Suplementi Pena Shqiptare/ Rexhep Çeliku “Nderi i Kombit”, mjeshtri i valles shqiptare

481
Homazhet në nder të artistit do zhvillohen sot në Muzeun Historik Kombëtar nga ora 11:00 – 13:00.

Rexhep Çeliku, lindur me 19 korrik 1954 në Tiranë. Që nga viti 1976 ka qenë solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, numërohen në reportorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit. Është nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me motivacionin “për interpretim me nivel të lartë artistik të të gjitha valleve shqiptare dhe transmetimin e saj duke ruajtur origjinalitetin” dhe me titullin “Nderi i Kombit” nga Presidenti Ilir Meta pak ditë para ndarjes së tij nga jeta. 

Rexhep Çeliku, mjeshtri i valles shqiptare, është ndarë dje nga jeta. Solisti i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë. Çeliku u nderua pak ditë më parë nga presidenti i Republikës Ilir Meta me dekoratën “Nderi i kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”. Ai ishte vetë e pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë.

Ngushëllime nga personalitete të politikës
Presidenti Ilir Meta
“Me dhimbje të thellë mësova lajmin drithërues të ndarjes së parakohshme nga jeta të Rexhep Çelikut, emblemës së valles dhe traditës sonë kulturore, mjeshtrit të madh të skenës së Ansamblit tonë Shtetëror, të papërsëritëshmit të kërcimit tonë popullor, njeriut fisnik e atdhetar, frymëzimit të spikatur të brezave të artistëve të rinj. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, njerëzve të tij të dashur e kolegëve për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme”. Presidenti Ilir Meta pasi shprehu ngushëllime për ndarjen e tij nga jeta, nderon figurën e Rexhep Çelikut duke vendosur foton e valltarit të njohur në faqen zyrtare të Institucionit të Presidencës.
Sali Berisha
“Rexhep Çeliku, legjendë e valles dhe kërcimit tonë mbylli sytë, uli flatrat përgjithmonë! Të dashur miq, skena, kercimi, vallja shqiptare dhe kultura jonë janë sot në pikëllim dhe zi. Legjenda e skenës, valles dhe kërcimit tonë, solisti i madh i Ansamblit tonë të Valleve, Rexhep Çeliku mbylli sytë, uli flatrat përgjithmonë! Duke shprehur nderimin tim më të madh për veprën e pavdekshme të artistit virtuoz Rexhep Çeliku, i shpreh familjes së tij ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e saj të madhe! Sb”,

Lulzim Basha
“Jam i hidhëruar nga lajmi se u largua sot, shumë para kohe, një zot i skenës, Rexhep Çeliku. Që në fëmijëri më ka lënë mbresa arti i tij dhe kam menduar se askush më mirë se ai nuk e manifestonte shpirtin shqiptar, historinë tonë të stuhishme, sepse askush më shumë se ai nuk i ngjante një shqiponje me krahët e hapur e shikimin e mprehtë. Vallja e tij ishte një ushqim epik që të çonte shpirtin peshë. I detyrohemi shumë Rexhep Çelikut, i cili, ishte bërë me kohë me talentin, pasionin dhe virtuozitetin e tij, nder i kombit. I mundur nga sëmundja e rëndë, por fatlum që do jetojë gjithnjë tek ne, me krahët lart e shikimin nga qielli, si shqiponjë krenare”.

Mirela Kumbaro
“Fluturove shumë lart sot Shqipe, për të vallëzuar veç me engjëjt atje lart. Lamtumirë Rexhep Çeliku, “Nderi i Kombit”!- shkruan ministrja Kumbaro në krah fotos së artistit.
Sigal