Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: “Dialogët” e Gëzim Ziles me historinë përmes këngës dhe epikës historike

674
Sigal

Gëzim Zilja është një autor i njohur tashmë në letërsinë shqiptare, si një tregimtar, i cili përveçse ka sjellë një tematikë interesante, me subjekte nga dukuri bashkëkohore, duke i sjellë prozës një përvojë të nevojshme, që vazhdon të tregojë një lloj largimi nga subjektet jetike shqiptare, veçmas të mjedisit social shqiptar. Me prozën e tij, ai ka përvijuar një profilitet të qëndrueshëm, një ruajtje të mirë të një stili autentik, përmes të cilit arrin të realizojë një komunikim kompleks. Proza e tij tregimtare ka një tendencë konkrete për të depërtuar në mjedise specifike të natyrës njerëzore, që shquhen për një tipologji interesante tipash dhe karakteresh, të cilët autori arrin t’i trajtojë me një lloj realizmi magjik. Petku psikologjik që i mbulon dhe i shpërshfaq personazhet dhe mjediset e prozës së Ziles, pavarësisht kohës nga vijnë subjektet e tyre, e afron lexuesin me qëllimin e tij, duke arritur një komunikim të nevojshëm, për të cilin synon autori dhe krijimtaria e tij. Kjo përvojë vërtetë e gjatë dhe e suksesshme, i ka krijuar mundësi shkrimtarit Gëzim Zilja, t’i drejtohet lexuesit me një specifikë tjetër komunikuese, me një libër të “tejshkruar”, një lloj palimpsesti, të shkruash mbi të shkruarën, pa e fshirë atë. Mendoj se është një vëmendje e shtrirë në kohë nga autori, është një libër i nisur që të shkruhet, ndoshta dekada më parë, pavarësisht kur ai është derdhur në këtë formë apo lëndë komunikuese letraro- komentare, siç e kemi sot. Libri i ri, duke qenë mes llojit letrar dhe”dokumentar”, krijon një mundësi për autorin, që të integrojë në letërsinë shqiptare dhe atë të shkruarit, kulturën e komunikimit eseistik, bashkëmarrëdhënien e shndërrimit të kulturës popullore, pasi libri përgjithësisht ngrihet mbi një strukturë komunikuese të krijimtarisë popullore (këngë apo poezi popullore), në një lloj dokumenti emocional shpirtëror të besueshëm. Një cilësi tjetër, që vjen përmes një libri të tillë, i cili në asnjë mënyrë nuk duhet të shihet si një komentar apo koment i krijimtarisë popullore (më specifikisht për natyrën dhe stilin e komunikimit që autori ka arritur të bëjë në këtë libër do të flitet më poshtë), të cilët kanë prerjen e tyre historike, por që kanë të bëjnë me një bazë të gjerësishme referenciale. Ashtu siç ndodh zakonisht me krijimet popullore, veçmas të llojit epiko- historik- patetik (këngët e luftës dhe figurave të njohura historike, i kanë këto tipare të domosdoshme  me  referenca  të gjera. Intuitivisht, studiuesi Gëzim Zilja ka kapërcyer dhe një hallkë tjetër me një guxim të çuditshëm; ka shmangur ndërmjetësinë që kanë të bëjnë me këtë lëndë të rëndësishme folklorike-historike, shpirtërore- kulturore, e cila në mjaft raste ka mbushur hallkat e tjera evidentuese shkrimore, kur popujve u kanë munguar, veçmas shkrimet historike. Shmangia e kësaj hallke të ndërmjetme, mendoj se ka të bëjë me një raport emocional të autorit me këtë krijimtari për të cilën ai ka medituar dhe ka krijuar lidhje të forta, duke bërë bashkë lëndën artistike të këngës apo të krijimit me dëshminë historike. Praktika që autori Gëzim Zilja ka sjellë në këtë libër të ri, ndofta kërkon t’i afrohet burimit të krijimit popullor, me një raportim të hapur, sepse krijimtaria popullore, veçmas kënga që sjell në vëmendje luftëra, luftëtarë, personazhe të njohur shoqërorë dhe historikë, është një lloj raportimi publik, pavarësisht esencës emocionale dhe stilistike që ato kanë, që herë ngjan me idenë e kronikës historike, herë të një lloj rrëfimi racional. Dëshira për të ruajur kushtet burimore, natyrisht pa iu shmangur kohës reale, kohës kur është shkruar libri, e ka bërë më të gjerë kumtin e krijimit historik me dëgjuesin e këngës dhe lexuesin e librit. Librat e kësaj natyre janë të rrallë, pasi ata nuk mund të shkruhen në çdo kohë, po ashtu dhe nga kushdo. E sjell këtë opinion në njohjen e shumtë që kam për libra të kësaj natyre në letërsinë europiane apo më gjerë. Ndoshta libri i Gëzim Ziles është vazhdimi i një tradite të pakët në vend. Një krijim të kësaj natyre, të paktën nuk e kemi hasur në traditën e studimeve shqiptare, përveç atë të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i cili disa dekada më parë, shkruante një libër interesant, thuajse komentar integrues, të titulluar “Autobiografia e popullit në vargje”. Jo se libri i Ziles është “zgjatim” i atij të Kadaresë, pasi ata kanë ndryshime thelbësore në të gjithë elementët bazikë të librit, pasi libri i Kadaresë ngrihet mbi një domen fondamental mbitematik, mbiepik dhe përtej konvencioneve kohore, duke pasur brenda vetes dhe historinë dhe tematikën dhe epizmin, pasi Kadare, pavarësisht trajtimit elegant dhe të stilizuar mjeshtërisht nuk ua ka hequr tiparin historik referencave të krijimtarisë popullore. Ndërsa libri i Ziles ka në vetvete një qerthull të kuptueshëm historik, ashtu siç dhe ka metaforën kombëtare, ndryshe, libri i Kadaresë mëton të ketë një metaforë universale dhe si një trajtesë specifike zhanrore letrare. Vënia përballë librit të Kadaresë e këtij libri është për shkakun e një qasjeje të ngjashme të dy autorëve.

Pra, mendoj se trajtesa që librit të Ziles duhet t’i bëhet që në fillimin e vet është të kuptuarit si një libër i “ndërmjetëm”, pa mundur të jetë një libër ndryshe, për shkakun e të vënit të tij (bashkë me autorin) mes krijimit popullor epiko- historik me kohën në të cilën gjendet autori. Të paktën, që nga koha e Rilindjes Europiane dhe më vonë, madje deri në traditën arbëreshe, De Rada veçmas, librat  e “ndërmjetëm” janë të rëndësishëm. Çështja e dytë, e cila kërkon të trajtohet specifikisht është struktura e librit, në pikpamjen lëndore, tematike dhe çështje të tjera. Libri ka një reflektim të kohës reale të studiuesit, një kohë e cila plazmohet në informacionin që ai merr nga krijimtaria popullore. Duke qenë një libër, i cili ka një specifikë të veçantë, ka një kod të brendshëm të ndijueshmërisë së autorit, e cila shpërshfaqet nga lënda që na referon, zgjedhja ka qenë e vështirë. I gjendur mes historisë së largët, pasi në libër ka një kohështrirje të thellë, mes të nxënit të tij në vendlindje dhe në edukimin familjar dhe të mjedisit, që ka të bëjë kryesisht me historinë, folklorin, epikën dhe kujtesën apo rrëfimet për ngjarje, lufëtarë dhe bëma të jashtëzakonshme, kryesisht të trevës së Jugut, të anës së Bregut të Detit, pastaj më vonë mes valorizimit kulturor, që ka të bëjë me historinë kombëtare dhe jo lokale, e akoma më gjerësisht, shkrimtari Gëzim Zilja është përpjekur të krijojë ekuilibra brenda librit. Në këtë pikëpamje, libri ka një strukturë të brendshme, e cila reflektohet brenda lexuesit, për shkakun e leximit tematik, gjeografik dhe jo linear të librit. Lidhur me një çështje të tillë Gëzim Zilja ka bërë një zgjidhje të mrekullueshme lidhur me strukturën e brendshme të librit, përmes gjeografisë historike gjithëkombëtare, gjeografisë së krijimeve që kanë qenë dhe janë baza e librit, pastaj zgjedhjet dhe shtresimet tematike. Në libër shkrimtari Gëzim Zilja ka marrë në konsideratën e tij interpretative rreth 35 krijime të rëndësishme, gati të gjithë të ruajtura për lexuesin e çdo shtrese të populllsisë si krijime në këngë, balada apo në poezi popullore.  Nëse do të mund të bënim një klasifikim tematik, natyrisht jo të përpiktë, se krijimet popullore tematikisht nuk janë të pastra, por që interferojnë tema dhe çështje të ndryshme, gjej arsye të dukshme për t’i klasifikuar përafërsisht në këtë klasifikim tematik: krijime popullore, të tematizuara nga Zilja, të cilët kanë në qendër të vëmendjes figura luftëtarësh dhe prijësish të njohur popullorë, ku spikasin figura të tilla si: Osman Taka, Shemo Kaso Brahimi, Shahin Matraku, Zylyftar Poda, Shahin Delvina, Balil Nezha, Hamz Kazazi, Tafil Buzi, Dervish Ali Dukati, Cane Miftari, Gjikë Thanasi, Rrapo Hekali, Lul Çapani, Leskodukajt, Çelo Picari, Zenel Gjoleka e Hodo Aliu, Oso Kuke, Abdyl Frashëri. Këto figura të cilat nënshtresojnë kohën dhe çështje të rëndësishme të krahinave, ngjarjeve madhore krahinore dhe kombëtare, pjesa më e madhe e të cilëve janë figura kombëtare, pastaj tema të caktuara që kanë të bëjnë me beteja dhe ngjarje historike kombëtare dhe lokale, siç janë “Caush Prifti i Hormovës, Masakra e Hormovës”, ku përveç ngjarjeve ngjethëse, spikatin dhe figura të njohura luftëtarësh, ajo “Demir Dosti i Kardhiqit/ Masakra e Kardhiqit”, në të cilën ka po figura të njohura, ku bie në sy ajo e Ali Pashë Tepelenës, “Beteja e fundit e Suljotëve”, “Rënia e Prevezës”, një ngjarje e rëndësishme krahinore kombëtare, “Beteja për Lëkursin”, “Aksioni i Gjakovës”, “Dorëzimi i Ulqinit”, në të cilën sillet një përjetim i thellë informues mbi një çështje që ka kaluar në të gjithë llojet e informimit historik, politik dhe popullor, “Rënia e Lidhjes/ Beteja e Shtimjes dhe Slilovës”, që plotësojnë një kuadër të nevojshëm njohës për tema dhe çshtje të veçanta historike. Në strukturën e librit një temë tjetër, pavarësisht se zë një vend më të vogël është ajo që sjell në vëmendjen dhe përjetimin popullor me monumente dhimbjeje, siç janë qasjet titullore “Vdekja e Çelo Mezanit”, “Vdekja e Zenel Gjolekës”, të cilat janë prelude përjetësimi dhe interpretimet e tjera elementuese “Kënga e Çelo Mezanit”, “Bilbilenjtë” dhe “Kaçakë të Çamërisë”. Përgjithëisht kjo është struktura e librit, ku shihet një prirje titullore, e lidhur fort me tekstin e këngës popullore, me figura të njohura luftëtarësh dhe patriotësh. Në të vërtetë libri është një kujtesë e zgjeruar, e integruar në marrëdhëniet që përcjell krijimi me historinë, të një kohe relativisht të perimetruar, ajo e kohës së pushtimit turk, dhe  kundërshtimit të Tanzimatit me një valorizmin kombëtar, ku bie më shumë në sy shpërthimi i revoltës dhe kryengritjeve në jugun e vendit, me ç’rast lindën dhe figura të njohura popullore.

Ndërkaq, dy krijime interesante, janë ato të kreut, që Zilja i ka vënë në krye të librit, siç janë “Caush Prifti i Hormovës,/ Masakra e Hormovës” dhe “Demir Dosti i Kardhiqit,/ Masakra mbi Kardhiq”, që siç shihet ka një informacin emblematik titullor, një kronikë të zgjeruar, natyrisht të mishëruar autentikisht në krijimtarinë popullore, protagonistë të të cilave janë luftëtarë të njohur popullorë dhe Ali Pashë Tepelena. Pashai i Janinës në këto krijime është vizatuar me një vërtetësi të habitshme, pavarësisht metaforës historike rreth të cilit vërtitet legjendariteti i tij. Ndërkaq Zilja nuk ka lënë jashtë një qëmtimi të kësaj natyre konceptuale dhe tre “toponimi” të njohura historike, brenda të cilave ka një marrëdhënie të njohur kombëtare historike, siç janë “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, “Plavë- Guci” dhe “Hot e Grudë”, që përmes krijimtarisë popullore dhe informacionit historik, që autori e ka përdorur në të gjithë qasjet e këtij libri, e bën më të qëndrueshëm opinionin historic për këto histori të rëndësishme në jetën e kombit shqiptar. Tematika e gjerësuar të cilën studiuesi e ka parë përmes rolit të figurave të njohura historike popullore, pastaj ngjarje të rëndësishme kombëtare, i kanë dhënë librit një karakter gjithëpërfshirës, pasi përveç këtyre elementëve që përmendëm më lartë, në këtë opinion na çojnë ngjarjet dhe marrëdhëniet historike që vendosin protagonistët e njohur. Kjo metonimi tematike është e rëndësishme të kuptohet për lexuesin e librit. Pjesa më e rëndësishme e paraqitjes së këtij libri është ajo që ka të bëjë me teknikën e të shkruarit të tij, pasi një pjesë e konsiderueshme e lëndës bazike të tij është krijimtari popullore dhe jo autoriale.Si është shkruar libri? Cila është tipologjia shkrimore në marrëdhënie me krijimtarinë popullore, e cila ka gjendjet e saja tradicionale kur flet për një luftëtar, për një betejë, për një prijës, për një ngjarje apo epokë dhe marrëdhënie që ajo shtjellon? Studiuesit dhe shkrimtarit të ftohtë (në këtë rast shkrimtari është dhe duhet të jetë i ftohtë), i duhet një qasje tjetër, një “klishe” që në një formë tjetër të plotësojë atë që thotë krijimi popullor me thelbin  e tij. Një përvojë të këtij raporti në kulturën shkrimore shqiptare e kemi nga Mitrush Kuteli, i cili u mor me epikën legjendare, mirëpo Kuteli u përpoq dhe hyri në indin krijues të krijimit epik-legjendar si shkrimtar dhe këtë krijimtari e shndërroi në një tregim modern në të gjithë karakteristikat e tij. Studiuesi Gëzim Zilja nuk ka pasur këtë qëllim dhe nuk është sjellë në këtë mënyrë me krijimtarinë popullore, e cila është e llojit poetik. Ai është marrë më së shumti me anën e kronikës historike të asaj që populli e ka thënë thukët në vargje dhe këngë, duke i shtuar kësaj krijimtarie një tregues të qartë historik, për ta ndërtuar kronikën më komunikuese  dhe drejt një zhanri tjetër të ndërmjetëm, për të cilin është shkruar që në fillim të këtyre shënimeve. Krijimet në këtë rast përdoren mirë për të mos e tejkaluar natyrën narrative, pavarësisht shtresimeve të shumta që zakonisht në krijimtarinë epike- historike të këtij lloji mbijetojnë dhe janë “kamufluar” në vargje, në figura poetike dhe vargje të stilizuara. Ne po sjellim dy- tre shembuj të këtij “transponimi” të librit të Gëzim Ziles, për të vëmendësuar tipologjinë e shkrimit të librit, i cili është i shtrirë në kohë, në ngjarje dhe në gjeografi historike dhe kombëtare. Me qasjen komentare “Kapedan Caush Prifti dhe Masakra e Hormovës”, e cila daton vitin e largët 1788, hapet libri i Gëzim Ziles. Autori mendon se duhet informuar lexuesi i gjerë, se në këtë ngjarje dhe me këtë luftëtar popullor, lidhet dhe një nga figurat më emblematike të kohës ,Ali Pashë Tepelena. Pas një “komenti” të natyrës së kronikës informuese, lidhur me thelbin asaj që ka ndodhur, autori lë të flasë kënga popullore:”Manastir o Shën Triadhë/ S’i s’u tune këtë radhë,/ Po më ke bërë hatanë? Në gjithë ata kapetanë/ Që me të pabesë i vranë/ Se nuk qasnë turqistanë (Ali Pashanë)”, që përveç ngjarjes në krijim shihet një informacion interesant për kohën dhe shoqërinë. Hormova nuk pranon të bëhet kokë turke, dhe pse këtë e kërkonte turqistani (Ali Pashaj). Pas thelbit të konfliktit, d.m.th mbi ç’konflikt ngrihet gjithë ajo që ndodh në Hormovën e kohës, krijimi popullor ka shtresime të shumta për heronjtë e Hormovës siç është Mitro Çaushi Prifti (“Hormovitë kapetanë/ Kishnë Çaushnë të parë/ Çaush’ i  biri Marisë/ Kapetan i Shqipërisë/ Dhe kasap i Turqisë…”); jepet natyra e konfliktit të Çaush Priftit me Ali Pashanë, që do të kthehet në gjëmë për Hormovën ( konfliktin e thellë të Ali Pashës me hormovitët e sqaron mjaft mirë Zilja), i cili shfrytëzon metodikisht shtresimet që ka kënga popullore; jepet sakrifica për ta mbajtur Hormovën për hormovitët (Ç’na thua o Thanas Vajë/ Bashkë me Isuf Arapnë/ Që shkuat në hell të gjallë? Çaush trimin kapetanë/ Na e doqtë fis e farë/ se emlaq (tokë shtetërore të Turqisë) s’e deshnë fshanë).  Dhe pastaj kronika vijon me tiparet e luftëtarit hormovit, të cilat mishërohen në mizorinë e Ali Pashait, në sakrificën dhe gatishmërinë e hormovitëve për të vdekur bashkë me të (“Hormovitë kordhëtarë/ Tetëqind burra me armë/ Dyfekëtë me stërrallë/ Të gjithë me jataganë/ Te Urë e Subashit ranë/ Bënë llogoretë me radhë? / Të vritnin Ali Pashanë”). Pjesa tjetër, ndoshta më e estetizuar eshte dhimbja dhe vaji i Hormovës dhe hormovitëve për vdekjen barbare të prijësit të tyre Çaush Priftit (“Qaj moj Hormovë e shkretë/ Për ata trimat me fletë/ T’i vranë me të pabesë/ Langojtë e Hanko kapesë”), një dhimbje që kategorizohet deri në fundin e saj, e cila arrin kulmin në këtë pasazh (“Caush me kulla të larta/ Të qajnë gjashtë kunata/ O moj Mëmë e zeza mëmë/ Ngreu e shi’Caushnë tënë/ E kthejnë si dash në lëmë/ Isuf Arapi një gjëmë/ O Caush, o yll e dritë/ të kërkojnë hormovitë…”) Siç shihet, kënga popullore ka shtresime të shumta, të cilat shkrimtari e  studiuesi Gëzim Zilja i ka shoqëruar me një informacion historik të bollshëm që komunikimi me lexuesin të jetë i plotë dhe i qartë. Një krijim tjetër i kësaj natyre është dhe ai që ka të bëjë me Kardhiqin, i cili në konflliktin e tij ka një konflikt të thellë të Ali Pashajt, për shkak të dhunimit të nënës dhe motrës së tij. Por, në një vështrim të gjerë dhe tipologjik, dihet se krijimtraia popullore më së shumti ka në “kronikën” e saj zhvillimet historike, konfliktet kolektive në nivel fshati apo krahine ku evidentohen luftëtarë, njerëz historikë dhe heronj. Studiuesi Gëzim Zilja e ka mbushur me një informacion të gjerë burimor dhe jo referencial këtë epikë historike, të cilën e ka konsideruar të rëndësishme për librin e tij interesant. Ka një zgjedhje korrekte, që ai nuk i shmanget në asnjë rast, pasi krijimtaria popullore ka një informacion përcaktues, qoftë kur flitet dhe për një person të caktuar të saj. Pikërisht kjo e bën të qëndrueshëm në kohë dhe në rrethana të reja një krijim të tillë me botë të thellë emocionale. Një çështje tjetër që e plotëson librin është edhe fjalori shpjegues i gjerësishëm, të cilin autori e ka referuar në fundin e çdo qasjeje dhe në mënyrë të përmbledhur në fundin e librit. Fjalori shpjegues, kryesisht i natyrës leksikologjike, është i nevojshëm, pasi kënga popullore është thurur herët dhe ka në strukturat e saj thelbësore komunikuese fjalë dialektore dhe nëndialektore. Kur libri mund të hyjë nën vëmenedjen e leksikografëve, një pjesë e konsiderueshme e këtyre fjalëve janë të rëndësishme dhe për këtë fushë të dijes dhe të studimeve linguistike. Libri i ri që shkrimtari dhe studiuesi Gëzim Zilja i sjell lexuesit shqiptar është një qasje e re, i cili përveç larmisë, trajtimit, shpirtit të ndjeshëm dhe kombëtar të tij, sjell dhe një lloj bashkëbisedimi shkrimor, letrar, historik, interpretues, shkencor dhe burimor.