Sigal

Konferenca Ndërkombëtare kundër Anit-Korrupsion

Javën që vjen, më 22 deri më 24 Tetor në Kopenhagën të Danimarkës do të mbahet Konferenca e 18-të Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit me temën, “Tani është koha për të vepruar”. Kjo konferencë ndërkombëtare që mbahet çdo dy vjet – e që cilësohet si forumi më i madh ndërkombëtar në luftën kundër korrupsionit – organizohet sivjet nga qeveria e Danimarkës e përfaqësuar nga Ministria e Jashtme e atij vendi dhe nga organizata ndërkombëtare anit-korrupsion, Transparenca Internacional, me ndihmën e degës së saj në Danimarkë.

Sipas të dhënave nga organizata Transparenca Internacional, ky forum është mbajtur dy vjet më parë në kryeqytetin e Panamasë ku kanë marrë pjesë më shumë se 1600 përfaqësues nga mbarë bota. Edhe këtë vit, pritet që kjo konferencë ndërkombëtare kundër korrupsionit të mbledhë në Danimarkë, udhëheqës shtetesh, përfaqësues të shoqërisë civile, të sektorit privat dhe më gjerë, për t’u marrë me sfidat gjithnjë e më të sofistikuara që paraqet korrupsioni kudo në botë. Konferenca Ndërkombëtare anit-korrupsion mbahet çdo dy vjet, në një rajon të ndryshëm të botës, me qindra pjesëmarrës nga më shumë se 135-vende.

Punimet e konferencës tre-ditore javën që vjen në Kopenhagën, do të hapen me një fjalim nga Kryeministri i Danimarkës, Z. Lak Loke Rasmussen. Parashikohet që të mbahen mbi 50 seanca dhe takime plenare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë, ekspertë të njohur, inovues, aktivistë, akademikë dhe përfaqësues qeverish dhe të shoqërisë civile nga mbarë bota, të cilët do të diskutojnë mbi mënyrat për të luftuar korrupsionin, i cili po dobëson demokracitë në shumë vende të botës, thuhet në njoftimin e Transparenca Internacional.

Siç dihet, organizata Transparenca Internacional është një ent ndërkombëtar jo qeveritar me qendër në Berlin të Gjermanisë, themeluar në vitin 1993 me objektivin për të luftuar korrupsionin anë e mbanë botës, me masa anit-korrupsion të shoqërisë civile si dhe për të parandaluar aktivitetet kriminale që rrjedhin si pasojë e praktikave të korrupsionit.

Korrupsioni në botë, sipas Transparenca Internacional, po merr forma gjithnjë e më të ndërlikuara dhe si rrjedhim po dobëson gjithnjë e më shumë proceset e qeverisjes demokratike anë e mbanë botës. Sipas saj, përdorimi i dhunës është në rritje kundër aktivistëve, gazetarëve dhe qytetarëve të cilët ngrenë zërin e tyre kundër padrejtësive dhe korrupsionit. Ndërsa po bëhen përgatitjet përfundimtare për forumin ndërkombëtar të këtij viti kundër korrupsionit, javën që vjen në Danimarkë, Transparenca Internacional, nga ana e saj u bën thirrje – siç shprehet ajo – të gjithëve, nga veriu në jug, për të punuar edhe më me bindje dhe me vullnet më të fortë drejt një zhvillimi më të qëndrueshëm dhe më të barabartë ekonomik dhe shoqëror si dhe drejt një sigurie dhe paqeje të përgjithshme – si objektiva për një qeverisje më të mirë, që ka për qëllim edhe luftën kundër korrupsionit. Kjo është koha për të vepruar, thekson Transparaency Internacional, që është edhe tema e konferencës e javës që vjen, në Danimarkë. Sipas këtij enti ndërkombëtar anit-korrupsion, ka ardhur koha tanimë për të kthyer në vepra premtimet dhe angazhimet e konferencave dhe forumeve të mëparshme ndërkombëtare për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar transparencën nga të gjithë. Transparenca Internacional vepron në më shumë se 100-vende anë e mbanë botës, si pjesë e një veprimi mbarë global anit-korrupsioni, duke sfiduar këtë plagë të rëndë ekonomiko-shoqërore dhe të gjithë ata që e praktikojnë atë kudo në botë.

Në këtë frymë, kjo organizatë u bën thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave kudo në botë që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje anit-korrupsion dhe që, njëkohësisht, të bëhet një forcë frymëzimi në luftën kundër korrupsionit. Koha për të vepruar kundër korrupsionit është tani! Si pjesë e festimeve me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Transparenca Internacional — në Ditën e Ndërkombëtare të Anit-Korrupsionit më 9 Dhjetor, 2018 – njoftohet se në bashkëpunim me Ministrinë e Gjermanisë Federale të Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, do të nderohen disa të rinj e të reja nga mbarë bota, të cilët sfidojnë korrupsionin me mjetet më frymëzuese dhe inovative që është e mundur. Natyrisht, se përpjekjet serioze të rinisë kudo qoftë kundër korrupsionit dhe për një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë në vendet ku jetojnë, do të kontribuojnë dukshëm në luftën kundër këtij fenomeni global, por siç sugjeron edhe tema e Konferencës Ndërkombëtare Anit-Korrupsion e javës që vjen në Kopenhagën të Danimarkës – nuk ka kohë për të humbur, pasi koha për veprim kundër korrupsionit, jo vetëm nga të rinjtë e të rejat, por nga të gjithë, është tani!