Suplementi Pena Shqiptare/ Agim Jazaj: “Dushkaraku ynë”

946
Prolog

Rreth vitit 1980, me një makinë shkrimi të kohës, kisha nisur të hidhja pak radhë për dy nga të pesë lagjet e vendlindjes. Kryesisht, të hedhura me saktësi familjet, shtëpitë në dy lagjet, Trushaj dhe Kalampoq, për të cilat kisha njohje, sigurisht më të plotë… Mirëpo, Fetah Dëraj, ndër organizatorët dhe promovuesit e vlerave dhe të traditave të fshatit, kishte kohë që më ngacmonte edhe për historikun e fshatit, për ta lidhur dhe, pse jo, në një libër, Më ngacmonte në ngasjen time të hershme. Dhe një ditë…duke kthyer kafenë e shoqëruar me ndonjë gotë dhe të bashkëshoqëruar me këngë, aty nga vendi i punës së tij, nxori nga “sepetja hazinenë”… Ai kishte ruajtur në “thesarin” e tij një “thesar” për ne,një pjesëz të historikut të fshatit Dushkarak, të rihedhur rreth viteve 1987-1988 nga komisionet e kohës, të cilët ishin bij të fshatit, intelektualë , madje dhe zyrtarë të kohës. Shumë prej atyre komisionerëve, të cilët jetonin dhe nuk jetonin apo punonin në fshat, e kishin një emër, jo vetëm për vete, por dhe për bashkë origjinasit e tyre, të cilët ishin të përzgjedhur dhe përligjnin përzgjedhjen me vendosjen e tyre në administratën e shtetit dhe përfaqësimin tonë të kohës, të fshatit Dushkarak… Grupi për hartimin, korrigjimin, plotësimin dhe miratimin e deriatëhershëm, I përbërë nga bij të Dushakarakut:

Reiz Ismail Xhelilaj
Osman Abaz Shanaj
Riza Nuredin Meçaj
Nazif Laze Asllani
Safet Ahmet Zeqaj
Tofik Ismail Xhelilaj
Ibrahim Shask Kapaj
Hazhi Qerim Manaj
Zyber Hasan Bejtaj
Meleq Reiz Dëraj
Mitat Sadik Tafilaj
Resmi Mexhit Gjonaj
Izet Tartar Llanaj

Pra, të nisur dhe pa e përfunduar historikun, i lënë ndoshta edhe si një testament prej tyre… Shumica e tyre janë larguar nga jeta, por edhe me këtë kontribut, kanë lënë jo pak për vendlindjen e tyre. Meritojnë shumë dhe përfitojnë pak, por gëzojnë mirënjohjen tonë! Dushkaraku, konaku ynë i të gjithë dushakarakëve, por i nipërve dhe mbesave etj, ka pjesën e vet të historisë në faqet e historisë së vendit, të ruajtur në breza dhe të pasuruar nga brezat. Në këtë mision, botim për fshatin tonë, vendlindjen, do të gjejë gjithsecili vetveten dhe të vetën, do të ndihet dikush, do të rrëmbushet me përmallim për origjinën e tij, për paraardhësit, për të bërë diçka më shumë për vend-origjinën e tyre nga pasardhësit. Natyrisht, faqet e këtij libri historik nuk kanë synim të analizojnë, as të ndryshojnë e penalizojnë, qoftë dhe gabimet e bëra, por as mund të hiqet kryq, të përmbyset, çdo gjë përgjatë gjithë rrugës së mbijetesës edhe të këtyre njerëzve, duke vënë gjithçka në ziqin e kohës. Paanësia është synuar të pasqyrohet dhe mund të pasurohet nga brezat që vijojnë, si një mision permanent i pasardhësve, tashmë më të avancuar dhe të emancipuar, për të mbajtur shënim kohën, njerëzit dhe ngjarjet dhe për t’i pasqyruar ato në vazhdën e historisë të një populli, që di dhe do, bën dhe lë histori! Historiku i fshatit tonë është i ndërlidhur edhe me faktorë e brendshëm të tij, gjithsesi i pashkëputur dhe i ndikuar me faktorët e tjerë, të të gjithë krahinës dhe të vendit. Vëmendja dhe ndjeshmëria e burrave të ditur, ka qenë e prekshme në dinamikën e kohëve, të cilët u janë përgjuar gjithë evenimenteve në kohën e duhur dhe në masën e duhur. Çdo brez bën pjesëzën e historisë së tij, për të rishikuar dhe në pamundësinë për ta rishkruar historikun, bazuar pa mëdyshje dhe me rrjedhën e historisë së paraardhësve.


Sigal