Shkrimtarja shqiptare Irma Kurti në Sanremo

477
Sigal

Nga Agim Xhafka

Poetja dhe shkrimtarja  shqiptare Irma Kurti përzgjidhet si një nga 12 finalistët në Konkursin e madh Letrar të shpallur nga Shtëpia e Shkrimtarëve në Sanremo dhe Booksprint Edizioni. Romani në gjuhën italiane: “In assenza di parole” (Në mungesë të fjalëve) u seleksionua  nga 495 vepra  dhe prej një jurie popullore të përbërë prej 300 lexues.

Finalistët do të prezantojnë librat e tyre gjatë natës finale të Festivalit të Këngës Italiane në 9 shkurt 2019 si dhe do të intervistohen në prani të gazetarëve që do të mbushin si rrallëherë mjediset e Casa Sanremo. Intervista do të transmetohet live dhe do të shpërndahet në kanalet zyrtare të këtij mjedisi.

Casa Sanremo është pika e takimit të këngëtarëve, kompozitorëve si dhe njerëzve të njohur të artit dhe kulturës italiane, veçanërisht në ditët e Festivalit.

Irma Kurti thotë: “Përzgjedhja e romanit: ‘Në mungesë të fjalëve’  në një konkurs të përmasave të tilla është hapi më i rëndësishëm në karrierën time letrare. Ajo që më gëzon dhe më emocionon është se ky libër është një homazh për babain tim, Hasan Kurti, një fëmijë i varfër dhe jetim, një mjek shembullor që ia dedikoi jetën pacientëve të tij. Ai u shkrua mbi ditarin e jetës së tij, të cilin im atë ma besoi vite më parë. Fakti që  libri kaloi një sprovë të vështirë përkrah qindra veprave të autorëve italianë, më mbush me gëzim e krenari”.

Irma Kurti ka botuar shtatëmbëdhjetë libra në gjuhën shqipe, njëmbëdhjetë në gjuhën italiane dhe tre në anglisht. Pak ditë më parë doli në qarkullim libri i saj i ri me poezi titulluar: “Il sole ha emigrato”(Dielli ka perënduar).