Bernard Zotaj/ Dëshmorët e Ramicës, lavdia dhe përkujtimi i tyre

1699
Krahina e Smokthinës me fshatrat e saj, Ramicë, Matogjin, Bashaj, Shalës-Mesaplik është një krahinë me histori të lashtë në Shqipëri, histori që fillon me gjetjet e para historike të Cerjes, të Kacorrit, të Boderit e që vijnë më pas me fiset ilire. Por historia e më vonshme e Smokthinës është dhe më e shndritshme e më e lavdishme. Ajo i bën nder dhe historisë Kombëtare me kapedanët kundër Tanzimatit, me çetat patriotike për pavarësinë e Shqipërisë e Luftën e Janinës 1913, të Luftës së Vlorës 1920, të komanduara nga bijtë e kësaj treve kapedan sit ë Cane Myftarit, Haxhi Hoxha, Tartar Memushi, Dule Zoto, Jazo Kapo, Zaçe Xhelo, Bajram Qamili e gjersa vijmë në LANÇ-it, ku smokthinjotët mbushën rreshtat partizane të komanduara nga Mevlan Dervishaj e komandantë të tjerë. Dëshmitarë të historisë së Smokthinës në të gjitha kohërat janë Rrepet e Mesaplikut, Rrapi i Gurrave, Përralli i Verbasit, Shpella e Hyse etj. Këto monumente të gjalla të natyrës janë pika referuese e historike, ku janë bërë organizime të mëdha, është dhënë fjala smokthinjote për t’i bërë ballë të keqes. Ramica është pak e njohur nga turistët e huaj dhe vendas, por kush ka shkuar aty është mahnitur nga mrekullitë e natyrës, vend me bukuri të rrallë. Ramiciotët ende ruajnë traditën e mikpritjes, të dashurisë e respektit reciprok për njeri-tjetrin, të festave tradicionale e familjare e rite të tjera. Patriotë të shquar dhe antifashistë të vendosur, bijtë e saj, Mevlan Drevishaj dhe Veis Pipa krijuan Çetën Partizane “Zigur Lelo” në Smokthinë, më 5 qershor 1943. Kjo ishte çeta e dytë pas Çetës “Plakë” në krahinën e Mesaplikut. Çeta “Zigur Lelo” nuk lindi vetvetiu, ajo ishte rrjedhim llogjik i situatës së rëndë, në të cilën ndodhej karahina e Smokthinës dhe e gjithë Shqipëria. Krijimi i këtij formacioni luftarak shënonte një ngjarje të shënuar për fshatin Ramicë dhe fillimin e një epoke te re në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë. Kjo çetë do të jepte një kuptim më realist e jetësor gjithë veprimeve të armatosura antifashiste që ishin krijuar në territorin e zonës nën drejtimin e patriotëve smokthinjotë dhe të krahinës. Ata u betuan së gjaku i derdhur nga bijtë e Smokthinës për mbrojtjen e Vlorës më 1920 nuk ishte derdhur kot. Kjo qëndresë, ky shembull vetmohimi i kësaj treve të dëgjuar për bëmat e saj, do të përbënte një guxim dhe besim tek të gjithë, të mëdhenj e të vegjël të krahinës.
Sigal

Betimi i parë

Në betimin e parë që bënë luftëtarët smokthinjotë të lirisë, ishte ëndrra dhe zëri dhe amaneti i kaçakëve, komitëve e kapedanëve të rënë në fushëbetejë apo të vrarë pabesisht nga tradhëtarët e kohës. Aty ishin dhe luftëtarët ramiciotë që derdhën gjakun në fushëbetejë. Të gjithë kjtojnë patriotët dhe partizanët që pa frikë hapën fletën e parë në enciklopedinë e re të historiografisë krahinore, që do të vazhdonte me tej me krijimin e batalioneve partizane dhe të Br. V S. Ky ishte një mesazh i fortë për të treguar një fakt të njohur, një të vërtetë të madhe se guximi i çdo brezi smokthinjotësh jetonte, se këtej e tutje do të lartësohej akoma më shumë me rreth 300 luftëtarë dhe më vonë u dëgjua jehona e aksioneve luftarake të Gjormit, të Malit të Thatë, të Jonuftës, të Drashovicës, të Vlorës e në të gjithë Shqipërinë, deri tej në tokat e ish-Jugosllavisë. Do të ishte vlerësim i madh që ajo çetë, ai grup luftëtarësh të lirisë të drejtuar nga bijtë e Smokthinës, do të ishin kuadrot e ardhshëm të shtetit dhe do të mbeteshin deri në fund njerëz të vërtetë e të besushëm që ditën mirë se çfarë bënë për t’i shërbyer Smokthinës e Ramicës, historisë së saj dhe gjithë Shqipërisë. Ata zgjodhën vetë me dëshirë rrugën e vështirë e plot sakrifica të luftës për liri; u kalitën në përleshjet e armatosura me pushtues dhe tradhëtarët, u rritën dhe burrëruan në një varg aksionesh e betejash, përfshi dhe dy operacionet e përmasave të mëdha të Dimrit 1943-1944 e të Qershorit 1944 dhe kjo ka rëndësi për ne, për sot e për të ardhmen.
Mesazhi
Mesazhi që vjen sot nga thellësia e viteve dhe prek telat e zemrave të trazuara të çdo ramicioti, në këtë trazicon të gjatë, hallesh dhe gëzimesh, është amaneti për të mos i harruar luftëtarët dhe partizanët e parë të lirisë së vendlindjes e të rënët në altarin e lirisë e Atdheut. Ramica është një dhe e pandarë në tërë hapësirën mjedisore, historike, kulturore e zakonore në Luginën e Mesaplikut dhe të Lumit të Vlorës. Kështu ka qenë kjo në shekuj, e bashkuar kundër pushtuesëve të kohës që kanë dashur ta copëtojnë e pushtojnë. Larg ndarjeve, parcelizimeve, grindjeve dhe mërive të kota, që përveç interesave të ngushta personale, s’kanë patur asgjë të përbashkët me patriotizmin e Ramicës dhe bukurinë e saj. Ndaj kudo që shkojmë, mbetemi me vështrim nga viset tona, fytyrën e saj, e marrim me vete, dashurinë dhe respektin për bijtë e bijat e saj e vepën e tyre ndritur. Ramiciotët kujtojnë partizanët e tyre në LANÇ, komandantin Mevlan Dervishaj, partizanin dhe gjeneralin Bako Dervishaj, plotë veteranë të tjerë të larguar nga jeta që ishin mbrojtëst e vlerave më të mira.
Në çdo 5 maj, dëshmorëve ju bëhet apeli tek labitari i ngritur në qendër të fshatit, duke thirrur emërat e dëshmorëve të saj si: Sadik Zoto Zotaj, Rakibe Azbi Dervishaj, Sinan Mustafa Canaj, Luto Shaqe Canaj, Syrja Veli Sarçaj, Shamet Llano Gabaj, Tare Myslim Kokallaj, Salo Kalo Birçaj, Nexhip Xhihaj, Mulo Dalan Dervishaj, Miftar Ali Bocaj, Lelo Jazo Gabaj, Lesko Hajro Lekaj, Izet Yzeir Caushaj, Elmas Adem Rrrokaj, Gani Bajram Gabaj, Reiz Alem Banushaj, si dhe të masakruarve në këtë luftë të përbotshme, si: Sarta Murat Gabaj, Male Mato Kokallaj, Godo Hamzo Muçoasanaj, Rrapo Hakim Pronjaj, Hajdine Zogaj. Ja këto fjalë dha kryetari i veteranëve të Ramicës Bajram Malaj, në ditën e 5 majit 2015. Fjalën e tij e mbështetën me këngë, recitime dhe përshëndetje edhe nxënësit e shkollës së Mesme të Ramicës. Përshëndetën edhe të tjerë e më tej vijuan vizitat në familjet e dëshmorëve të fshatit. Ky është një ritual tashmë i përvitshëm i organizuar nga veteranët dhe i gjithë komuniteti i saj i mbështetur dhe nga kolektivi i arsimatërve të shkollës. Kështu veteranë e familje dëshmorësh, nxënës shkolle dhe bashkëfshatarë të të gjitha ngjyrimeve politike mblidhen në ditën e Dëshmorëve dhe i kujtojnë të gjithë të rënët dhe të masakruarit e fshatit Ramicë në Luftën e Dytë Botërore.