Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: “Hëna e mjegullës në kronikat e mjegullës” të Bashkim Hoxhës

483
Sigal

Faleminderit MAISON DE L’ ALBANIE për pritjen e ngrohtë për “Kronikat e mjegullës” në Paris

Është bukur kur dhe mjegulla kthehet në një personazh romanesk ashtu siç mund të kthehet shiu në një film të Kurosavës, era, balta apo dielli i fortë i një shkretëtire me mirazhet që të krijon. Duke lexuar librin e Bashkim Hoxhes, «Kronikat e mjegullës», nuk di pse titulli m’u ngatërrua në mendje: thoja «Hëna e mjegullës» pasi personazhi kryesor është një vajzë që quhet Hëna, jeta e së cilës kalon, gjatë një gjysmë shekulli si nëpër mjegull, nga koha kur ishte 16 vjeçare dhe u ç’virgjërua me dëshirën e saj tek sarajet e Abaz beut gjatë kohës së Pavarësisë e deri ne fillim të pasluftës, kur kjo tokë me kaq mjegull, erëra, bëma e plagë, më së fundi e ktheu kokën nga Lindja. Një regjisor rus shfaqet në Shqipëri me interesin për të realizuar historinë e jashtëzakonshmetë Zaho Kokës, të asaj dashuri klandestine të dy partizanëve që përfundoi në dy vrasje, në dy vdekje. Në letërsitë e bukura dhe interesante, autorët e njohur përqëndrohen në krijimin e një apo dy personazheve, çka e shohim më së mirë dhe në romanet e Garzia Markez.

Edhe pse një kronikë jetësore, ky roman fillon e mbaron me Hënën, një femër sensuale, me nënën valltare e një grupi ahengxhinjsh që shëtisin në jugun shqiptar me të dashurin e saj violinist një përdhunues me damkë, që është njëkohësisht njerku i Hënës. Pas ç’virgjërimit të Hënës, çka ajo donte të ishte një festë e vërtetë, përvijojnë në roman një sërë personazhesh të tjerë e ngjarjesh gjersa në kohën e Luftës Dytë Botërore, Abaz beu shkon me gjermanët ndërsa Hëna bëhet bazë e luftës partizane ku jo rrallë shkon dhe i ulet në sofër Enver Hoxha. Autori e ndërton historinë jo siç ka ndodhur (meqë gjithnjë ka patur shumë mjegull) por siç e sheh dhe e jeton personazhi i tij. Eshtë një afresk më vete, ashtu siç mund të krijohen shumë afreske të tjera me një tjetër optikë rreth historisë shqiptare, një histori personale e dyzuar me historinë nacionale. Një afresk me Hënën në krye, ku mjegulla simbolike është gjithnjë e pranishme. Dhe Hëna kështu n’a bëhet një personazh simpatik, me një gjuhë figurative dhe popullore, plot këngë dashurie mejhanesh që e shoqërojnë.

Dhe gjithnjë autori i përshkruan personazhet dhe ngjarjet plot humor çka na bën të qeshim. Një afresk personazhesh e epokash: ushtarë turq që skthehen mërzitshëm drejt Turqisë, ngritje flamujsh andej-këndej, bejlerë që bëhen deputetë, presidenti që bëhet mbret, krushqi me gra austriake, pinjollë të aleancës, çingije aq të dashura për autorin dhe më pas lufta… Personazhet në libër bëjnë shumë dashuri. Madje dhe ditën e fundit të tyre, siç na thotë dhe një personazh: «Nuk ka si dashuria e fundit në krevat. Eshtë si puna e të vdekurit që para se të ikë, bëhet dhe njëherë i bukur, i hip ai nuri që quhet nuri i vdekjes.» E kjo duket si porosi që n’a jep autori neve dhe vetes së tij!