Suplementi Pena Shqiptare/ Zija Çela: “E fejuara ime”

57
Herën e parë u bëra gati për nuse në miturinë e ëmbël, kur isha vetëm nëntë vjeç. Ashtu ndodhi, nuk kam përse ta fsheh. Por edhe sot e kësaj dite, sado që prej atij kujtimi ndihem disi në zor, çuditërisht më vjen një buzagaz. Mevlan Seriani, miku i babait, e kishte shtëpinë buzë lumit. Mua më pëlqente ajo shtëpi e vogël me strehët e gjera të çatisë, dritaret me kapakë druri dhe shegët devedishe që rrethonin oborrin, ku dëgjohej gllagurima e gjelave të detit, gagaritja e rosave dhe turrnakja e turtujve. Por mbi të gjitha aty ku ishte çerdhja e Mirandës, që do të bëhej nusja ime. Shkonim shpesh me tim atë si mysafirë. Kur niseshim pasditeve, unë e merrja me mend se do ta gdhinim në shtëpizën e dashur. Sapo shkelnim në oborr, duke më zbritur vetë nga vithja e kalit, Mevlan Serianit seç i shkrepte në kokë e më thoshte: 

“Mirësevjen dhëndër, të lodhi rruga?”
Dhe mbasi gushte të bijën deri te rrëza e fytit, më zgjaste dorën për ta tokur. Edhe nata atje kalohej mirë, veçse ishte mallëngjyese. Murmurima e lumit trazohej me fëshfërimën e shelgjeve dhe, herë pas here, të bëhej sikur dikush vinte rrotull me hapa të lehtë, duke nxjerrë një ofshamë të paprajshme. Papritur, i zoti i shtëpisë ngrihej me turr, hapte derën sikur të ftonte dikë, mëdyshej një grimë, pastaj dilte në oborr. Nëse priste njeri apo çfarë kërkonte jashtë në atë beft mes errësirës, që mezi thyhej pakëz nga xixat e yjeve, unë nuk e dija. Dija vetëm se aq e donte babain tim, sa ishte gati ta ndante bukën në zjarr me të dhe muhabetin ia jepte deri më gju. Por edhe im atë kishte arsye për t’i ndenjur gjithnjë pranë. Kur digjen vreshtat e mullarët, më këshillonte mua, njihen miqtë e kumbarët. Xha Mevlanit i kishte vdekur e shoqja, duke e lënë të bijën ende foshnjë qumështi. Thuhej se Dida, ajo grua me nur, kishte qenë si pikturë. Burra dhe gra e pranonin me një gojë: “Tërë lagjja jonë merr dritë nga bukuria e Didës!” Mirëpo Dida vdiq e shkoi dhe, bashkë me zonjën, sikur iu fik shpirti edhe Mevlan Serianit. Vejani ra në zi, vari çiftelinë në mur dhe, dalëngadalë, iu vdir edhe nami si këngëtar. Më parë askush nuk kishte kënduar si ai, kurse tash askush nuk dënesej si ai. Dhe nuk e fshihte, lotonte për Didën, i përvëluar nga humbja e saj. Megjithatë, për ca kohë nuk e lëshoi shpresa, ende besonte se gruaja mund të kthehej. Por meqë Dida nuk u kthye, u nis vetë për ta marrë në botën e përtejme. Si arriti tek e pambërritshmja? E kam dëgjuar prej tij dhe, kur po e rrëfente, mbeta pa gojë. Portën e gjeti te shpellat e Skuterrës, që ende disa i thonë Skëterrë. Mbasi zbriti thellë e më thellë nëpër grykat pjerrake, pa se lumi që kishte lënë sipër, rridhte edhe poshtë. Veçse lumi i atjeshëm kishte tjetër ngjyrë, edhe tjetër rrëmbesë. U shfaq një lundërtar që, përkundrejt një monedhe, e çoi te Mbreti i Poshtëdheut. E ky e pyeti: “Përse ke ardhur në mbretërinë time para kohe?” Burri i ngratë foli drejt e drejt: “Nuk rroj dot pa Didën, më hëngri malli për time shoqe!” Mbreti tundi skeptrin dhe pastaj, si për t’ia blerë mendjen, e pyeti: 

“Në s’rron dot andej pa Didën, je gati të rrish këtej që ta kesh pranë?” Mevlan Seriani pranoi pa ngurrim. Dhe kjo e preku Mbretin e asaj bote, sidomos gruan që kishte në krah. Por pa i dhënë kohë që tjetri t’ua kuptonte dobësinë, e vuri në provë sërish. Mbreti i kërkoi të këndonte ndonjë këngë, të zgjidhte çfarëdo që dëshironte. Mevlan Serianit sikur iu zgjuan ato ndjesitë, që më parë pikërisht në këngë e bënin të ngadhënjente. Ai këndoi për dashurinë e burrit ndaj gruas. Kësaj here kaq e mposhtën emocionet Mbretëreshën, sa iu lut të shoqit që Didën t’ia jepte patjetër. Dhe monarku, i mallëngjyer gjithashtu, urdhëroi pa vonesë. Veçse kur po ia dorëzonte gruan, e porositi: ”Rruga e kthimit është e gjatë, por ti përmbaje veten. Pa dalë prej këtej, as mos e kthe kokën dhe as mos e prek me dorë!” Dhe ata u nisën duke ndjekur gjithë ato shtigje, shtresë pas shtrese, nëpër zgropin e tokës. “Mirëpo malli doli më i fortë se arsyeja”, rrëfente xha Mevlani. “Malli ma errësoi mendjen dhe, para se të dilnim nga shpella e fundit, e përqafova Didën. Ajo në çast u bë pluhur.” “Luaj vendit, or njeri, ke parë ëndërr!”, i thoshin të tjerët, sa herë e tregonte ngjarjen. Ai s’fliste më gjatë. Vetëm ngrinte supet i hutuar, si të mos ishte i sigurt nëse kishte qenë ëndërr a zhgjëndërr. Por në një pikë vazhdonte të ngulmonte: natën, herë pas here, besonte se në oborr dëgjoheshin hapat dhe ofshama e së shoqes. Natyrisht, Dida ofshante për burrin dhe bijëzën e vet, atë Mirandën shtatë vjeçe që i vetëtinin buklat e flokëve. Në atë moshë ia prenë perçen dhe, prej asaj dite, do ta shihja pa balluket e ballit. Një mëngjes, kur po ushqenim shpezët duke ua hedhur misrin në koritë, dëgjuam një zë pas kurrizit: – Ka qenë një kohë që kështu i ushqeja edhe unë me Didën. Madje Didës ia hanin misrin në dorë rosat. Po na fliste i zoti i shtëpisë. Burrat kishin nxjerrë karriget në oborr, rrinin pranë njëri-tjetrit e pinin duhan. Pastaj xha Mevlani u kthye nga im atë dhe, duke ia shkelur syrin, qeshi me mua: 

– Hë dhëndër, ç’thotë e fejuara jote, do ta bëjmë dasmën sivjet? Nga turpi mua sikur më luajti angrra e mushkërive. Por nuk e lëshova veten, përgjigjen ia dhashë ballafaqe: 

– Do ta bëjmë, xha Mevlan! ,
– Mirë, – qeshi ai. – Por ama i kam ca kushte. Kur të vish për ta marrë nusen, eja pa qerre ose kalë. Megjithatë, as më këmbë mos të ecësh, as zhargas. I ngopur jo se jo, ndërsa i uritur kurrsesi. Dhe të vish pa krushq, por pa qenë krejt vetëm. E tash më kryesorja, mos të jetë as natë, mos të jetë as ditë. I mbajte mend të gjitha?.. Hë tani, puthja faqen Mirandës. Dhe unë ia putha njërën. Pastaj, pa kuptuar çfarë mund të paralajmëronte për më tej, ia putha edhe tjetrën. Një natë m’u pështjellua gjumi dhe, në vetminë e dhomës, po ndihesha gjithë turbullime. Pse, mendoja me vete, mua dashkan të ma hedhin, pandehin se nuk e di ç’është martesa?! Deri atëherë kisha parë disa dasma dhe, në të gjitha rastet, burri e merrte nusen për të jetuar së bashku në shtëpinë e tij. U ngrita nga shtrati dhe, duke u endur me kujdes, fillova të bëhesha gati. Pastaj u nisa shend e verë drejt buzës së lumit. 

– O xha Mevlan! – thirra në oborr. Doli te pragu Mevlan Seriani dhe, ca i trembur e ca i habitur, pyeti: 
– Po ti pse në këtë orë të sabahut? Ju ka ndodhur ndonjë e keqe në shtëpi?
– Asnjë e keqe s’na ka ndodhur, – thashë. – Por unë e mbajta fjalën, erdha për të marrë nusen. 

– E kisha zënë dashin nga brirët, si të ishin frerët dhe pa lëvizur hiç, vazhdova: – Siç e sheh, jam pa qerre dhe pa kalë. Këmbët më hasin në tokë, por as më këmbë nuk eci, as hiqem zhargas. Tri pika qumësht që kam pirë, ma kanë zbutur urinë, veçse barkun s’ma kanë ngopur. Krushq nuk kam marrë, por as vetëm nuk jam. Dhe, kryesorja, errësirë nuk është sa për të thënë natë, por s’ka aq dritë, sa për të thënë ditë. Si e mbajti veten burri i botës dhe s’më vuri drunë?!.. 

– Dhëndër, e bëre hak nusen, – pohoi xha Mevlani. Zbrita nga kurrizi i dashit, përçorit tonë me këmborë dhe, i prirë nga i zoti i shtëpisë, hymë brenda. Ai zgjoi Mirandën, e veshi me rrobat më të mira dhe i hodhi në kokë një vello të bardhë. Pastaj e ngriti mbi karrige, që të nusëronte. ,

– Si po të duket nusja, dhëndër? – pyeti 
– E bukur fort, – thashë, – shoqen s’e ka në mëhallë. Atij iu bë qejfi. I dha Mirandës karamele, ndërsa mua më zgjati biskota. Unë vura dorën në zemër, se biskotat nuk i doja. Sa për likerin, e rrëkëlleva potirin e vogël. Mirëpo edhe pas qerasjes, diçka sikur s’po shkonte sahat. Në një dasmë kurrë s’mungon kënga, prandaj xha Mevlani, ndonëse kishte kohë që nuk i binte më, mori nga muri çiftelinë. Ai këndoi një këngë që edhe të ngazëllente, edhe të rrëqethte. Didën, gruan e tij të paharrueshme, nuk e zinte ngoje. Por ndërsa shihte herë nga unë, herë nga e bija, dy pika loti iu thadruan në sy si dy kokrra breshëri. Ndoshta këndonte po atë këngë, ngashënjyese e mallëngjyese, që kishte kënduar edhe në botën e përtejme. Këngën që fliste për dashurinë e burrit ndaj gruas. Por pastaj, për të na gëzuar e për të na zbavitur, Mevlan Seriani këndoi edhe të tjera, derisa e la çiftelinë dhe m’u drejtua: 

– Dhëndër, do ta marrësh nusen tani? Iu afrova Mirandës dhe ajo nuk lëvizi, sepse ende nusëronte. Mbuluar me atë vello, që varej e valëzuar deri poshtë karriges, ngjante si një shtatore mermeri. Pa balluke, tashmë sytë e saj kishin dalë më në spikamë dhe s’di çfarë pahu të butë kishin marrë. Ashtu të mëdhenj e të vagëlluar, ata sy sikur thoshin se jeta po, jeta ka vërtet diçka prej ëndrre… Mirëpo, sapo bëra një përpjekje për t’i zgjatur duart drejt saj, më ngrinë në ajër. Një frikë e përnjëhershme ma ndali lëvizjen. Jo, jo, unë mund ta doja me zemër, por nuk mund ta prekja me dorë. Se po ta prekja, ajo shtatore e bardhe mund të shkërmoqej, duke u bërë pluhur si Dida… E kështu, për ta ruajtur të adhuruarën, ika pa e marrë nuse. Tashmë kanë kaluar vite, shumë vite. Unë nuk e di se ku ndodhet. Disa thonë ka kaptuar male, disa male e dete. Vetëm një herë më erdhi një fjalë prej Mirandës. Ma solli një bashkëfshatari ynë, që e kishte takuar në një aeroport të huaj. Dhe ajo i kishte thënë: “Çdo emocion që provohet për herë të parë, të kujton atë farën në zemrën e mollës. Prej saj, më pas, mund të prodhohen të tjera. Por, sado të ngjashme, si e para asnjëra nuk do të jetë!” Unë banoj gjithnjë në po atë mëhallë, në shtëpinë e vjetër të babait. Natën, sidomos në vjeshtë, kur shelgjet trazohen nga era dhe prej fëshfërimës së lehtë ngjan se dikush çapitet në oborr, kushedi përse më vjen para syve fytyra e dashur e Mirandës. Një fytyrë gjithë nur, si pikturë. Ahera, me një gulç në fyt, nis të flas me vete: “E di, e di, aso kohe e gjitha lojë ka qenë! Por megjithëse lojë, në këtë botë dhe në të përtejmen, prapëseprapë ajo mbetet e fejuara ime e parë.” Dhe mua, naivit, më bëhet sikur një zë i përmalluar përgjigjet: “Në jetë të jetëve!” Është zëri i saj?

(Nga libri “Princi i buzëqeshjes”)