“Do ikim të vjedhim drogë”, si u ‘shit’ tek hasmit Eri Zefi nga miku i fëmijërisë, mirditorin e rrahën dhe e vranë me gjashtë plumba

468
Sigal

Eri Zefi, 34-vjeçari i vrarë me 6 plumba dhe i hedhur në një kanal në fshatin Zallë Xhuxhë të Mirditës, është nxjerrë në pritë nga vetë shoku i tij i fëmijërisë.

Hetimet e zhvilluar nga prokuroria e Lezhës, kanë nxjerrë në dritë se për vrasjen e Zefit, një rol mjaft të rëndësishëm ka kryer shoku i tij i i ngushtë Mikel allias Gjovalin Alia. Nga analizimi i shumë të dhënave të mbledhura përgjatë një muaji, është arritur në konkluzionin se Mikel Alia, ka nxjerrë në pritë 34-vjeçarin Eri Zefi.

Ky i fundit prej muajit shkurt 2019 kishte reduktuar lëvizjet e tij dhe frekuentimin e personave të ndryshëm, pasi i ruhej një gjakmarrje të mundshme.

Kjo pasi, Eri Zefi është vëllai i Ndue Zefit, ky i fundit në shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin e tij 45-vjeçarin Martin Ndreca, pas një sherri banal.

Si pasojë e kësaj vrasje, Eri Zefi, i ndruhej një hakmarrje të mundshme dhe për këtë ai kishte marrë kërcënime të njëpasnjëshme. Por gjaksit e tij, nuk mund t’i afroheshin shumë pranë banesës me qëllim ekzekutimin e Zefit, pasi shumë shpejt do të binin në sy dhe do vinin veten e tyre në rrezik.

Atëherë ata kanë filluar të venë në jetë një plan të sofistikuar duke përpunuar dhe paguar shokun e ngushtë të Eri Zefit, Mikel Alia, me qëllim që ky i fundit ta nxirrte nga shtëpia Zefin dhe t’ia çonte në pritë dy qitësve, që ishin caktuar për të bërë vrasjen.

Mendohet se për një shumë parash ende të papërcaktuar, Alia ka pranuar të shesë shokun e tij të ngushtë, duke e nxjerrë nga shtëpia, falë direktivave dhe skenarit që kishin bërë gjaksit.

Gjatë hetimit është provuar se Alia ka komunikuar në telefon dhe në mënyrë verbale me Eri Zefin, duke i kërkuar të bashkëpunojnë së bashku për të vjedhur në mesnatë një sasi të kunsiderueshme hashashi në një territor malor, që ndodhet në fshatin Zallë Xhuxhë të Mirditës.

Eri Zefi, ka pranuar ofertën e mikut të tij të fëmijërisë të cilit i besonte në mënyrë të verbër, dhe janë nisur së bashku të dy me makinë në vendin ku ishte caktuar për tu bërë vrasja.

Ata kanë udhëtuar në mesnatë në autostradën Durrës-Kukës, dhe sapo kanë mbërritur në fshatin Zalë Xhuxhë, kanë dalë nga rruga duke hyrë rreth 50 metra në një teren malor, ku Mikel Alia, pretendon se aty do vidhnin drogën. Por në fakt ai teren ishte caktuar nga hasmit, për të ekzekutuar njëherë e mirë Eri Zefin, vëllain e Ndue Zefit.

Sapo Alia dhe Zefi kanë dalë nga makina dhe ndodheshin mes errësirës, mes disa shkurreve janë shfaqur dy persona ende të paidentifikuar duke ushtruar dhunë barbare ndaj Zefit.

Më pas ata e kanë qëlluar me plot 6 plumba, katër në kokë dhe dy në gjoks duke e lënë të vdekur në vend. Dy autorët së bashku me bashkëpunëtorin e tyre, mikun e Zefit janë larguar mes errësirës së dendur.

Trupi i pajetë është gjendur nga fshatarët e zonës i mbuluar në gjak, të cilët kanë njoftuar policinë. Prokuroria dhe policia e Lezhës, tashmë kanë identifikuar njërin nga autorët e kësaj vrasje i cili është Mikel Alia, i cili ka shërbyer për ta nxjerrë në pritë Zefin.

Momentalisht Alia është shpallur në kërkim. Ndërsa dy personat që qëlluan me armë Zefin, dyshohet se janë larguar në drejtim të Kosovës. Prokuroria dhe Policia e Lezhës janë duke bashkëpunuar ngushtë me qëllim identifikimin e plotë të kësaj ngjarje dhe arrestimin e dy qitësve.

Gjatë kësaj kohe janë krijuar disa dyshime mbi emrat e dy personave por policia është treguar e rezervuar për të dhënë detaje mbi këta persona. 34-vjeçari u ekzekutua me 6 plumba, 4 prej të cilëve e kanë kapur në kokë ndërsa 2 të tjerët në gjoks.

Në trupin e viktimës u konstatuan shenja dhune dhe vrasja rezulton të ketë ndodhur gjatë natës pikërisht në vendin ku është gjetur trupi i viktimës. Viktima u gjet i vrarë në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së “Kombit”.