Ajo që nuk ishte realizuar për vite të tëra, u krye falë një projekti

269
“QTIL” dhe “Lëviz Albania” për një administratë publike evropiane
Nëse dëshiron të hysh në indet e një administrate publike për të parë nga afër si funksionon ajo, cilat janë standardet e saj, dobësitë që fsheh, çfarë i “dhemb” këtij organizmi, si komunikon me qytetarin, cilat janë marrëdhëniet epror-vartës, bashkëpunimi me kolegët, roli i titullarit etj, etj, është e rëndësishme kryerja e operacionit: Si përdoret paraja publike dhe si zbatohen rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Skanimi bën transparente dhe të prekshme gjithçka, qoftë arritjet, qoftë dështimet. Kjo ishte arsyeja pse “Qendra për Transparencë dhe Informim të Lirë” mbështetur nga “Lëviz Albania” kontribuuan për realizimin e projektit “Përdorimi i drejtë i parasë publike në pushtetin lokal përmes zbatimit të rekomandimeve të KLSH”. Projekti u shtri në bashkitë Lushnjë, Elbasan, Prrenjas, Pogradec dhe Maliq. Pak a shumë problematika ishte e njëjtë: 

• Ishin toleruar anëtarët e Njësisë së Prokurimit dhe të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave; 
• Ishin toleruar subjekte të veçanta private, nuk shfrytëzoheshin mirë asetet e bashkisë, si pyje, kullota, banesa apo ndërtime të tjera në pronësi të pushtetit lokal;
• Drejtoria e Taksave, Drejtoria e Financës dhe Policia Bashkiake nuk kërkonin arkëtimet e subjekteve të veçanta. Mungonte ngritja strukturave të parashikuara nga ligji;
• U evidentuan raste të mospërdorimit me efektivitet të fondeve publike. 
Pse kishte ndodhur kështu? Ne do të trajtojmë disa prej rasteve, të cilat na u dukën me interes për publikun.
Mungonte Kodi i Etikës
Kodi i Etikës ka të bëjë me kryerjen e detyrave në përputhje me legjislacionin. Nëpunësit të administratës publike i kërkohet të jetë i pavarur nga pikëpamja politike, i ndershëm, i paanshëm, efikas, i gatshëm për t’i shërbyer qytetarit, respektues i të drejtave të tij, të mos jetë në konflikt interesi, të mos shfrytëzojë detyrën në interes të vet dhe në dëm të të tjerëve, të mos përdorë informacion konfidencial për interesa personale dhe të mos bëhet përfitues i dhuratave dhe favoreve. 

“Nëpunësit qe shkelin parimet e etikës, të përcaktuara në ligj, kur veprimet e tyre nuk përbëjnë vepër penale, ndëshkohen me masat disiplinore, sipas procedurës se përcaktuar në legjislacionin për statusin e nëpunësit civil”. 

Mirëpo kur Kodi i Etikës mungon, nëpunësit mund të mos jenë në dijeni për detyrimet që rrjedhin prej ligjit nr 9131 “Për rregullat e etikës në administratën publike” dhe që nga ai çast, ekzistencën si nëpunës ata nuk do ta shohin te ligji, por te krijimi i marrëdhënieve të privilegjuara me titullarin dhe eprorët. Por një rast tipik për shumë bashki ishte shpërblimi i këshilltarëve të bashkisë pa marrë pjesë në mbledhje. Ja një shembull nga Bashkia Maliq: Kontrolli i Lartë i Shtetit gjeti 35 këshilltarë që ishin paguar pa shkuar në punë. KLSH-ja kërkoi kthimin e pagave të përfituara padrejtësisht. Këshilli i Bashkisë Maliq u mblodh dhe votoi për veten e vet që pagat të mos ktheheshin. Ndërkaq në bashkinë Lushnjë, drejtuesit e saj nuk e pranuan rekomandimin për të kthyer paratë pasi një letër nga Ministria e Çështjeve Vendore kishte ligjëruar për këtë bashki shpërblimin për këshilltarët edhe kur nuk vijnë në mbledhje.

Struktura të munguara
Mungonte Auditimi i Brendshëm, i cili ka për mision përdorimin e metodologjive bashkëkohore të auditimit, në përputhje me standardet evropiane, i domosdoshëm për audtimin e brendshëm. Sipas ligjit nr.114/2015 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, Kjo strukturë “…ndihmon njësinë publike për të arritur objektivat, nëpërmjet një veprimtarie të disiplinuar dhe sistematike, për të vlerësuar e përmirësuar frytshmërinë e menaxhimit të riskut, si dhe proceset e kontrollit e të qeverisjes”. Auditimi i brendshëm përgatit plane strategjike, vjetore bazuar në vlerësimin objektiv të riskut, i kryen ato sipas me planit të miratuar; jep rekomandime për përmirësimin e punës dhe efektivitetin e sistemit të kontrollit të brendshëm të njësisë publike; është i paanshëm, transparent, i pandikuar nga interesi personal apo të tretët. Pa u zgjatur më shumë, kur struktura të tilla mungojnë, gjithçka realizohet “me çfarë të del përpara”. Qeverisja vendore “mbytet” prej rutinës, shpresa e njerëzve se nesër do të jetë më mirë, kthehet në zhgënjim.. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, pati dhe bashki ku mungonte Regjistri i Riskut, i cili është i lidhur ngushtë me veprimtarinë financiare: Çfarë u arrit gjatë një viti? Cilat ishin mangësitë, e kujt është përgjegjësia etj. Vlerësohen administratorët me arritje, mbahet qëndrim për nëpunësit me rezultate të dobëta? Që të gjitha këto, rritin nga viti në vit përgjegjësinë e administratës, profesionalizmin dhe përgjegjësinë; strukturat bëhen më të përgjegjshme. Por kur asgjë nga këto nuk ekziston, atëherë gjithçka është rrumpallë.

Zbatimi 
Për të arritur objektivin që i kishin vënë vetes, skuadra e projektit, pas trajnimit vendosi komunikimin me bashkitë dhe KLSH nëpërmjet, komunikimit shkresor, elektronik e telefonik me bashkitë përkatëse, në rastin konkret me Bashkinë Lushnjë, Elbasan, Prrenjas, Pogradec dhe Maliq. Pas sigurimit të dokumentacionit që tregonte situatën e zbatimit të rekomandimeve në të gjitha bashkitë e monitoruara startoi faza e konsultimit me dokumentacionin e siguruar, dhe përzgjedhjen e rekomandimeve. Pas përzgjedhjes së rekomandimeve, të cilat u çmuan si më të rëndësishmet, puna u përqendrua në monitorimin e zbatimit të rekomandimeve të KLSH, të përzgjedhura nga projekti. Për realizimin e projektit “Përdorimi i drejtë i parasë publike në pushtetin lokal përmes zbatimit të rekomandimeve të KLSH”, ndërmorëm një sërë hapash: Në vijim nisën takimet periodike me personat përgjegjës të ngarkuar nga Bashkia për zbatimin e rekomandimeve dhe për kontaktet me QTIL. Monitoruesit shkuan në terren për disa rekomandime për të parë në vend gjendjen e zbatimit, sidomos në ato raste kur flitej për prona të të dhëna me qira. Monitoruesit bënë foto nga objektet dhe terrenet që lidhen me rekomandimet e KLSH dhe për secilin rekomandim jepnin komentet e tyre. Përgjatë procesit monitorues u në edhe përzgjedhja e rasteve pozitive, rasteve të pazbatuara për diskutim, debat dhe trajtim nga ekspertët e projektit dhe institucionet e përfshira. Për sa më sipër raportohej në mënyrë sistematike në QTIL ndërkohë që ekspertë të qendrës vinin vazhdimisht në bashki për të nxituar apo parë zbatimin e projektit.

Bashkitë e monitoruara ngritën grupe pune
Po marrim si shembull Bashkinë Maliq, e cila u impenjua plotësisht në realizimin e të gjitha rekomandimeve të lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. U ngrit një grup pune me specialistët më të njohur: Xhemali Vojkollari, nëpunës i auditit; Selvi Hoxhallari, sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Maliq; Enkelejda Vinçani e DPLKZHT; Genc Floqi, përgjegjës i Sektorit të Legjislacionit dhe Burimeve Njerëzore; Almira Muka drejtore e Financës dhe Buxhetit; Leonard Tilka i Drejtorisë të të Ardhurave; Marsel Nazifi, drejtor i Agjencisë së Pyjeve dhe Kullotave; Alfred Pine i IMT; Komisioni disiplinor etj. Për plotësimin e rekomandimeve të lëna nga KLSH u bë pjesë edhe Këshilli i Bashkisë Maliq me vendimmarrjet e veta. Nëpunësit e përmendur më sipër, përgjegjës për realizimin e Plan-Veprimit të hartuar, raportonin me shkrim tek koordinator i veprimeve të këtij Plan-Veprimi, nëpunësi zbatues dhe znj Almira Muka, drejtore e Financës dhe e Buxhetit për kryerjen e kontabilizimeve dhe ecurinë e zbatimit të tyre. Kryetarit të Bashkisë, z Gëzim Topçiu, i raportojë me shkrim brenda datës 5 të fillimit të muajit pasardhës. Gjithashtu për ecurinë e zbatimit rekomandimeve nëpunësi zbatues,hartonte materialin përmbledhës dhe përgatiste shkresën përkatëse brenda afatit prej 6 muajsh ose deri më datën 27.12.2016, duke njoftuar me shkrim Kontrollin e Lartë të Shtetit. (Dërgoheshin fotokopjet e urdhrave ekzekutive për shpërblim dëmi, fotokopje të dokumentit të pagesave, fotokopje te akt-padive civile, vendimet e eprorit direkt apo të Komisionit Disiplinor për masat disiplinore etj, dokumente të cilat çmoheshin të arsyeshme për argumentimin e zbatimit rekomandimeve etj.) Mos njoftimi mujor me shkrim dhe mosndjekja në vazhdimësi i zbatimit të afateve të rekomandimeve të përcaktuar në këtë Plan-Veprimi, klasifikohej si shkelje e rëndë e disiplinës në punë, dhe ndaj personave përgjegjës për moskryerje detyre do merreshin masa disiplinore.

Për një qeverisje evropiane
Marrja e masave të mësipërme që cituam për Bashkinë Maliq, u evidentua edhe në bashkitë e tjera të monitoruara: Lushnjë, Elbasan, Prrenjas, Pogradec dhe Maliq. Të gjitha këto bënë të mundur plotësimin e rekomandimeve të lëna nga KLSH-ja dhe ngritjen e strukturave të munguara. Gjatë kohës së monitorimit u realizua gjithçka që kishte munguar prej vitesh: u hartua Kodi i Etikës, u miratua Regjistri i Riskut, u bë inventarizimi, evidentimi, vlerësimi dhe regjistrimin e pronave publike pranë ZVRPP, u ngrit struktura e Sektorit të Menaxhimit të Pronave Publike, u krijua struktura e Inspektoratit Vendor për Mbrojtjen e Territorit, u bë kontabilizimi i faturave të energjisë elektrike, të ujit, të Albtelekomit etj, u bë sistemimi në kontabilitet dhe pasqyrimi i aktiveve afatshkurtra në llogarinë përkatëse, u evidentuan sipërfaqet pyjore dhe kullusore, u bënë arkëtime të detyrimeve tatimore etj, etj. Pra,falë kontributit të“Qendrës për Transparencë dhe Informim të Lirë”si dhe “Lëviz Albania”, ajo që nuk ishte bërë për vite me radhë, u realizua brenda një harku të shkurtër kohor nëpërmjet projektit të suksesshëm: “Përdorimi i drejtë i parasë publike në pushtetin lokal përmes zbatimit të rekomandimeve të KLSH”. 

(Shënim: Ky botim u realizua me mbështetjen e Lëviz Albania. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërish me qëndrimet e Lëviz Albania).
Vepror Hasani
Sigal