Skenaret e PS-së dhe PD-së për imunitetin

486
Sigal

Ndryshimet kushtetuese/ Sot diskutimi në Kuvend. Ja skenaret e dy partive të mëdha dhe çfarë pritet të ndodhë

Sot është një ditë e rëndësishme për politikën shqiptare. Është në diskutim çështja e heqjes ose jo të imunitetit të politikanëve dhe gjyqtarëve, që në të vërtetë ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese të cilat rrallë ndodhin. Mirëpo kjo puna e imuniteteve duket se është kushtëzuar me marrjen e statusit të anëtarësismit në BE, ndaj dhe ka ngjallur shumë debate dhe ka rindezur luftën politike mes palëve. Kemi të bëjmë me një situatë jo të zakonshme, madje mund të thonim se kjo është një gur prove për të dyja palët. Ndaj dhe të dyja palët po punojnë me skenare të veçanta për t’ia lënë topin në fushë njëra-tjetrës. Dhe ja skenaret: Sot do të mbahet një seancë maratonë ku do të ketë 16 diskutime nga maxhoranca dhe po kaq nga opozita. PS ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votim, pasi janë disa amendamente të propozuara prej saj që duhet të merren në konsideratë nga maxhoranca. Nga ana e saj, maxhoranca e konsideron këtë si një presion që i bëhet dhe nuk pranon propozimet e opozitës. Por edhe opozita nuk e pranon tutelën e mxhorancës, ndaj të gjitha gjasat janë që ndryshimet kushtetuese të mos votohen sot. Kjo as më shumë e as më pak, do të thotë rrezikim i statusit të vendit kandidat për në BE në vjeshtë të këtij viti. Kush do ta mbajë përgjegjësinë për këtë? Kjo është një çështje e njohur. Askush nuk do taveshë qyrkun e fajtorit dhe faji do të mbetet jetim. Të dyja palët do të vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën pambarimisht, duke e bërë përgjegjëse për mosintegrimin e Shqipërisë në BE. Në të vërtetë, integrimi po pengohet.Por nga kush? Shqiptarët e mençur kanë sy të shikojnë dhe veshë të dëgjojnë. Replikat e ditëve të fundit midis Berishës dhe Ramës, ku u përfshiu dhe kreu i Partive popullore Europiane ka domethënien e vet. Në të vërtetë, kreu i opozitës, Rama, nuk është hera e parë qëgabon, që premton se do të bëjë naming dhe se do të tërhiqet. Madje pas kokëfortësisë së Ramës për të mos votuar ndryshimet kushtetuese sot, është folur dhe për skenare të minutave të fundit. Dhe Rama e ka treguar më shumë se një herë që tërhiqet. Por këtë radhe flitet dhe për një skenar të tërheqjes nga ana e PD-së. Flitet që këtë lëshim ta bëjnë demokratët pak para seancës që fillon në ora 10, duke pranuar amenadmentet e opozitës. Por është dhe skenari i tretë, i cili thuhet se ka mirëkuptimin e të dyja palëve: Që PS të marrë pjesë në votimin e sotëm, por të mos votojë pro ndryshimeve kushtetuese që kërkojnë shumicë të cilësuar. Atëherë çfarë ndodh? Sikurse thuhet në Kushtetutë, kur një nismë për ndryshime kushtetuese dështon, ajo mund të rimerret në shqyrtim vetëm pasi të ketë kaluar një vit. Kjo do të thotë as më shumë e as më pak, se të dyja palët nuk janë të interesuara për marrjen e statusit të vendit kanddat për në BE. Urojmë të mos ndodhë kështu. Ndaj le të shpresojmë në një shtyrje të afatit të votimeve të ndryshimeve kushtetuese deri në shtator që të mos na rrezikohet statusi.

Heqja e imunitetit, sot seanca, votimi i pasigurt

Sot do të mblidhet Parlamenti në seancën e veçantë për votimin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Data, e cila është përcaktuar jashtë kalendarit normal të punimeve parlamentare, është vendosur nga Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare. Megjithëse maxhoranca edhe opozita kanë miratuar një draft të përbashkët në Këshillin e legjislacionit dhe komisionin e ligjeve për këtë çështje, sërish qëndrimi i opozitës mbetet për tu verifikuar gjatë seancës plenare, pasi kërkon që ndryshimet kushtetuese mos të përfshijnë vetëm heqjen e imunitetit të zyrtarëve, por të bëhen ndryshime të plota që lidhen edhe me emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë apo të asaj Kushtetuese.  Në këtë drejtim opozita kërkon më shumë kohë dhe që këto ndryshime të votohen bashkërisht me fillimin e sesionit të ri parlamentar në muajin shtator. Maxhoranca këmbëngul se pjesë e këtyre ndryshimeve duhen bërë vetëm pikat në të cilën në Kushtetutë të parashikohet heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Ndërkaq seanca e së hënës mbetet përcaktuese në qëndrimin e palëve për këtë votim që kërkon shumicë të cilësuar, me të paktën 84 vota të deputetëve në Parlament, ç`ka nënkupton që ndryshimet kushtetuese kërkojnë konsensus të gjerë për t’u miratuar nga palët në Parlament. Heqja e imunitetit të zyrtarëve të lartë mbetet një nga kriteret kyçe të vendosura nga Bashkimi Europian, në kuadër të marrjes së statusit kandidat në vjeshtën e këtij viti.

 Heqja e imunitetit, Eliot Engel: “Politika ta votojë!”

Vetëm pak orë para së Parlamenti shqiptar të mblidhet për votimin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e imunitetit, kongresmeni amerikan Eliot Engel ka ftuar klasën politike shqiptare të votojë këto ndryshime. Duke iu referuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eliot Engel, thotë në një intervistë për gazetën “Bota Sot” thotë se asnjë senator apo zyrtar atje nuk ka imunitet. Në këtë drejtim duke iu referuar kërkesës së BE për statusin kandidat të Shqipërisë në vjeshtën e këtij viti, Engel thotë se palët duhet të angazhohen për heqjen e tij, si rruga më e mirë për këtë proces. “Siç e di unë në qoftë se miratohet ligji (pro amendimit të Kushtetutës për heqjen e imunitetit) për heqjen e imunitetit, BE-ja do t`a shohi atë si një sinjal pozitiv për Shqipërinë në BE. Perderisa BE thote keshtu mendoj se do jetë pozitive edhe për Shqipërinë që t`a heqë imunitetin. Ne në SHBA ne nuk kemi imunitet, unë vetë nuk kam imunitet, asnjë anëtar i Senatit, Kongresit apo zyrtar i lart nuk ka imunitet. Çdo anëtar i Kongresit, senatit apo zyrtar i lart janë si çdo shtetas Amerikan, dhe në opinionin tim është më mirë që edhe në Shqipëri, të hiqet imuniteti. Unë nuk e di se cili është teksti i këtij ligji,mbasi unë nuk e kam parë, natyrisht që dhe nuk dëshiroj të komentoj. Por, në qoftë se është e vërtet se BE-ja e shef këtë ligj me favor për një vend që e ka hequr imunitetin – kjo do të ndihmoj Shqipërinë në integrimin në BE dhe do jete një hap pozitiv për Shqipërinë”u shpreh Engel. Sa i përket marrjes së statusit kandidat në BE të Shqipërisë vjeshtën e këtij viti, Engel thotë se, është në favor të këtij hapi, edhe në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. “Unë gjithmonë kam qenë në favor për statusin e kandidatit të BE-së për Shqipërinë, edhe këtë vjeshtë në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Unë dëshirojë të shohim Shqipërinë dhe Kosovën si anëtare të BE-së dhe anëtare të NATO-s së bashku. Uë mendojë se BE-ja është e rëndësishme për Shqipërinë dhe Shqipëria duhet të jetë në BE dhe pas Shqipërisë, edhe Kosova të jetë në BE” tha ai. Në intervistën e tij, Eliot Engel, ka komentuar edhe zhvillimet e dy dekadave të Shqipërisë, ndërsa ka veçuar faktin se gjatë viteve të fundit është bërë progres i konsiderueshëm në të gjitha fushat. Kongresmeni demokrat, Eliot Engel, është një anëtar i lartë i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan dhe kryetar i Grupit të Çështjeve Shqiptare.

 Berisha ftesë Ramës për ta votuar për imunitetin

Nga Dhërmiu, gjatë një takimi më të rinjtë demokratë, shefi i maxhorancës tha se imuniteti nuk është kusht i vetëm për statusin kandidat ne BE, por mosvotimi i tij është pengesë në këtë rrugë. Duke mos votuar heqjen e imunitetit Shqipëria i dërgon një mesazh negativ Brukselit tha Berisha. Kryeministri është shprehur para të rinjve të forumit demokrat optimist për një mandat të tretë qeverisë, pasi sipas tij qeveria po i përmbush premtimet e bëra për qytetarët shqiptarë. Këtë të hënë është përcaktuar nga konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare që të votohen ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Ndërsa palët kanë miratuar një draft të përbashkët për këtë çështje, opozita është deklaruar kundër këtij votimi, pasi kërkon që të bëhen ndryshime të plota në Kushtetutë.

PD: “Rama voto ta heqim, mos blloko integrimin”

Selia blu e Partisë Demokratike i ka bërë thirrje selisë rozë të Partisë Socialiste që sot të mos pengohet heqja e imunitetit, sepse kështu rrezikohet marrja e statusit të vendit kandidat për në BE. Thirrja erdhi një ditë para se Kuvendi të votojë për heqjen e imunitetit përmes ndryshimeve kushtetuese. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi ka theksuar se “Partia Demokratike fton sërish kryetarin e Partisë Socialiste, z.Edi Rama të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit dhe procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, por të lejojë grupin e tij që të votojë ligjin e miratuar me konsensus të plotë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për heqjen e imunitetit, si një interes jetik i çdo qytetari shqiptar”.  Sipas saj, shqiptarët presin të shohin realitet ëndrrën evropiane. “Partia Demokratike fton kryetarin e Partisë Socialiste të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit për zyrtarët e vendit duke bllokuar kështu statusin e vendit kandidat, por të lejojë deputetët e Partisë Socialiste që me votën e tyre të shndërrojnë 6 gushtin në një fitore të vërtetë për të gjithë shqiptarët, përfaqësuesit dhe forcat e tyre politike. ”- tha ajo.

 Arben Malaj: “Imuniteti, negociata të minutës së fundit me mazhorancën”

Deputeti socialist, Arben Malaj u shpreh dje në mbrëmje, pro votimit në seancën e sotme parlamentare të heqjes së imunitetit. Por, ai sqaroi se personalisht nuk do të votojë kundër vendimit të grupit.  “Besoj se analiza që kam bërë ka qenë që votimi i datës 6 të ishte sa më i plotë. Ne si klasë politike duhet të eleminojmë çdo vonesë për integrimin”, – u shpreh, dje, Malaj, në një intervistë televizive për Ora Neës. Ai tha se edhe kolegu i tij, deputeti, Pandeli Majko është shprehur për negociata mes palëve, ndaj edhe vetë Malaj i qëndron idesë që duhet të kishte negociatat më të gjata, për të arritur në një zgjidhje. “Ne duhet të punojmë pa u lodhur për të bërë negociata, qoftë edhe të minutës së fundit”, u shpreh Malaj. Sipas tij, një dështim i tretë në marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE do të ishte i turpshëm, pse jo edhe një zhgënjim i madh për popullin. Ai tha se “nëse seanca parlamentare e së hënës do të rezultonte të ishte një seancë grindjesh do të ishte më mirë që të mos ishte bërë fare”. “Palët të negociojnë. Nëse s’do ishte data 6, të vendosej një datë tjetër. Le të ulen ekspertët dhe të gjejnë një opsion, ndoshta mund të mos jetë më i miri, por një zgjidhje e pranueshme”, – tha Malaj. I pyetur nëse ai vetë do të votonte pro heqjes së imunitetit, pra kundër vendimit të grupit, Malaj tha se: “Angazhimi im nuk është për të bërë garë brenda PS, angazhimi është që brenda PS ta përdorim më mirë kontributin. Duhet të ishte punuar 24 orë që data 6 gusht të na gjente me një zgjidhje, me një paketë sa më të pranueshme”.