Suplementi Pena Shqiptare/ Vaso Papaj: Sonte nata është e jona

80

(Në përvjetorin e martesës)

 

Sonte nuk do të vinë kusarë,
Të na e vjedhin dashurinë.
Askush drushtat s’m’i ka marrë.
Le që bosh kemi shtëpinë.

Po s’do të vinë as trafikantë.
Në portë t’hapur nuk ndalojnë.
Postblloqeve me çantë,
Klone e shtigje ata kërkojnë.

S’do t’na vijnë as ryshfetçinj.
As na njohin, as i njohim,
Ndonëse shtuar janë si minj,
Larg nga hunda e tyre s’shohin.

S’do të duken as ushtarë,
Dhëndurë luftrash. Ëndërrojnë.
Se janë larg për pak dollarë,
Pa e ditur në shpëtojnë.

As malësorë nuk do të vijnë.
Puthin gjumin në rrethina.
Lodhur, humbur gjer n’agim,
Se kanë zor në këto cekëtina.

S’do të vinë as dhe lypsarë.
Dashurohen fushës, jashtë.
Për jorgan, kanë qiellin mbarë,
Për dyshek, një grumbull kashtë.

Sonte s’do t’na vijë kurkush.
As spiunë s’do t’na bezdisin.
Ky ushqim syrin s’ua mbush.
S’është për ta, nuk e gëlltisin.

E po erdhi policia,
Në këtë portë të hapur, natën,
Le ta dijë, është dashuria.
Ajo e largon shamatën.

Sonte nata është e jona.
Ndiz qirinjtë! Besë e shpresë.
Hapi sytë, largoje gjumin,
Gjersa yll në qiell mos mbesë.