Korçë/ Sipërmarrjet publike dhe private pa asnjë person të certifikuar për dhënin e ndihmës së parë

540
Sigal

Asnjë prej institucioneve publike dhe sipërmarrjeve private që operojnë në qarkun e Korçës nuk ka një person të certifikuar për dhënien e ndihmës së parë, në rastet kur punonjësit dëmtohen gjatë punës ose u kur u rrezikohet jeta. Ndërsa për krijimin e grupeve të tilla prej 10 apo më shumë personash as që u shkon nëpër mend, edhe pse ka një ligj për “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, i cili ka për objekt “përcaktimin e masave që synojnë garantimin e sigurisë dhe të shëndetit në punë të punëmarrësve”.

Të vetmit që zbatojnë nenin 75 të Kodit të Punës janë bizneset me pronarë shtetas të huaj. Pronarëve shqiptarë dhe drejtuesve të institucioneve publike nuk u kërkon askush llogari. Institucioni që duhej ta bëjë ketë është Inspektorati i Punës, por edhe ky i fundit, garantimin e sigurinë dhe të shëndetit në punë nuk e ka në plan të parë. Pra, e thënë më qartë, ajo nuk vlerësohet aspak dhe nga askush, është jeta e punëmarrësit shqiptar, gjë që bie në sy në saj të korrektesës që tregohet prej shtetasve të huaj, të cilët përpiqen të jenë në zbatim të ligjit, pasi në raste aksidentesh kërkohet dëmshpërblimi, kurse në Shqipëri për të marrë dëmshpërblimin, duhet të zvarritesh nëpër gjyqe për të vërtetuar nëse faji ishte i punëmarrësit apo i punëdhënësit, dhe në fund nuk fiton asgjë, edhe pse mund të mbetesh pa një këmbë apo pa një dorë.

Mungesa e ndihmës së parë

Mungesa e ndihmës së parë në institucionet publike dhe sipërmarrjet private u bë e ditur nga Kryqi i Kuq Shqiptar, dega Korçë. Në shpjegimin e tyre theksuan se: “institucioni që kontrollon kushtet e sigurisë në punë dhe zbatimin e nenit në Kodin e Punës, është Inspektorati Shtetëror i Punës”. Më konkretisht nga Kodi i Punës kërkohet që “nga çdo institucion të merren masat e duhura për dhënien e ndihmës së shpejtë çdo personi të dëmtuar në vendin e punës”. Gjithashtu: “Nga çdo sipërmarrje, të paktën një anëtar i personelit, për çdo grup, duhet të ketë marrë instruksionet e nevojshme për të dhënë ndihmën e parë në raste urgjente”.

Ashtu sikurse: “në çdo mjedis pune duhet të jetë kutia e ndihmës së shpejtë e pajisur rregullisht me material dhe mjetet e nevojshme”. Veç sa më sipër, “kodi i punës respekton konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, dhe bazohet në normat përgjithësisht të pranuara të së drejtës ndërkombëtare”, por megjithatë situata në këtë drejtim është dëshpëruese, pasi nuk flitet për plotësim të kushteve të sigurisë në punë, kur trajnimet e punonjësve dhe realizimi i kushteve të ndihmës së parë bëhet nga Kryqi i Kuq Shqiptar, i cili është i certifikuar nga Qendra Globale e Referencave për Edukim në dhënien e ndihmës së parë.

Jo të kujtohemi kur punëtori humbet jetën

Gjithashtu, punonjësit e punësuar në sipërmarrjet private apo në institucione publike duhet të njihen me ambientin, sigurinë që ofron vendi i punës, kushtet aktuale, përmirësimin e tyre dhe masat për mbrojtjen e shëndetit. Mbi të gjitha, Kodi i Punës synon sigurinë dhe shëndetin në punë si pjesë përbërëse e organizimit të procesit të punës, veçanërisht në marrjen e masave parandaluese, për mbrojtjen fizike dhe psikike të punësuarve.

Shumë më e domosdoshme bëhet kjo gjë kur të punësuarit, për shkak të punës që bëjnë, mund të marrin plagë, sëmundje apo shqetësime shëndetësore me efekt të menjëhershëm apo të ngadaltë si rezultat i ekspozimit në ambiente pune me elemente të dëmshme kimike, fizike apo biologjike të mjeteve të punës dhe makinerive pa pajisje mbrojtëse, të pasigurta për përdorim ose mënyrës së gabuar të përdorimit të mjeteve të punës dhe makinerive si dhe mënyrës së gabuar të organizimit të punës. Pra, nga sa më sipër, kuptohet qartë se sigurimi i jetës së punëtorëve duhet të jetë në plan të parë dhe jo të kujtohen kur një punëtor gjymtohet apo humbet jetën.