Gjergj Kastriot Skënderbeu, strateg dhe komandant i luftës së rregullt dhe guerile

2781
Sigal

Prof. Dr. Shahin Leka

Strategjitë luftuese të Skënderbeut në Betejat e Albulenës dhe Torviollit dhe arritjet e tij në veprimet luftarake

Skënderbeu ndërtoi një ushtri të rregullt

Në luftën 25 vjeçare kundër Perandorisë Osmane, Skënderbeu ka shpalosur koncepte politike e strategjike të qarta, si dhe aftësinë të gjejë zgjidhje të drejta nëpërmjet luftës së armatosur dhe veprimtarisë diplomatike në varësi nga situata. Të befasuar nga këto arritje në historiografinë botërore është shtruar çështja e metodave të luftës së armatosur të përdorura nga Skënderbeu në krye të një ushtrie të vogël kundër ushtrisë më të madhe e më të fuqishme të kohës. Ka historian si Vogit, Jorga e ndonjë tjetër dhe së fundmi historiani zviceran Shmid me një tendencë të theksuar për të ulur vlerat e Skënderbeut e të veprës së tij, që e vlerësojnë Skënderbeun vetëm si një strateg i luftës guerile, si një komandant çetash malësore. Sigurisht Skënderbeu ishte një komandant shumë i zoti i luftës guerile. Por ai ishte njëherazi strateg dhe komandant i luftës së rregullt, po kaq i zoti dhe zhvilloi kundër ushtrisë osmane një numër të madh betejash sipas kritereve të luftës së rregullt. Për tu ndeshur me kundërshtarin jo vetëm me metodat e luftës guerile, por edhe me beteja në fushë të hapur, Skënderbeut i duhej së pari të ndërtonte një ushtri të rregullt. Krijimin e kësaj ushtrie e mundësoi zbatimi i parimit “burrë për shtëpi” dhe hartimi i listave të rekrutimit. Ky sistem që ka tiparet e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, ishte mjaft përparimtar për kohën. Skënderbeu krijoi kështu i pari në Evropë në periudhën e Mesjetës, ushtrinë e përhershme dy vjet para Karlit XII të Francës, i cili vetëm në vitin 1445 krijoi një lloj ushtrie të përhershme, dhe këtë ushtri Shmidi e vlerëson si një masë të vogël luftëtarësh fshatarë e blegtorë ndryshe nga çka dëshmon Falmerajer, se “në krahinën e stërgjyshërve në Mat u bë regjistrimi në lista i banorëve të aftë për të luftuar. Për një veprim të tillë në krishterimin e atëhershëm nuk kishte menduar njeri, por edhe për Shqipërinë ishte një reformë që nuk ishte dëgjuar dhe në këtë mënyrë të regjistruarit thirreshin nën armë rregullisht sipas nevojës dhe dëshirës”. Kjo ushtri me tipare të plota të një ushtrie të rregullt, hedh vetëm themelet për të përdorur në fushën e luftës si taktikën partizane, por dhe atë të luftës së rregullt. Konkluzione më të qarta mund të nxjerrim nëpërmjet një analize të argumentuar të betejave të ushtrisë shqiptare të komanduar nga Skënderbeu, mbështetur në ligjësitë, parimet dhe rregullat e luftës e të artit ushtarak, analizë të cilën në tërësi historianët e kanë anashkaluar.

Përmbajtja e betejës

Së pari na duhet të sqarojmë, cila është përmbajtja e luftës së rregullt dhe betejës në periudhën e shek. XV. Beteja është një dukuri tipike që karakterizon luftën e rregullt nga lashtësia e deri nga mesi i shek. XIX. Ajo përfaqëson ndeshjen në fushë të hapur të masës kryesore të forcave të dy palëve, të cilat mund të jenë rreshtuar përballë njëra-tjetrës ose fillojnë luftimin me afrimin në fushën e betejës. Ajo është një veprim taktik që synon realizimin e një objektivi strategjik. Sipërfaqja e fushë-betejës ka lëvizur nga 2-3 km x 5-10 km deri 15-20 km x 5-20 km. Kohëzgjatja e betejës ka ndryshuar nga disa orë në 2-3 ditë. Zakonisht betejat janë zhvilluar me forca 10-20 mijë luftëtarë nga secila palë. Por njihen edhe raste kur ato i kanë kaluar 50-70 mijë luftëtarë e më tepër për njërën apo për të dy palët ndërluftuese. Vetëm nga gjysma e dytë e shek. XIX e sidomos me fillimin e Luftës së Parë Botërore, beteja i kishte shteruar aftësitë e saj për të plotësuar një detyrë strategjike. Një varg faktorësh që përcaktuan rritjen numerike të ushtrisë dhe të teknikës luftarake, kushtëzuan kalimin nga beteja të operacioni dhe krijimin shkallë-shkallë të fronteve të pashkëputura ç’ka kërkonte kryerjen e një vargu të tërë betejash dhe operacionesh për plotësimin e një detyre strategjike. Mbështetur në këto kritere analizojmë betejat e Skënderbeut. E fillojmë me betejën e parë, Betejën e Torviollit. Pas një tërësie lëvizjesh e manovrimesh në mëngjesin e 29 qershorit të vitit 1444 të dy palët u rreshtuan përballë njëra-tjetrës. Në kodrat përreth fushës së Torviollit ishin përhapur forcat turke me një efektiv prej 25 mijë veta (15.000 kalorës e 10.000 këmbësorë) nën komandën e Ali Pashës, një nga gjeneralët më të zot të perandorisë. Këtu fillon edhe organizimi i mashtrimit nga Skënderbeu. Në fushë ai kishte përhapur në vendin e luftimit një efektiv prej 9.000 luftëtarë të ndarë në tre grupime me 3.000 veta, në secilin 1.500 kalorës e 1.500 këmbësorë të komanduar secili grupim nga Tanush Topia, grupimi i qendrës nga vetë Skënderbeu dhe Moisi Golemi. 6.000 luftëtarë të tjerë të ndarë në dy grupime, Skënderbeu i mbajti në rezervë duke i vendosur në mënyrë të fshehtë në pika kyçe mbas rendimit të luftimit. Ali Pasha i bindur se do të arrinte një fitore të lehtë përballë një force me inferioritet të theksuar e të vendosur në kushte terreni të papërshtatshme, kalon në mësymje të fuqishme në qendër e mandej në të dy krahët e frontit të betejës. Pas disa orë luftimesh të ashpra në çaste të vështira për ushtrinë shqiptare, futen në luftim në mënyrë të befasishme e të rrufeshme grupet e rezervës, duke ndryshuar tërësisht gjendjen. Beteja përfundoi me shpartallimin e plotë të ushtrisë turke. Beteja e Torviollit e zhvilluar në fushë të hapur, ku të dy palët ishin rreshtuar përballë njëra-tjetrës, përmbushte të gjitha kriteret e një beteje sipas metodave të luftës së rregullt: përmasat e fushës së betejës, forcat pjesëmarrëse dhe kohëzgjatjen. Askujt si ka vajtur në mend ta vlerësojë këtë betejë të zhvilluar sipas metodave të luftës guerile. Përkundrazi, përdorimi për herë të parë i rezervës si element i veçantë i rendimit të luftimit duke mos u qëndruar strikt metodave taktike të njohura, shënoi progres në fushën e artit ushtarak.

Betejat e rregullta

Gjatë viteve në vijim betejat e rregullta ndjekin njëra-tjetrën, si beteja e Drinit dhe Oranikut në vitin 1448. Beteja e Pologut e vitit 1453, ajo e Oranrikut e vitit 1456 e shumë të tjera. Por beteja në të cilën Skënderbeu shfaqi largpamësi, aftësi mahnitëse dhe nivel të laritë strategjik, ishte beteja e Albulenës e zhvilluar në verën e vitit 1457. Ajo ishte nder betejat me te mëdha mësymëse te zhvilluara në fushat e Evropës gjatë shek. XV-XVI. Veprimet luftarake filluan me një tërheqje të thellë strategjike mashtruese të ushtrisë shqiptarë, nga brezi kufitar në drejtim të Lezhës, duke synuar të krijojë te komanda turke bindjen e gabuar se forcat shqiptare ishin të paorganizuara e të paafta për të përballuar ushtrinë e madhe turke, ç’ka e detyroi të kërkonte ndihmë te Venediku. Vijoi pastaj një heshtje e plot prej 4-5 javëve e forcave të Skënderbeut, që e bëri mashtrimin tërësisht të besueshëm. Në të tilla rrethana si vigjilenca e komandës, ashtu dhe disiplina e gatishmëria luftarake e forcave turke të përhapura në mënyrë të çrregullt në fushën e Albulenës, po shkonin drejt rënies. Shthurja disiplinore dhe vapa e madhe e gushtit e kishin dobësuar aftësinë luftarake të kësaj ushtrie. Ideja e mashtrimit e Skënderbeut ishte realizuar me shumë sukses. Në momentin e përshtatshëm në mesditën e 7 shtatorit, formacionet shqiptare të cilat kishin zënë në mënyrë të befasishme lartësitë në lindje të fushës së Albulenës, kaluan në mësymje të vrullshme e të fuqishme duke e gjetur në befasi të plotë ushtrinë osmane. Humbjet e para për turqit të tmerruar e në panik, ishin shumë të mëdha. Mbas përpjekjeve për t’u organizuar, luftimi mori tërësisht pamjen e një beteje të rregullt, por zotërimin e gjendjes dhe epërsinë morale i kishin forcat shqiptare. Veç humbjeve të shumta që forcat turke pësuan në fushën e betejës, grupime të çrregullta trupash asgjësoheshin nga pritat e ngritura në rrugët e tërheqjes. Fitorja ishte mahnitëse. Ushtria e vogël shqiptare prej 17.000 luftëtarë mundi ushtrinë e madhe turke prej 50.000 veta. Humbjet ishin të pallogaritshme, rreth 20.000 të vrarë në fushën e betejës, veç shumë të tjerëve gjatë rrugëve të tërheqjes.

Fitore në fushë të hapur

Fitorja e Albulenës ishte rrjedhojë e manovrës së thellë strategjike e cila bëri të mundur së pari mashtrimin e armikut dhe së dyti, nxjerrjen e forcave në kushte të përshtatshme si në pikëpamje të terrenit, ashtu dhe të befasisë së goditjes. Një manovër me përmasa të tilla e me një ide kaq të qartë, nuk njihej atëherë jo vetëm nga ushtritë e vogla të vendeve të Evropës, por edhe nga ushtria e madhe turke. Po kështu, ndërtimi i formacionit të luftimit, mënyra e zhvillimit të mësymjes dhe rezultatet që arriti, i japin betejës së Albulenës tiparet e një beteje fushore të përmasave të mëdha, e zhvilluar sipas të gjitha kërkesave të luftës së rregullt. Është një ndër ato beteja kulmore të historisë së luftërave që mund të arrihet nga strategë e komandantë të mëdhenj, me vizion e personaliet të veçantë e që gëzojnë adhurimin e besimin e plotë të ushtrisë. Por ka historian të cilët edhe pse i pranojnë përmasat e betejës së Albulenës, e vlerësojnë atë si një mësymje masive resultative, mohojnë manovrën strategjike të ushtrisë shqiptare. Edhe vet Shmidi pranoi se “Kjo (Albulena) ishte fitorja më e madhe që kishte arritur ndonjëherë Skënderbeu në fushë të hapur”. Por i ndikuar nga kronikat serbe, sipas të cilave tërheqja e Skënderbeut ishte katastrofë, apo edhe nga ndonjë e dhënë tjetër e kohës. Shmid konkludon se “ishin ndihmat e mëdha papnore në të holla e në flotë të cilat e kthyen fatin…”. Po si kthyen fatin a thua si me magji, ashtu menjëherë si, me shkopin magjik. Jo zoti Shmid, nuk mund të organizohet e të vihet në gatishmëri një ushtri e cila, sipas jush ishte e shpërndarë, shpartalluar e demoralizuar brenda pak javësh (në kushtet e shek. XV) edhe me mbështetjen e një ndihme financiare. Është absurde të mendosh se mund të mobilizohet, organizohet e të nxirren grupimet në pozicionet e nisjes e gjithë kjo veprimtari në afërsi të fushimit të ushtrisë turke prej 50.000 veta e komanda turke të mos marrë asnjë njoftim.

Taktika e çetave dhe luftës guerile

E kemi përqendruar vëmendjen te betejat e rregullta dhe duket sikur kemi lënë mënjanë veprimet luftarake sipas taktikës së çetave apo luftës guerile. Ato kanë qenë pjesë e pandarë dhe tepër e rëndësishme e veprimtarisë luftarake të ushtrisë Shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut. Duke planëzuar betejën, Skënderbeu njëherazi caktonte një pjesë të forcave për të zhvilluar luftën në lëvizje, sipas të gjitha metodave të luftës guerile. Kështu në betejën e Torviollit, sipas planit të hartuar, u ndërmorën goditje e prita me grupe luftëtarësh kundër kolonave të ushtrisë turke që po afrohej. Të ndodhur përballë epërsisë të madhe të armikut, këto forca duke manovruar me mjeshtri mundën të krijojnë te armiku përshtypjen se ishin të mundur dhe filluan tërheqjen. Kjo mundësoi mashtrimin dhe ndjelljen e armikut në fushën e betejës, ku ushtria Shqiptare i zhvilloi veprimet luftarake në kushte të favorshme për të. Veprime luftarake sipas taktikës guerile ishin praktikë e rregullt e të gjitha betejave, ishin pararendëse e tyre. Ato nëpërmjet pusive e goditjeve të befasishme i lodhin kolonat armike, i dobësonin aftësitë luftarake të tyre gjatë afrimit apo hyrjes në brendësi të vendit, ja lehtësuan fitoren forcave të përhapura në formacion luftimi për betejën e rregullt. S’janë të pakta edhe rastet kur beteja të tëra janë fituar nëpërmjet mashtrimit, kurtheve, pritave e sulmeve të befasishme, pra kur janë përdorur më tepër efektivitet metodat e luftës guerile. Në Tetor të vitit 1445, forcat e Firuz Pashës prej 9.000 veta u shpartalluan në pritën e befasishme të organizuar me mjeshtri nga ushtria shqiptare prej 3.500 veta. Një vit më vonë në Shtator të 1446, sërish në zonën e Mokrës, ushtria turke prej 15.000 veta e komanduar nga Mustafa Pasha, një gjeneral tjetër i shquar i Perandorisë, jo vetëm nuk mundi ta fusë në kurth ushtrinë shqiptare, por u detyrua të tërhiqet nga një goditje e befasishme e saj me një efektiv tre herë më të vogël. Në të dyja këto raste nëpërmjet taktikës partizane, u plotësuan detyra tepër të rëndësishme që synonin jo thjesht për t’i shkaktuar dëme armikut e mandej të tërhiqeshin, por ndiqnin një qëllim vendimtar, shpartallimin ose asgjësimin e armikut. Kështu ndodhi edhe në dy ekspeditat e ndërmarra nga ushtria turke nën komandën e Ballaban Pashës në muajt prill e qershor të vitit 1465. Taktika e ushtrisë turke në këto ekspedita ishte përdorimi i goditjeve të befasishme e pritave. Por Skënderbeu bën të dështojë edhe kjo taktikë e Ballaban Pashës e të arrijë fitore të plotë kundër ushtrisë turke me epërsi mbi tre herë, nëpërmjet përdorimit të tërheqjeve mashtruese, sulmeve të befasishme e manovrës krahëmarrëse.

Skënderbeu dhe ushtria shqiptare hapën një front lufte

Aftësitë e shumanshme të Skënderbeut nxorën në dritë strategun e komandantin me famë botërore. Skënderbeu dhe ushtria shqiptare hapën një front lufte në ekstremin perëndimor të perandorisë osmane, por në një drejtim të rëndësishëm gjeostrategjik. Skënderbeu vlerësohet si gjenerali guximtar dhe strategu që askush nuk e zotëroi më mirë se ky mjeshtërinë e luftës, çka bëri që Papa Kaliskati IV ta emërojë Kapiten të Përgjithshëm të Selisë së Shenjtë. Kujtojmë se Skënderbeu dhe ushtria e tij u ndeshën dhe fituan kundër dy sulltanëve më të mëdhenj të perandorisë dhe 15 gjeneralëve ndër më të zgjedhurit e saj. Vlerësimet për heroin tonë kombëtar Skënderbeun janë plotësisht të dokumentuara, të vlerësuara e të gjithë pranueshme, janë njëherazi një dëshmi e qartë e madhështisë së këtij personaliteti historik. Pas kësaj trajtese të përmbledhur të betejave kryesore të zhvilluara nga ushtria shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut arrijmë në konkluzionin e qartë se Skënderbeu përdori e ndërthuri me aftësi e mjeshtëri të lartë të gjitha format e luftës, si të luftës guerile dhe atë të rregullt. Aftësitë e shumanshme të Skënderbeut nxorën në dritë strategun e komandantin me famë botërore dhe i dhanë atij mundësi të drejtojë dhe komandojë një ushtri të vogël, por tepër të përgatitur kundër fuqisë ushtarake më të madhe të kohës dhe të arrijë fitore për 25 vjet. Tërheq vëmendjen vlerësimi i një specialisti e teoricieni të artit ushtarak të shek. XVIII gjeneralit anglez Xhejms Uolf, i cili shkruan se: “do të ishte një punë e paçmueshme po të mund të sigurohej një përshkrim i mjaftueshëm i veprave të Skënderbeut, sepse ai shkëlqen midis gjeneralëve të kohëve të vjetra dhe të sotme si udhëheqës i një ushtrie të vogël mbrojtëse”. Sigurisht teoricieni anglez, i cili e ngre heroin tonë mbi gjithë gjeneralët e kohërave të vjetra e të reja ishte kryesisht i interesuar për veprat e një udhëheqësi të një lufte të rregullt sesa të një komandanti të luftës së çetave. Skënderbeu është një realitet i fuqishëm historik. Në qoftë se personalitetit i Skënderbeut ka arritur ato kulme, ato përmasa, që koha dhe popujt i kanë dhënë dhe fuqinë e një miti, kjo është një dëshmi tjetër e qartë e madhështisë së tij.