Suplementi Pena Shqiptare/ Skënder Luarasi: Këngët e Naimit do t’ushtojnë përjetë “Naim Frashërit!’’

786
Sigal

Kështu quhet libri q’i kanë kushtuar studentët shqiptarë t’Austrisë, në Grac, kujtimit të vjershëtorit dhe edukatorit kombëtar Naim Frashërit me rastin e mbushjes së njëzet e pesë vjetëve pas vdekjes së tij. Me këtë vepër studentët kryen kundrejt patriotit një detyrë. Treguan edhe një shembull të bukur për të bashkuar djalërinë inteligjente rreth emrit të personit i cili tërë jetën u përpoq me mish e me shpirt t’i jepte brezit të ri drejtimin e mbarë n’udhën e bekuar t’atdhedashjes, të vëllazërimit e të lirisë. Një Shqipëri krejt e lirë, një popull shqiptar i qytetëruar dhe i lumtur, këto dy nga dëshirat më të zjarrta të Naim beut na urdhërojnë jo vetëm t’ia përmendim emrin në raste formale — na urdhërojnë t’ia shkruajmë në zemrat tona për gjithnjë që të na ndihmonjë si devisë në qëllimet e larta nacionale…
Biografia e Naim Frashërit është e gjatë: është gjer në një pikë historia e shtetit tonë, që prej lëvizjeve më të lashta të rilindjes kombëtare gjer në kurorëzimin e tyre me Shqipërinë e çliruar. Ky fakt e bën jetëshkrimin e Naim Frashërit të vështirë: prandaj do të mundin të na e dëftejnë biografinë e tij dhe të Shqipërisë vetëm ata njerëz, që kanë studjuar me kujdes të veçantë gjendjen e keqe të vëndit tonë nën robërinë e huaj dhe kanë kuptuar se në çfarë shkalle të ulet rronte populli në ato kohë.
Një barrë kaq e madhe, që u muar përsipër nga njerëz fort të zotët, shpresojmë të kryhet me ndihmën e më të zotëve akoma, në mënyrë që të çmohet si duhet puna, të interpretohet mirë vepra e poetit tonë.
Ne, nga ana jonë, duam në këto radhë të pakta të çfaqim gëzimin për nderimin që i bëhet kujtimit të poetit të rilindjes sonë nga djalëria shqiptare dhe shpresojmë që, duke ecur së bashku në rrugën e këndëshme të mirënjohjes, kemi per t’arrirë ato ideale, që na i ka lënë porosi udhëheqësi ynëi pavdekur.
Me të vërtetë vetëm tani po fillojmë t’i çmojmë veprat e Naim Frashërit. Herët qofte ose vonë, po e kuptojmë se çfarë vleftë e madhe për qënjen tonë fshihet në këshillat e tija, dhe ndjejmë nevojë e mall t’u biem pas. Dashuria e pakufishme për Shqipërinë e varfër është bukuria e tij m’e madhe, që na tërheq dhe na ngjall ndjenjën e përgjegjesisë kundrejt nënës sonë. Shkrimet e tij janë dielli q’e çeli dhe e lulëzoi jetën tonë kombëtare.
Ky diell, Naim Frashëri, ka perënduar përpara një të katërtë shekulli, porse shpirti i tij do të rrojë në veprat që na ka lënë trashëgim; dhe djalëria shqiptare do të eci drejt idealit të tij.
Vdiq i madhi patriot sapo do të shkelte në pragun e shekullit të njëzetë, pa gëzuar dot agimin e qindvjetit që i thuri Shqipërisë mbi krye kurorën e rëndë por të shkëlqyer të lirisë.
Zëmra e pangushëlluar e Naimit sado që edhe në çastin e fundit rrahu plot me besim që ideali i tij një herë do të realizohej, ajo zëmër mor me vete në varr të ftohtë dëshirën e nxehtë që eshtrat e të përdëllyerit të mos çlodhen gjetkë, veçse në gjirin e Shqipërisë së shumëdashur.
Ne kemi për detyrë t’i sjellim dhe t’i mbulojmë me varrim të merituar eshtrat e kengëtarit të perëndishëm në truallin q’e lindi. Për nderin dhe lavdinë e atyre, të cilëve u kemi zotuar nga një vend në librin e artë të kombit, kjo duhet të vërtetohet, në është se patriotizmin nuk e kemi vetëm në majën e gjuhës, po edhe në thellësinë e zëmrës.
Në tempullin që do t’i ndërtojmë mbi dheun ku kryeluftëtari i lirisë shqiptare, thirri për të parën herë ‘‘nënë’’, atje t’ja ndezim me kujdes qirinë e kujtimit atij që ndezi flagën e dashurisë së atdheut në zëmrat tona. Atje le ta ketë tempullin ideali i Shqipërisë së re. Dhe në se, në ditë të zeza dëshpërimi do të arrijmë për një çast që ndofta edhe të dyshojmë në ekzistencën e kombësisë sonë, atëhere le të hedhim një sy te falëtorja e Frashërit. Të kujtojme ç’bëri Naimi në kohën kur Shqipëria ishte përmbysur në rrëzën e skllavërimit, dhe përnjëherësh ndjenja fatbardhë dhe e shenjtë, ndjeja e lartë, idealizmi, do të zgjohet në krahërorin tonë dhe do të na bënjë të besojmë në jetën e amëdhuar t’atdheut e të kombit shqiptar.
Kujtimi i Naim Frashërit, i stërnipit më të denjë të Fatosit tonë Skënderbeut, do të na rrëfenjë posi një shpirt i ndritshëm udhën e drejtë në ditët e errëta. Emri i tij me tingullin e magjishëm do të na ndezë përherë me flagë te enthusiazmit dhe do të na mbushë me frymën e bashkimit.
Jemi të sigurtë se idea e re kombëtare, që u rrit në trupin e tij dhe na ushqen neve sot, do të rronjë aqë kohë sa Dhëmbeli dhe Tomori të mbajnë kryet madhërisht përpjetë, aqë kohë sa Vjosa dhe Osumi të vaditin pllajat dhe brigjet e atdheut të Naim Frashërit. Do të ushtojnë këngët e tij të lirisë, përjetë, ashtu siç ushtojnë përjetë valët e Adriatikut e të Jonit shqiptar.
(Skender Luarasi, Këngët e Naimit do të ushtojnë përjetë, Dialëria, korrik 1927, viti VIII, Vol.II, Nr.2)

Shqipëria dhe fqinjët e saj

Shqipëria pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre

Shqipëroi: Skënder Luarasi

Petro Luarasi

Miqtë e mi ky nuk është thjesht një libërth me dy pjesë studimore, por një busull orientuese për çdo atdhetar shqiptar që në pak faqe të kuptojë shumë enigma, komplote, madje përcakton me largpamësi edhe shkaqet për situatën që po vuajmë sot. Ky diplomat britanik me eksperiencë të madhe, na skanon brinjë më brinjë, diagnostikon dhe na jep recetën tok me ilaçin shërues. Nëse duam ta përdorim, shpëtojmë!
Kontributi madhor i Morton F. Eden dhe paradoksi i heshtjes! Në përkujtim të 95-vjetorit të Kongresit Kombëtar të Lushnjës, ndër programet festive u shfaq edhe një film dokumentar ku ndër delegatët shqiptarë të kongresit u publikua edhe fotoja dhe kontributi i konsullit anglez Morton Frederik Eden.
Bashkia e qytetit të Lushnjës e vlerësoi me titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin: “Misionar i Shqipërisë në kohë të vështira, dha kontribut të veçantë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës”. Nga ana e tij Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon, të cilit iu dorëzua ky titull, u shpreh: “Shteti im ka qenë prezent me trupin diplomatik për të stabilizuar fatet e Shqipërisë. Ndërsa Konsulli Eden ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit në momentet kur ekzistenca e shtetit shqiptar vihej në rrezik.”
Ndër ata që ndihmuan këtë publicitet veçoj studiuesin Engjëll Zerdelia me librin e tij të suksesshëm ‘’Kongresi Kombëtar i Lushnjës’’, që i kushtoi vëmendjen e duhur edhe kontributit dhe nderimit të miqve të huaj me në krye Morton F. Edenin. (2)
Sikurse në raste të tjera harrese, për personalitete dhe ngjarje të rëndësishme kombëtare, atdhedashësit shqiptarë shqetësohen përse do të duhej të kalonte rreth një shekull për ta përmendur dhe vlerësuar konsullin anglez që jo vetëm ‘’ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit’’, por dhe për shumë e më shumë vepra bamirësie ‘’në ditët e sterrosura’’ për shqiptarët?!
Dritë-hijet e kësaj enigme: rrethanat, tjetërsimi i të vërtetës, atentatet dhe kërcënimet deri në nivelet më të larta ndërqeveritare, që çuan në largimin e tij nga detyra dhe përpjekjet për t’ia shuar përjetë emrin dhe veprën, i qartëson më së miri studiuesi grek Lampros Psomas, edhe pse bazohet në interesave politike greke.(3)