Pushteti i Rilindjes ka vënë përfund Shtetin e së Drejtës

490
Sigal

Flet Prof. Elmaz Sherifi, ish-kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve: Në Shqipëri të akuzuarit për manipulimin e zgjedhjeve bëhen kryetarë të “Reformave Zgjedhore” dhe kryetarë të Komisionit Hetimor. Anarkaizmi institucional ka venitur demokracinë, ndaj KQZ-ja “bën ligjin”, kontrollon dhe vulos mbi aktet kushtetuese të Presidentit të Republikës

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve

Presidenti Meta, me paraqitjen në Komisionin Hetimor, u dha edhe një leksion mbi jurisprudencën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të njeriut për precedentin e Bullgarisë, e sidomos për deputetët që Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbi liritë politike të zgjedhjes, nuk e quajnë detyruese për Shqipërinë

Sot pushteti ekzekutiv ka vënë përfund çdo pushtet të Shtetit të së Drejtës

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish-kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke iu referuar llogaridhënies të Presidentit të Republikës Meta në Komisionin Hetimor Parlamentar shprehet se Presidenti Meta, me paraqitjen në Komisionin Hetimor, dha edhe një leksion për deputetët që Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbi liritë politike të zgjedhjes, nuk e quajnë detyruese për Shqipërinë, ndërsa drejtuesi i Komisionit Hetimor nuk doli nga pozicionet e një prokurori, pasi në tërësi deputetët nuk e kuptojnë rolin e pushtetit legjislativ në Shtetin e së Drejtës. Prof. Sherifi thotë se “Në Shqipëri të akuzuarit për manipulimin e zgjedhjeve bëhen kryetarë të “Reformave Zgjedhore”, ose kryetar të Komisionit Hetimor Parlamentar”.

-Prof. Sherifi, si ish Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ligjeve a mundet që Parlamenti të hetojë Presidentin e Republikës për shkelje të Kushtetutës për Dekretin i cili është akoma Ligj i Republikës së Shqipërisë?

– Sot Kryetari i Shtetit, duke iu përgjigjur ftesës së Komisionit Hetimor Parlamentar, u dha mundësi shqiptarëve të kuptojnë mjerimin e kulturës politik të deputetëve të atij komisioni, nivelin shumë të ulët të kulturës juridike kushtetuese të tyre dhe punën në boshllëk që po bën Kuvendi i Shqipërisë me atë që konsiderohet hetim parlamentar i kryetarit të shtetit. Çfarë po hetohet, kur veprimet e Presidentit janë të qarta. Presidenti Meta, me paraqitjen në Komisionin Hetimor, u dha edhe një leksion mbi jurisprudencën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të njeriut për precedentin e Bullgarisë, e sidomos për deputetët që Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut mbi liritë politike të zgjedhjes, nuk e quajnë detyruese për Shqipërinë. Deputetët nuk e dinë se Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut është ratifikuar në 31korrik 1996 dhe është normë juridike kuazi kushtetuese, e cila ndodhet në Kushtetutë /neni 17/2. Drejtuesi i Komisionit Hetimor nuk doli nga pozicionet e një prokurori, pasi në tërësi deputetët nuk e kuptojnë rolin e pushtetit legjislativ në Shtetin e së Drejtës. Parlamenti nuk ka asnjë kompetencë të gjykojë Presidentin, përderisa ai ushtron kompetencat që i jep Kushtetuta. Presidenti e ushtron pushtetin me anë të dekretit. Atë ka bërë Presidenti, Ka dekretuar anulimin e zgjedhjeve dhe ka caktuar një datë tjetër. Nëse dekretet janë antikushtetues këtë kompetencë e ka vetëm Gjykata Kushtetuese, jo parlamenti.

A mundet Parlamenti të hetojë Presidentin e Republikës për shkelje të Kushtetutës për për Dekretin e 30 Qershorit kur Raporti i OSBE/ODIHR vlerëson shkelje të Kushtetutës vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ që nuk zbatuan Dekretin e Presidentit të Republikës për 30 Qershorin?

– Absurditeti politik i parlamentit po vazhdon edhe pas Raportit Përfundimtar të OSBE/ODIHR që e konsideroi të pazakontë mosbotimin e Dekretit për Zgjedhjet Vendore në 13 tetor 2019 në Fletoren Zyrtare. Për ta kuptuar anormalitetin kushtetues e ligjor me zgjedhjet vendore po ju sjell një fakt. Është botuar në Fletoren Zyrtare dekreti i Presidentit që anulon zgjedhjet vendore të 30 qershorit dhe nuk botohet në Fletoren zyrtare dekreti i Presidentit që caktoi zhvillimin e zgjedhjeve vendore më 13 tetor? Raporti i OSBE/ ODIHR konstatoi mungesën e standardeve dhe pavlefshmërinë e procesit, por konstatimi nuk ka vlerë juridike kushtetuese. Raporti deklaron mungesën e standardet demokratike, ndërsa paligjshmërinë duhet ta vendos Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ekziston. E dukshme është mungesa e Institucioneve politike e juridike kushtetuese, e cila nuk mund të tejkalohet me debate politike mediatike, por vetëm me zgjedhje demokratike. Në Shqipëri anarkizmi Institucional ka venitur Institucionet demokratike, prandaj një organ administrativ si KQZ “bën ligjin”, kontrollon e vendos mbi aktet kushtetuese të Presidentit dhe regjistron subjekte elektorale zgjedhore, si përfaqësuese të opozitës, parti që ende nuk kishin vendim nga Gjykata, fakt i denoncuar edhe në Raportin e OSBE/ ODIHR dhe kalohet në heshtje edhe nga “pushteti mediatik”!

-A mundet që Kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar për Shkarkimin e Presidentit të Republikës të jetë personazhi kryesor i Dosjes 184, ku sipas publikimit të Audiopërgjimeve nga “Bild” bashkëpunoi me persona me rekorde kriminale për blerjen e votave në Dibër në 2016?

– E ky është një tjetër absurditet në këtë qeverisje, kur po shndërrohet në moral politik, amoraliteti. Ka një standard në vendet demokratike, kur ministra e deputetë japin dorëheqje nga funksionet kushtetuese vetëm pse kanë “vjedhur”, disa rreshta nga një autor, të cilit nuk i referohen në mbrojtjen e doktoraturës apo pse përgojohen se kanë pirë verë të shtrenjtë në lokale luksoze, sepse qeverisja është imazh drejtësie e ndershmërie. Në Shqipëri të akuzuarit për manipulimin e zgjedhjeve bëhen kryetarë të “Reformave Zgjedhore”, ose kryetar të Komisionit Hetimor Parlamentar, si rasti që pyesni. Ndërsa ata që bëjnë plagjiaturë në doktoratura bëhen shefa në parti e qeveri. Ky është morali i qeverisjes së sotme!

A është shteruese Raporti i OSBE/ODIHR-it it për Dekretin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve vendore në 30 qershor që vetëm Gjykata Kushtetuese ka kushtetueshmërinë të gjykojë Dekretin e Presidentit të Republikës?

– Mendoj se përgjigjen për këtë pyetje e konsumova. Në Shqipëri po inkurajohet politika partiake, në vend të kushtetueshmërisë dhe funksionimin e Institucioneve politike kushtetuese. Fakt bindës është mungesa e Gjykatës Kushtetuese e cila ka kompetencë të gjykojë aktet kushtetuese të parlamentit, Presidentit të Republikës dhe qeverisë. Sot pushteti ekzekutiv ka vënë përfund çdo pushtet të Shtetit të së Drejtës.

– Faleminderit!