Basha: Nuk do të ketë seanca normale në Kuvend

554
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar në mbledhjen e grupit parlamentar se nuk do të ketë seanca normale në Kuvend. Burime nga mbledhja bënë të ditur se Basha është shprehur që “asgjë s’do jetë normale në seancë, ndërkohë që ata kanë uzurpuar çdo gjë”. Mësohet se Basha u ka thënë deputetëve se diskutime për numër s’ka. Ai ka kërkuar nga deputetët një qëndrim në mbrojtje të varfërisë, qytetarëve, rinisë e ekonomisë. Sipas burimeve, Basha ka thënë se “paligjshmëria dhe padrejtësia e mazhorancës s’ka kufi”. “Ata janë në panik, zëri i qytetarëve duhet të jemi ne”, mësohet të jetë shprehur Basha. Seanca e fundit e Kuvendit u shoqërua me debate të ashpra dhe një protestë të opozitës, e cila kërkoi trajtimin e çështjes së ekstradimit në Itali të një të arrestuari për trafikun e drogës drejt Italisë. Deputetët e opozitës penguan gjithashtu kryeministrin të fliste përpara mediave, duke e vazhduar protestën e tyre edhe jashtë sallës së Kuvendit. E njëjta strategji pritet të vazhdojë edhe të enjten e ardhshme, ndërsa Kuvendi pritet të zhvillojë seancën e interpelancës me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
Sigal