Hapja e shkollës shqipe në Vërmik, 105 vjet më parë

1162
Sigal

Seri Tushi

Me gjithë përpjekjet e mëdha për hapjen e shkollës shqipe në Vërmik para vitit 1912 nuk u realizua. Dimë se deri në këtë kohë shumë djem vërmikas kishin mësuar të shkruanin dhe të lexonin gjuhën shqipe, që e kishin arritur nga abetaret që kishin ardhur në Vërmik nga Hamit Çela,“Lumi”.

Hamit Çela (Lumi) 1869 – 1929

Solli abetaret e para shqipe në Vlorë, lumin e Vlorës, Vërmik e Kurvelesh.

Këtë e dëshmonin gjithë moshatarët që kishin qenë në atë kohë djem të rinj, si Ago Bleta kur e pyeten se ç’shkollë kishte mbaruar, ai u përgjigj: “ Kam mbaruar shkollën e përrallave nga abetaret e Hamit Lumit.” Kështu thoshte edhe Difo Braka, Balil Tushi e shumë të tjerë. Shkolla shqipe në Vërmik u hap pas shpalljes së Pavarësisë, në kohën kur qeveriste Ismail Qemal Vlora, 16 nëntor 1913. Mësimet filluan në gjuhën Shqipe në Mejtep. Mësues ishte biri i këtij fshati, Naim Braka. Në këtë shkollë filluan mësimin 20 nxënës të cilët ishin: Xebo Mëzuri, Kojdhel Veshi, Ramo Braka, Spaho Gjoka, Gushë Çela, Kamber Xhuveli, Shaban Tushi, Shaban Kolila, Piqo Hania, Naim Gjoni, Ismet Toli, Hajro Mezuri, Salo Lloi dhe shtatë vajza, Të cilat ishin: Hava Gjoni (Tushi), Blue Veshi (Çiraku), Merduri Mezuri ( Kashta), Mamude Çipa, Qamile Tushi (Brahimi), Tarika Memaj ( Bleta ), Salushe Gjoni (Veshi). Fillimi i shkollës në gjuhën shqipe në Vërmik u realizua në saj të përpjekjeve të mëdha të bëra nga patriot vërmikas. Pjesëmarrja e shtatë vajzave ne këtë kohë në këtë shkollë tregon dashurinë e madhe për gjuhen shqipe, shkallën e emancipimit të shoqërisë vërmikase dhe etjen e madhe për dituri e zgjim – arsim dhe kulturë.

Mësuesi i parë në shkollën e Vërmikut

Ja si tregon një ish-nxënëse e kësaj shkolle, Hava Tushi, për emërtimin e shkronjave me emra konkretë (tabelë ilustrative): a-ariu; b-bari; c-cjapi; ç- çuni; d-dora; dh-dhia; e-era; (për shkronjën -ë) nuk e konkretizon siç duhet, nuk ka qenë në alfabet; f-flamuri; g-guri; gj-gjuri; h hena; I-iriqi; j-jaka; k-kali; l-lopa Po kështu edhe LL mungon; n-nata; nj-njeriu; o-ora; p-pata;; s-sëpata; sh-sharra; t-tufa; th-thika; u-udha; v-vapa; x-xixa; xh-xhaka; y-ylli; z-zogu; zh-zhaba. Këto, ne fëmijët, i mësonim përmendësh si fjalë dhe i thoshim me njeri-tjetrin,secili mundohej të thoshte sa më shpejt e pa gabime – ari, bari, cjapi, çuni…Ia vlen të përmendim si zhvillohej mësimi: Nxënësit rrinin ulur këmbëkryq mbi një shtresë që ishte postëleshi (lëkurë dele apo dhie), që e kish secili të tijën, katërshoren (fletoren ) dhe abetaren e mbanin mbi gjunjë kur shkruanin dhe lexonin. Në faqe të murit nxihej një pjesë me te verdhë veze, e cila përziej me blozë ( skorie te oxhakut nga zjarri), në vend të shkumësit përdorej gëlqerore që mësuesi e përdorte për të shkruar fjalët ose shkronjat ne faqen e murit me një furçë të bërë me bisht kali a mushke, kurse më vonë përdornin gurë gëlqeror që përmbante allçi, i digjnin në zjarr, ata zbuteshin dhe shkruanin si shkumësa.

Hapi shkollën e parë shqipe, në Bashaj 1916       

Mësues i parë në Sevastere e Gorrisht

Pas luftës, shkolla fillore u hap në Vërmik, më 1 shtator 1946. Mësues ishte Thanas Ksera nga Gjirokastra (Vërmiku në këtë kohë ishte me Kurveleshin, me komunën Gusmar dhe prefekturën e Gjirokastrës). Në këtë shkollë filluan mësimet 51 nxënës, prej këtyre 30 vajza. Nga viti 1946 deri ne vitin 1948 shkolla e Vërmikut ishte me një fuqi mësimore, ndërsa ne vitin shkollor 1948-1949 në shkollën e Vërmikut erdhën dy fuqi mësimore, pra, klasat u ndanë: Klasa e parë dhe e treta bashkë dhe e dyta dhe e katërta bashkë. Klasa e dytë dhe e katërt vazhduan mësimin në shkollë, me mësues Ismail Agalliun, kurse klasa e parë dhe e tretë vazhduan mësimin në shtëpinë e Idai Alimuçit me mësues Dëfrim Xhindin.

Me dy fuqi mësimore vazhdoi edhe viti shkollor 1949-1950 dhe viti shkollor 1950-1951 me mësues Shaqir Xhuveli dhe Esat Nguci. Pas vitit 1952 vazhdoi me një fuqi mësimore deri në vitin shkollor 1963. Në vitin shkollor 1964-1965 erdhi dhe një fuqi mësimore, Esat Budia nga Vlora, por qëndroi vetëm një muaj dhe u largua. Në vend të tij erdhi Nasho Mërtiri nga Piluri, cili qëndroi gjashtë vjet në Vërmik. Nga viti 1946 e deri në vitin 1968 që u hap shkolla 7-vjeçare në Vërmik mbaruan shkollën fillore shumë nxënës dhe pjesa më e madhe e tyre vazhduan shkollën 7-vjeçare ne Vlorë. Në fillim fëmijët rrinin në njerëzit e tyre që banonin në Vlorë, më vonë në konvikte që u hapën në Vlorë për zonat e vështira. Kërkesa të vazhdueshme të popullit të Vërmikut për hapjen e shkollës 8-vjeçare ditën ishin të vazhdueshme, por pas hapjes së shkollës së natës, u bë e mundur që të hapej edhe ditën. Kështu më një shtator 1968 filloi shkolla 8-vjeçare ditën. Në këtë vit shkollor filluan klasën e pestë 8 nxënës , që ishin 7 vajza dhe një djalë: Sanie Tushi, Sanie Alimuçi, Meni Mezuri, Limone Alimuçi , Vasilika Alimuçi , Nazire LLoi, Dhurata Alimuçi dhe Festim Xhuveli. Mësimin e filluan në vatrën e kulturës me mësuese Kujtime Tafilin.

Ndërsa në vitin e dytë, mësimin, dy klasat e ciklit të lartë e vazhduan, klasën e pestë në vatrën e kulturës, kurse klasën e gjashtë në zyrën e kryesisë së kooperativës me mësuese Gjinovefa Merkaj. Gjatë kësaj kohe populli i Vërmikut iu përvesh punës për ndërtimin e ndërtesës për shkollën 8- vjeçare. Kështu, në vitin 1970 u ndërtua shkolla e re me dy kate prej shtatë dhomash e kompletuar me të gjitha orenditë shkollore, të reja banka, dërrasa të zeza dhe mjete mësimore, laboratorë matematike, fizike, biologjie si dhe të gjitha llojet e hartave.