Suplementi Pena Shqiptare/ Fatmir Terziu: Anagrami i rilindjes shpirtërore 

113
Sigal

‘Poetët e mirë lexojnë shumë’, thotë poetja britanike, Uendy Cope. Pa dyshim kjo është një influencë për krijimtarinë e tyre, por si ata duhet të gjejnë se çfarë e bën një poet me një poezi vërtet të mirë? Sot, si kudo, edhe në mjedisin poetik, të shkruarit, të lexuarit, por dhe të botuarit, është si në gjeografinë e një shteti të lirë, ku natyrisht çdokush mund të lëvizë, të rivendoset, të gjej veteveten, dhe në këtë rast të shkruajë, e gjithkush mund të botojë. Dhe nëse je apo është dikush i interesuar për një të shkruar të mirë, në një detyrim poetik për t’u lexuar, që të bëhet një poet i mirë, më e rëndësishmja është ajo që vjen nga leximi. Leximi që mbetet pikë referimi si poezi të kohës, dhe që vjen nga udha e gjatë si poezi të shekujve të kaluar. Ja pra se si ‘këshillohet’, sot nga poetët më në zë të Perëndimit. Në këtë formë të tillë thuhet nga W.H. Auden se, njeriu i leximit (nuk ka rëndësi ishte femër apo mashkull) duhet të kishte ardhur (sikurse ka ardhur) përreth rrjedhës së vetë arsyeve dhe poezive, ku një pikë natyrisht rreket në vetë konceptin e tyre, ku si gjithnjë e para ishte Fjala (Pra poezia është vetë Krijimi nga Krijuesi, është Fjala e Shenjtë, Rilindja e munguar Shpirtërore). Më saktë të vetë asaj që Krijuesi e krijoi dhe na afroi shijen që e perceptonte si poezi. Dhe në këtë rast pa pikë e pa presje, duhet thënë, se rrëndomësia e disa poezive të mësuara në shkolla, nuk është e mjaftueshme dhe sot leximi i munguar i poezive. Shihet edhe kjo e rrëndomtë: Kur dikush që urren leximin e poezive, dëshiron të shkruajë poezi. A ka ndonjë piktor, qoftë dhe amator, që ka bërë pikturën e tij dhe kurrë nuk ka parë me imtësi, apo nuk ka lexuar se si funksionon piktura, qoftë dhe me sy, dhe më tej bën vetëm mrekullira? Apo një muzikant (qoftë dhe amator) që bën muzikë (pa njerëz) mes pyllit? Ky është formati aneksues. Është formati që shmang lexues. Nuk kërkon shkrues. Është formati që ushqen vetëm botues.

E në këtë rast vetë rasti e sjell që të ketë vetëm disa emra (qofshin meshkuj, qofshin femra), që botojnë se kanë para dhe bëhen „emra“. Këtu hyjnë edhe poetët e palexuar. Ndoshta dhe poetët më në zë, por që i mbysin vetë „emrat“ e tillë, dhe vetë ‘poetët jolexues’. Në mjaft raste ‘poetët jolexues’ arsyetojnë mosleximin se ata kanë frikë se mos influencohen nga të tjerët. Ata nuk e kuptojnë këtë se të jesh ‘i influencuar’ është një pjesë e procesit të shmangies prej të mësuarit. Dhe të influencuarit të mëson lirinë, të jep hapësirën të shprehësh realitetin. Dikur disa poezi të poetes Silvia Path në Britani, ashtu si disa letra të saj, përfunduan në mospublikim. Këto poezi dhe më së shumti letrat e papara të Sylvia Plath pretendonin abuzim në familje, ka shkruar Ted Hughes. Kësisoj korrespondenca e zbuluar më vonë dhe e pabotuar nga poetja me ish terapistin e saj regjistron pretendimin për rrahje dhe thotë se ai i tha asaj se do të donte që ajo të kishte vdekur. Gradualisht jemi ndeshur edhe me mjaft raste të tilla leximi, mjaft ndikime, apo influencime të hapura nga një botë e tillë. Dhe në mjaft raste e kemi ndjerë një drithmë. E kemi bërë të ditur edhe për lexuesin, pra publikisht. Dhe në këtë rast tingëllohet si vetvetja në poezi, poeti mbetet i çliruar dhe lexuesi mbetet i ndriçuar nga çka mëson përditë… Pra në këtë mënyrë ndodh vetë ndriçimi shpirtëror, që krijon lexues dhe nxënës të përditësisë, para se të mbetesh lektor në profilin e tillë. Gjykimi i tillë i poezisë ka përforcuar bindjen me një rëndësi të veçantë që lidhet me tonin e veçantisë së vetë krijimit poetik. Nëse një poezi është e lexueshme, pra të jetë e tillë, zëri në të duhet të tingëllojë si një zë i një personi, që flet nga influenca e gjërave, nga ndryshimi dhe ndriçimi dhe rilindja e tij shpirtërore. Kjo aplikon edhe vetë monologun dramatik (kur poeti fut fjalët e tij në gojën e një tjetri) apo edhe tek lirikat në vetën e parë. Mjaft njerëz të pasigurtë përdorin një zë të kamufluar, apo të determinuar qëllimisht. Pra edhe në poezi nëse nuk je zëri yt, je dhe mbetesh një anonim. Pra, je i panjohur. Poezia është e tillë. Shkruesit pa përvojë bëjnë të ngjashmen në krijimet e tyre, përdorin ‘gjuhë poetike’ që ata kurrë nuk e bëjnë atë të flasë vetëm poezi. Në disa raste e bëjnë klishe, pa konfidenca apo energji të gjejnë veten, ose thjesht si një shpërthim vetvetor, në mjaft raste edhe pa lidhje. Pra me këtë mbetet një jo-poezi, thjesht krijohet. por me këtë mbetet thjesht arsye ngarkuese dhe jo emocionale në një rast shkrimor. Ndonjëherë një ndikim i tillë retorik kërkon realisht nga brenda vetvetes mjaft mënyra për të pyetur e për të ripyetur: “A e ndjen poeti, krijuesi këtë, sepse duhet ta ndjej, a e bën atë me gojë, që të flasë, apo e krijon në memecëri dhe ajo që krijon flet kuturu?”. T. S. Eliot thotë se më e vështira e një poeti është të bëjë krahasimin mes “çfarë dikush ndjen dhe çfarë duhet të ndjejë”. Për këtë, vetë T. S. Eliot, një nga fjalëbërësit më të mëdhenj në kujtesën e gjallë, tha një herë: „Emri im është vetëm një anagram tualetesh“. Humor tipik vetë-shfaqësues nga një poet dhe shkrimtar kaq brilant, dhe dëshmi e fuqisë së anagrameve për të zbavitur, ngatërruar dhe për të qenë thjesht të zgjuar. Për ta bërë më të qartë këtë ai bëri leximin mbrapsht të mbiemrit dhe shkurtesës së tij të leximit në sfondin letrar, krijues dhe krijoi atë që u tha të pranishmëve në një qytetet më turistike në Margate.

Ai foli në atë qytet ku karnavali i zhurmshëm i shumë ngjyrave i njërës prej godinave „Dreamland“ sot është qendra pulsuese e liminalitetit të Margate, ku bën ‘inatin’ kohor Rollercoaster i restauruar aty ku shinat lanë pas T.S. Eliot, ndërsa ishte ulur në strehën e shkëmbinjve Nayland, në lidhje me detin. Margate ishte vendi ku T.S. Eliot u zhbllokua, duke lejuar që të shfaqej psherëtima e „Toka e mbeturinave“ („The Waste Land“). Në një monument të përshtatshëm, blloku i tualetit ngjitur me strehën mban një pllakë blu që shënon kohën e tij në qytet, dhe stacioni, ka një murale me pllaka që mban citimin e Eliot, “Emri im është vetëm një anagram tualetesh”. Kjo për disa që nuk e dinë thelbin e saj, mund të jetë më pak se një metaforë dhe më shumë një gjendje ekzistence. Pyetja për një të rastësishëm mbetet enigma më vete „A e dini se TS Eliot është një anagram i tualetit?“ Është një parathënie e gjatë, por duket se rrjeti i ka të gjitha fjalët reale, të dhënat janë të gjitha normale dhe materiali tematik gjendet në rrjetin që ndjen dhe që ndjehesh. Duke ditur se çfarë dikush ndjen është jo gjithmonë një çështje e lehtë, si ajo që mund të tingëllojë. Edhe kur ne shkruajmë për jetët tona, apo në lidhje me botën rreth nesh e për evenimentet publike, diktati i poetit Eliot është preambulë. Nëse poeti është thjesht njohës, apo thjesht një jonjohës, poezia e tij është e destinuar të dështojë, dhe rrëzohet edhe ajo që ai ka pak në sensin e tij, kur ai nuk bën atë që duhet të bëj sipas thënies së Eliot, të gjej anagramin e vetvetes. Gjetja e kësaj të kundërte në vetvete është vetë rilindja shpirtërore e munguar, është më saktë rikthimi në relaitetin tënd, kur ti e di se të tjerët, apo Tjetri të ka lënë në këtë pastinë, të kthyer mbrapsht nga padija. E këtu duhet e gjitha, ajo që fillon nga kërkimi. Poeti duhet të bëjë kërkim, jo thjesht të bëhet një imitues, ai duhet të flasë e të pikturojë me fjalë, ai duhet të jetë fjalëprodhues dhe piktor në çdo detaj me fjalën e tij. Çështja të jesh poet sot është dekadenca e vetë argumentit. Shkund një fletë dhe dalin mijëra e mijëra poetë…., pale në rrjetet sociale, një miku im shpesh thotë me një fjalë vulgare: “kemi me …”. Nuk doja ta thoja fjalën e cituar rëndom nga miku im poet, por dua të theksoj atë që ndjeva në seminarin e djeshëm të poetëve më në zë britanikë ku u citua koleksioni i poetes Uendy Cope “Dy kurrat për dashuri”, si një model që duhet të jetë një arsye më shumë në atë që sot edhe në krijimtarinë shqiptare të mbetet një ‘rilindje poetike’ e munguar, apo e mbetur në klasën e viteve që na mbajnë peng edhe këto vite. Rilindjen shpirtërore e ka vetë arsyeja: “Jepja poezisë atë që i takon asaj”!