Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Ahmeti: Ishte një rrugë

656
Sigal

Ishte një rrugë ku vazhdimisht kaloje,
ti,e dashur,
ti,e bukur,
ti,ekstravagantja ime,
e të tjerëve,ekstravagante,
e sharë,e poshtëruar,e komplimentuar,
si historia e një pikture të çmuar.

Dhe s’dije as vetë përse
të iknin flokët në liri,
ndërsa këmbët të shkelnin në morg
të dashurive kufomoide,
që gjithësesi patën mani
t’i ekzaminonin gojët e qytetit.

Tani nuk je,
tani nuk ecën më në rrugën që nemitet,
as hapi yt,
as trupi yt i madh,
as goja jote me mpiksje
neverie dhe pakënaqësie.

Aty është rruga,aty,
dhe morgu yt i shpërbërë…
Kufomat e të dashurave të flakura
nëpër bordurat e plakura.
Tani andej kur kaloj
mungesën e madhe të orbitës sate ndjej,
dhe jap përshëndetje skematikisht
me ftohtësinë e një kartoni
të cilin e respektojnë për ty.

Për ty,e dashur,
për ty,e sharë,
për ty,e poshtëruar,
si historia e pikturës
më të çmuar.