Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Miltiadh Davidhi

542
Sigal

Miltiadh Davidhi

Hej, statujat janë njerëz!

Hej, statujat janë njerëz,

Njerëz të mirë, të mençur, e të ditur,

Të pavdekshme për të gjitha kohërat,

S’mund të mbahen të çimentuara,

Në palëvizshmëri!

Statujat duhet të ecin,

Të luajn’e të qeshin,

Statujat janë njerëz, njerëz në liri!

Nudo të vrapojnë e netëve të bëjnë dashuri.

Hej, statujat janë njerëz, njerëz të mirë,

Por statujë po i ngrenë

Dhe së keqes e asgjësë!

Ngrihet e keqa dhe asgjëja në piedestal?!

Më mirë të përjetësosh,

Një lopë, një dele, a një kalë!

Do t’i përulesha më me nderim një statuje kali,

Se sa një statuje, djalli!

 

Kurrë

Kurrë, s’kam ecur mbi marrëzira,

S’gatuaj me to unë hirin tim,

Dhe kur sytë m’i ka zënë errësira,

Në dritë është kthyer shpirti im.