Rreth 100 azilkërkues shqiptarë janë riatdhesuar nga Franca dhe Gjermania me avion. Në total janë rreth 100 shtetas shqiptarë, të cilët kanë kërkuar azil në këto vende të BE-së, por që sigurisht kërkesat e tyre nuk janë pranuar dhe sot ata janë riatdhesuar në territorin e Republikës së Shqipërisë. Këto janë operacionet e para të riatdhesimit të shqiptarëve që kanë kërkuar azil në vendet e Evropës për vitin 2019. Ligji për azil në Gjermani, për sa u përket shqiptarëve ka ndryshuar, madje do të ndryshojë prapë. Legjislacioni është ashpërsuar dhe është reduktuar koha e procesimit të kërkesave për azil të shtetasve shqiptarë. E njëjta gjë do të ndodhë edhe me Francën. Duke filluar nga janari 2019, legjislacioni francez i ndryshuar ka kaluar në parlamentin francez, shumë shpejt hyn në fuqi dhe ky legjislacion do të ashpërsohet. Kriteret do të jenë shumë më të rrepta, koha e shqyrtimit të kërkesës, pra aplikimit për azil do të jetë shumë më e shkurtër, dhe shtetasit shqiptarë të cilët padrejtësisht kanë aplikuar për azil në Francë, do të kthehen, do të riatdhesohen në territorin e Republikës së Shqipërisë. INSTAT këto ditë publikoi të dhëna, ku pohoi se 200.000 shqiptarë u larguan vetëm gjatë 2018-s, për shkaqe ekonomike, pasi në Shqipëri e kanë të vështirë të mbijetojnë nga papunësia, varfëria.