Suplementi Pena Shqiptare/ Hyskë Borobojka: Taksi, autobus urban apo tren?!…

9
Në një nga rrugët pak të ndriçuara të qytetit, rrinin dy djem apo burra, njëri me mjekër korb të zezë që ia mbulonte fytyrën dhe linte zbuluar kokën e rruar. Ndërsa tjetri kishte lënë vetëm mustaqet e verdha dhe kokën e mbuluar me një kapuçon. që i vinte deri te vetullat kaleshe. Të dy vinin e shkonin trotuarit, sikur kërkonin diçka që u kishte humbur, apo donin të numëronin pllakat e tij. Tej te fasada e rrugës u duk një zonjushe apo zonjë e kolme, e nisur dhe e stolisur me tre radhë rruazash varur në qafë, që i zbrisnin deri te gjoksi i mbushur. Në qafë e në duart e saj kishin zënë vend disa zinxhirë të verdhë e të bardhë, palë palë. Në fundin e veshëve i vareshin vëthët e ndritshëm, që arrinin deri te supet e zhveshura. Në bel kishte ngjeshur një rrip të gjerë si palldëm, me një togës të madhe, që shkëlqente e lëshonte rreze. Ndërsa në këmbë kishte mbathur një palë çizme lustrina që arrinin deri sipër gjunjëve, si çizmet që përdorin gjahtarët kur gjuajnë shpendë në gjole e liqene. Ajo po vinte duke u tundur e dukej si një kinkaleri shëtitëse

-Erdhi shpirti im! – thirri gjithë gëzim e hare mjekërziu.
-Kujt i thua “shpirti im”, ti fytyrë e keqe?! – e ndërpreu mustaqeverdhi.
-I them asaj që po vjen tek unë si thëllëzë mitare. Kujt tjetër. Në s’e di, mësoje!
-More zotni! Je në vete apo ke lajthitur?! Ajo, që ia marrsha e iu bëfsha kurban. nuk vjen për ty por për mua, që e kam të dashurën e zemrës! – i bërtiti tjetri aq sa morën zë qelqet e dritareve të lokaleve për rreth
Jo për ty njëri, por për mua tjetri, puna u trash, aq sa u bënë gati të ndesheshin, duke iu afruar njëri me tjetrin aq shumë sa hunda si kërrabë e mjekërziut gati të puthej me hundën si patëllxhan të mustaqeverdhit. Ndërsa duart dhe shkelmat u bënë gati për veprim. Ndeshja e tyre të kujton grindjet e përleshjet e deputetëve në Parlament, aq sa kryetari i tij detyrohet të thëresë punonjësit e gardës për t’i bërë zap. Në ndeshjen e asaj dite të mjekërziut me mustaqe verdhin, nuk u shfaq nevoja të thërriteshin forcat e rendit t’i bënin zap, Përpara se të kërciste grushti e të lozte shkelmi, në vendngjarje erdhi me një frymë, duke renduar një polic i gjatë me dy shirita të verdhë në sup..
-Zotërinj qytetarë ç’kini që po u ha kurrizi për dru dhe po prishni qetësinë publike!?- u thirri ai.
-Ky zotnia pa qime në kokë, thotë se ajo bukuroshja që po vjen na qenka dashnorja e tij. Kurse e vërteta është krejt ndryshe. Zemrën ajo ma ka dhuruar mua dhe vetëm mua! – tha mustaqeverdhi.
-Pa veri fre asaj gojës, që po llomotit. Ajo që po vjen nuk është as jotja e as e këtij zotnisë tjetër, por imja. S’e patë se erdha me një frymë duke rendur, që të mos i dilja nga fjala e dhënë. Prandaj mos prishni qetësinë publike e largohuni me kohë të mirë, përpara se t’u hedh prangat e t’ju çoj në dhomat e izolimit ne Komisariat, që të kalbeni ca ditë!- iu kërcënua polici.
Ndërsa përfaqësuesi i rendit po merrej me dy dashnorët e zhuritur, mbërrit një burrë rrondokop, me kokë si të shkuar në torno. Ai sa pa bukuroshen të stolisur e qëndisur si asnjëherë, që po vinte duke u tundur e shkundur, thirri:
-Eja shpirt se të pret lokali im e po qan për ty!
-More zoti qytetar, i ke mentë apo të kanë rrjedhur?! Si guxon, pa pikë turpi të marrësh dashnoren time në lokalin tënd?! – i shfryu punonjësi i rendit.
– Zoti polic!…
-Ndreq gojën! S’jam polic i thjeshtë por graduat! – e ndërpreu ai,
-Zoti graduat, të betohem për idealin e partisë time, se ajo që po vjen drejt nesh, është lulja e bukur me erë që stolis e zbukuron lokalin tim. Sa e shohin që hyn te dera, klientët gati të shtyjnë njëri tjetrin për të frekuentuar lokalin tim. Janë aq të shumtë sa s’mjaftojnë karriget e tavolinat për t’u ulur, por qëndrojnë në këmbë si hunj gardhi. Mjafton të shohin nazet e buzëqeshjen e saj, zoti polic!- vazhdoi pronari i lokalit.
-Graduat thuaj! Të thashë një herë s’dua ta përsëris!
-Si urdhëron zoti graduat! – u korrigjua ai e vazhdoi: -Po iku ajo, iku xhiroja, falimentova. S’paguaj dot taksat e qeverisë e të bashkisë! 
Në këto e sipër erdhi me shpejtësi e frenoi një veturë luksoze, që të vriste sytë nga shkëlqimi. Dera e saj u hap dhe prej saj zbriti një burrë trupshkurtër, barkmadh e qafëshkurtër. Në çast zonja e nisur dhe e stolisur, sa e pa vrapoi dhe iu hodh në qafë.
-More zotni! – foli me inat mjekërziu, Ka radhë. Si guxon zotrote. vjen e na i rrëmben? 
-E marr se është imja, ia shikon zotrote gjithë këto stoli e këtë veshje firmato, të gjitha janë investimet e kësaj kocke! – tha ai duke i rënë gjoksit.
Pastaj, siç e kishte bukuroshen në krah e vendosi në ndenjësen e parë të veturës luksoze. Mbylli derën e majtë, hapi me shpejtësi derën e djathtë e kapi timonin dhe makina u nis me shpejtësinë e erës.
-Iku! – tha me gjysmë zëri mustaqeverdhi.
-Në drejtim të paditur. Do ta shpallim në kërkim! – shtoi polici.
Mjekërziu iu afrua mustaqeverdhit si i zënë në faj e i tha:
-Më fal, o byrazer! Kot u grindëm e gati sa s’ia bëmë njëri tjetrit kurrizin më të butë se barkun. Unë e dija se ajo virane, ishte taksi ku mund të hipnin në të tre ose katër pasagjerë. Ku ta dija unë i gjori, se ajo paska qenë autobus urban sa njerëzit s’gjejnë ndenjëse për t’u ulur e ngjishen në këmbë, si sardelet në kuti?! 
-Tren me trembëdhjetë vagonë, thuaj! – shtoi tjetri.