Arsimi në 100-vjetorin e shtetit shqiptar

769
Sigal

Arsimi, vëmendja e madhe e atdhetarëve elbasanas

Nderimi më i madh që ka Elbasani në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar, padyshim që është arsimi kombëtar. Për këtë fakt dhe për vetë veprimtarinë që ka pasur arsimi në trevën e Elbasanit dhe më gjerë, si në cilësinë e tij, ashtu edhe në sasinë e shtrirjes së tij gjeografike, me të drejtë është emërtuar si “kryeqyteti i arsimit mbarëkombëtar”.

Hapja e Normales, u bë edhe pararendësja e zhvillimeve të mëdha politike dhe shoqërore në historinë tonë të formimit të shtetit, për të cilin sot kemi këtë përvjetor jubilar një shekullor. Rrethanat që përcaktuan Shpalljen e Pavarësisë, në një formë a në një tjetër e kanë pasur Elbasanin pararendës, jo vetëm përballë armiqësisë së fqinjëve tanë, por edhe përpara detyrimeve që kishte kombi për të ardhmen e tij, ku arsimi zinte vendin e shenjtë. Lufta për këtë Normale, që do cilësohet “Universiteti i Parë Shqiptar”, është lufta shumë shekullore e një kombi për liri e pavarësi që do të mund të vinte vetëm si frymë e pasurisë së dijeve dhe arsimit në popullin tonë.

Sot jemi një shekull më pas dhe shumë ndryshime kanë ndodhur që nga ato vite kur shqiptarët kërkonin me etje pavarësinë për të cilën rilindësit tanë të nderuar u bënë theror që të shtronin rrugën e një të ardhmeje më të mirë se koha kur ata jetonin. Dhe puna për arsimin ka qenë fondamentale, mes shumë e shumë sakrificave, brenda një lufte të pa shpallur, por reale ku, nga njëra anë ishte pushtuesi turk me gjithë pushtetin e tij obskurantist dhe nga ana tjetër interesat antishqiptare të intervenuara nga Greqia dhe Serbia për synimet e tyre hegjemoniste dhe aneksioniste.

Në këtë këndvështrim, Elbasani ka nxjerrë në dritën e kohës edhe Babain e gjuhës shqipe, Kostandin Kristoforidhin, ashtu siç është i skalitur në kujtesën tonë kombëtar aktiviteti i Dhaskal Todrit. Pikërisht këta e të tjerë bashkëkohës u bënë ata flamurtarët pararendës të hapjes së shkollës Normale dhe që patën si kulminacion Shpalljen e Pavarësisë dhe krijimin e Shtetit Shqiptar, ku spikat i madhi Aqif Pashë Elbasani me gjithë firmëtarët e aktit më 25 nëntor 1912. Me idealin e Rilindjes Kombëtare u formësua ndërgjegjja jonë dhe u kthye në një kërkesë imediate e kohës.

Një akademik i respektuar elbasanas në përvjetorin e 92-të të Normales në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, kur është pyetur se çfarë përfaqëson Normalja në historinë e universiteteve shqiptare, ai u shpreh natyrshëm se “Normalja është fëmijëria dhe rinia e Universitetit, tamam si një i rritur që nuk ka kuptim jeta e tij pa fëmininë dhe rininë”. Përballë kësaj madhështie, ka pasur edhe një opozicion kundërshtar të kohës, veçanërisht ndaj arsimit tonë. Me fjalë të tjera, çuditërisht në ato vite, kur niste udhën e tij edhe Shteti Shqiptar dhe arsimi kishte nisur të jepte frytet e tij, pengesa të mëdha u bënë ndërthurjet e shtresave të të paemancipuarve që u ngjizën edhe nga interferencat antishqiptare në të gjitha format. Por arsimi ynë, ku Elbasani zë vendin e nderit, bëri përpara, edhe pse me shumë mund e sakrifica. Duke kujtuar këtu me respektin e madh themeluesit e Normales që nga Luigj Gurakuqi dhe shumë elbasanas të nderuar, kam rastin të them se Ushtrimorja e Normales dhe zhvillimet e arsimit tonë në vitet e Mbretërisë Shqiptare deri edhe me mbështetjen e rreth 400 normalistëve, që përqafuan nismën e ministrit të arsimit të kohës, Ernest Koliqi, për përhapjen e arsimit shqip në të gjitha trojet kombëtare, flasin për zhvillimet me të suksesshme të këtij arsimi mbarëkombëtar. Kujtojmë gjithashtu edhe ata mësues elbasanas që u bënë pjesë e familjeve në të gjitha trojet shqiptare, duke u bërë shembulli i arsimit mbarëkombëtar, siç është rasti i Mehmet Gjevorit e të tjerëve. Kulmi i suksesit të këtij arsimi, që sheshoi udhën e ndritur të arsimit tonë edhe në vitet e mëpasme, janë studimet e shumë elbasanasve veçanërisht, në Perëndim si në Austri, Gjermani, Francë, Itali, por edhe në Stamboll e gjetkë që u bënë frymëzim për brezat.

Ndoshta me keqardhje, do të kujtohen figurat e mësuesve elbasanas që patën fatin e keq të eliminimit, ekzekutimit dhe burgosjes së shumë mësuesve nga regjimi i diktaturës që shkeli traditën e arsimit dhe krijoi një shkollë të paragjykuar nga filozofia komuniste. Me gjithë shtrirjen dhe përhapjen e këtij arsimi në atë kohë, fakti që arsimi u manipulua nga ideologjia marksiste dhe që kërkonte një arsim të politizuar, kjo shkaktoi edhe një ecuri të cunguar të arsimit tonë kombëtar. “Nëse vret arsimtarin ke vrarë nxënësit e tij, nëse ke vrarë nxënësit e një shkolle, ke vrarë të ardhmen e një kombi”, thotë një studiues i madh, çka na bën edhe më të obliguar në këtë drejtim.

Duhet thënë se edhe krijimi i Akademisë së Shkencave në krye të tij, që nga rithemelimi, ka pasur për shumë e shumë vjet akademikë elbasanas që flet për përmbajtjen e bazave të arsimit që ata kanë trashëguar nga mësuesit e Normales sonë. Me gjithë ndikimet e tij aspak demokratike në arsim, normalistët mbeten sot nostalgjia jonë për shkak edhe të cilësive të veçanta që ata kishin dhe për të cilat ata nderohen.

Elbasanasit dhe mësuesit e këtij qyteti vijnë në këtë 100 vjetor të Shtetit Shqiptar me një sistem demokratik, arsimi ka hapësirat e vërteta të një sistemi perëndimor. Modelet e përftuara në këtë drejtim në arsim, janë edhe hapat për një arsim të papolitizuar, por real dhe në funksion të së tërës. Në këto 20 vjet demokraci, kemi të drejtën të themi se arsimi është udhëhequr nga filozofitë e një arsimi modern dhe me hapësira jo politizuese, por në liri dhe transparencë të plotë. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka luajtur edhe sindikata e arsimit, e cila ka qenë në një formë edhe opozita e arsimit për të mos gabuar dhe për të respektuar ligjet tona dhe rritjen e cilësisë së arsimit sipas parametrave europianë. Të gjithë kanë një mision, atë të shkollimit të fëmijëve tanë dhe rritjen e një brezi që do të jetë e ardhmja jonë dhe e vendit tonë më pranë Europës dhe pjesë e zhvillimeve të mëdha rajonale dhe më gjerë. Jo vetëm strukturat shtetërore të arsimit, por edhe sindikata ka pasur rolin e saj si domosdoshmëri, si oponencë dhe forcë lëvizëse e mendimit ndryshe në arsimin tonë kombëtar.

Të gjithë ne kujtojmë dhe sjellim ndër mend se si ka ecur arsimi ynë në këto 20 vjet, se sa tabu janë dashur të thyhen, se sa klishe janë shkatërruar, se sa hapësira janë krijuar dhe të gjitha këto falë një lirie që ekziston në reformat dhe programet mësimore.

Është një vit i rëndësishëm jo vetëm se është një vit jubilar, por sepse është arsimi ai që ka më shumë se 125 vjet që gëlon dhe bën përpara. Jeta e arsimit tonë është jeta jonë dhe mision për të ardhmen që e kanë në dorë mësuesit për ta kryer dhe për t’i dhënë shqiptarëve atë që është më e mira e mundshme edhe përmes viteve të tranzicionit, ku sindikata ka rolin e saj të veçantë. Për këtë arsimi elbasanas ka bërë shumë dhe jemi në një moment të rëndësishëm sa me të drejtë mund të krenohemi si elbasanas ese jemi pararendës të këtij 100 vjetori të sanksionuar ndër breza. Kushdo nga ne, çdo qytetar, ka nderin të kujtojë me respekt normalistët tanë të mrekullueshëm që mbeten edhe të papërsëritshëm në profesionalizmin e tyre. Kjo është meritë e shkollimit të tyre perëndimor sipas parimeve demokratike të botës së qytetëruar dhe moderne. Një shekull i ri do të nisë për Shtetin Shqiptar, por arsimi do të jetë shtylla e bazamentit të tij ndër shekuj.