Suplementi Pena Shqiptare/ Arben Duka: I çmendur jam!

497
Sigal

Arben Duka

I çmendur jam!

Di nga vij- s’e di ku shkoj,

nga gjumi s’jam përmendur,

një kohë çmendurish jetoj,

ndaj jam komplet i çmendur!

 

Në ka serioze gjë kjo Botë,

është çmenduri e saj,

dhe çdo gjë tjetër është e kotë,

ndaj qesh, se dot nuk qaj!

 

I çmendur jam se të vërtetën,

krejt marrëzisht e dua,

ndaj më luftuan gjithë jetën,

po s’kanë ç’më bëjnë mua!

 

Para nuk bëra shumë në jetë,

jo s’e paratë s’i dua,

po prapë jetova si një mbret,

një jetë enkas për mua!

 

Kështjellë që e ngrita vetë,

me frymë dhe dritë gdhendur,

kaq i mjafton të rrojë si mbret,

kush është si unë i çmendur!

 

Asnjë s’ka mbjellë në jetë sa unë,

po s’pashë gjë nga të korrat,

çdo gjë që mbolla në furtunë,

gjithnjë e korrën horrat!

 

Në tjetër vend të isha gjendur,

miliarder pa cak,

po nuk do isha kaq i çmendur,

dhe as kaq luftarak!

 

I çmendur jam, me të vërtetë,

po punë s’i prish njeriu,

të çmendurin e ndan në jetë,

një fije nga gjeniu!

 

Mullinjtë e Erës i kam vrarë,

njëlloj si Don Kishoti,

dhe eci rrugës kaq krenar,

me pamje prej idioti!

 

I çmendur jam-por jo mërzitur,

e kokë nuk çaj aspak,

veç muza-muza më ka ngritur,

një kurth edhe një lak!