerësojmë asgjë në këto momente. Përballemi kemi një skuadër shumë të fortë dhe shumë krenare, e cila do të luaj me karakter. Do të jetë një provë për të gjithë. Por futbolli ka shumë surpriza, kështu që duhet të luajmë me vendosmëri të madhe. Selltiku është një skuadër fizike, do të na japë shumë probleme . Tifozët janë të shqetësuar se mund të largohem nga Juventusi? Dëshira e tyre më pëlqen, do të thotë që unë, klubi dhe lojtarët po bëjmë mirë në Itali dhe në Europë. Duhet të jemi krenarë për atë që po bëjmë. Zgjedhja për të synuar tek unë dhe tek ky grup po del e suksesshme. A do të ishte e nevojshme një klauzolë për të blinduar kontratën time me Juven? Mbase kur do të shikoj kontratën do ta shtoj, pasi tani nuk është”. Më pas se dy vjet punë, aq i ka mjaftuar Antonio Kontes për të dërguar Juventusin e tij në krye të Italisë dhe për të vendosur një këmbë në dhomën e G8. 3-0 kundër Selltikut, ka sjellë një siguri shumë të madhe rreth saj. Ata tashmë janë me një këmbë në çerekfinale të Championsit, gjë që nuk ndodhte prej 7 vitesh për klubin bardhezi. Ishte skuadra e Fabio Kapelos, një grup i jashtëzakonshëm, me Bufon në portë, Fabio Kanavaro prapa, Emerson, Viera dhe Nedved në mesfushë, Del Piero, Trezege dhe Ibrahimoviç në sulm. Ata u eliminuan nga Arsenali. Ndërkohë që kjo skuadër është ndryshe. “Duhet të konfirmohemi në Itali dhe shpresojmë që të kalojmë fazën e parë të Kupës”, ishte shprehur presidenti në fillim të sezonit. Kështuu pra që Konte ka bërë një punë edhe më të mirë. Deri më tani, ata kanë bërë një ecuri të jashtëzakonshme në Europë. Edhe pse përpara kishin kundërshtarë të vështirë, bardhezinjtë kanë mposhtur Çelsin dhe Shakhtarin në fazën e grupeve. Një rritje shumë e madhe e skuadrës së Kontes. Tre barazime menjëherë dhe më pas tre fitore radhazi. Në letër skuadra si Real Madrid, Barcelona, Bajern Mynih dhe Mançester Junajtid janë favorite për të fituar këtë kompeticion. Por bardhezinjtë janë aty, të gatshëm për të përfituar. Juventusi vjen pas katër vitoresh radhazi dhe Bufon nuk pëson gol që nga 400 minuta, që nga minuta e 5 kundër Nordsjaelland. Në total janë katër golat e pësuar, mbrojtja më e mirë e kompeticionit sëbashku me PSG dhe Portos. ASnjë humbje, ashtu si Borusia e Dortmundit dhe Shalke 04. Kështu diferenca e golave është +11, me 15 gola të shënuar dhe 4 të pësuar. Komandon PSG e Ançelotit me +12. Por nuk duhet të harrojmë se Juventusi ka 17 ndeshje në europë që nuk pëson humbje. Rekordi absolut është ai i Ajaksit nga 1994 deri në 1996, me 21 ndeshje, 15 fitore dhe 6 barazime. Juventusi është e dyta me 20, nga 1969 deri në 1972, me 13 fitore dhe 7 barazime.

Lugano hedh në gjyq Federatën

Zvicerane për golat e Sadikut

 Dy golat e shënuar nga Armando Sadiku në ndeshjen Lokarno-Lugano dhe që u hoqën më pas nga Komisioni i Disiplinës së Federatës Zvicerane të Futbollit (3-0 në tavolinë për kundërshtarin) për shkak se Lugano kishte vendosur në protokoll tetë futbollistë që nuk ishin rritur në aspektin futbollistik në Zvicër do të jenë objekt gjykimi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë. Klubi i Luganos ka paditur federatën zvicerane me pretendimin se nuk mund të tjetërsojë rezultatin e një ndeshjeje futbolli pavarësisht një gabimi njerëzor në protokoll. Në një komunikatë të hedhur në faqen e klubit, Lugano thotë se rezultati 3-0 në tavolinë jo vetëm që e dënon klubin në aspektin sportiv por edhe në atë financiar. “Ne dyshojmë se gabimi i protokollimit të një lojtari të tetë që nuk është formuar në aspektin futbollistik në vendin tonë, mund të motivojë një vendim të rëndë siç është rezultati 3-0 në tavolinë. Vendimi kushtëzon jo vetëm renditjen e klubit por edhe atë lojtarëve të veçantë (Armando Sadikut i janë hequr dy gola në renditjen e golashënuesve me një dëm biznesi të sigurtë”, thuhej në sitin e klubit. “Me dëm biznesi” nënkuptohet një shitje e mundshme e futbollistit në verë. Dy gola më pak a më shumë në listën e golashënuesve mund të thonë shumë për vlerën financiare të tij në merkato. Sadiku ka shënuar 14 gola në kampionat, por tani i llogariten vetëm 12 pasi rezultati i ndeshjes Lokarno-Lugano është llogaritur 3-0 në tavolinë.