Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Kadare: Të huaj jemi

585
Sigal

Të huaj jemi prej kohësh,
Ç’ish për t’u thënë është thënë,
Si gurët që zënë vend në tokë
Në jetë ne vend kemi zënë.

Drejt njëri-tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët dhe shtigjet,
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën, kur i lodhur truri,
Portat i mbyll me qetësi
Ti gjen një shteg dhe futesh brenda,
Një shteg që vetëm ti e di.

Pastaj si në rrugica parqesh,
Shëtit mes cirkovulucionesh,
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Por kur mëngjesi zë afrohet,
Nis shqetësohesh befas ti,
Dhe heshturazi del përjashta
Nga shtegu, që veç ti e di.

E dita vjen. Rrjedh prapë jeta.
Dhe ne të dy si dhe më parë,
Të ftohtë rrimë e të pamposhtur,
Si dy qytete mesjetare.